Kryesore

PASOJAT E COVID-19/ Turizmi, viktima e madhe e pandemisë, PD: Sektori në pikë të hallit








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:58 - 13/08/20 |
mapo.al

Turizmi po përballet me një situatë të rëndë për shkak të pandemisë. Ndërkohë që numri i të ardhurve nga jashtë ka rënie drastike, shumë shqiptarë kanë gjetur mundësitë për të shkuar jashtë me pushime, duke i dhënë goditje shtesë biznesit vendas në këtë sektor. Për opozitën ndihma e qeverisë për sektorin ka qenë inekzistente. Teliti: Dy paketat e ndihmës ishin 3,6 mln euro, në një kohë që për inceneratorin e Tiranës u dhanë 3,9 mln euro.


Mund të konsiderohet viktima e parë e madhe e kësaj pandemie. Turizmi shqiptar ka marrë një goditje të rëndë për shkak të mungesës së pushuesve tradicionalë që janë emigrantët dhe pushuesit që vijnë nga vendet e tjera. Në gjashtë muajt e parë të vitit raportohet që vetëm nga Rinasi kanë hyrë rreth 1 milion njerëz më pak. Shifrat janë po aq tronditëse edhe nga pikat e tjera hyrëse të vendit.


Si të mos mjaftonte kjo tendencë, shumë pushues të vendit, pavarësisht thirrjeve “pusho shqip” nuk kanë preferuar plazhet shqiptare por kanë mësyrë për pushime në Turqi dhe Egjipt. Në këto kushte sektori prej kohësh ka mbetur me sytë nga qeveria, por duket se as andej nuk ka ndonjë lajm të mirë. Opozita thotë se krejt ndryshe nga vendet e tjera, turizmi është harruar nga qeveria e cila, gjatë kësaj periudhe, ka paguar shumë më tepër për koncesionet.


Hyrjet nga Rinasi, deri 91% më pak
Muaji qershor kur edhe nisën fluturimet e disa charterave për efekt turizmi nga vende të tilla si Bjellorusia, Ukraina dhe më pas Polonia nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë diferencë të dukshme sa i takon lëvizjes së pasagjerëve nga Aeroporti i Rinasit. Qershori i këtij viti në raport me atë të një viti më parë ka një rënie me 91 për qind të pasagjerëve.


Të dhënat zyrtare tregojnë se edhe fluturimet me linjat e tjera të rregullta me vende si Italia kanë qenë të limituar duke bërë që numri i pasagjerëve të tkurret me 60 për qind në 6 muajt e parë të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nëse në janar-qershor 2019 në aeroportin e Rinasit hynë dhe dolën në total 1.4 milion pasagjerë, këtë vit për të njëjtën periudhë kanë lëvizur 558 mijë pasagjerë. Qershori ka shënuar një total prej 28.5 mijë pasagjerësh teksa një vit më parë ky muaj regjistronte 312 mijë të tillë. Pavarësisht lehtësimit të kufizimeve sa i takon lëvizjes mes disa shteteve Bashkimi Evropian vijon të mbajë të mbyllur kufijtë për vendet si Shqipëria ku numri i rasteve të të prekurve me koronavirus ka qenë në rritje nga dita në ditë, një rritje kjo që erdhi menjëherë pas heqjes së plotë të masave kufizuese në fillim të qershorit.

Fluturimet që kryhen nga Rinasi nuk kufizojnë vetëm pasagjerët që duan të udhëtojnë drejt vendeve ku janë rezidentë. Sa u takon të huajve që duan të udhëtojnë drejt Shqipërisë kjo nuk i kufizon por shumica e vendeve kërkojnë një karantinë 14-ditore pas kthimit. Kjo ka bërë që të ketë edhe stepje për të fluturuar drejt Shqipërisë, një fakt që po mban peng sidomos sektorin e turizmit që priste të kishte vizitorë nga disa vende si ato nordike, Gjermania apo Çekia.

Shqiptarët “çajnë” rrethimin
Pandemia nuk i ka frenuar shqiptarët të udhëtojnë jashtë për pushime. Edhe pse mundësitë janë të kufizuara, hapja e shumëpritur e kufijve ka sjellë përgatitjen e valixheve për plazhet e Turqisë. Agim Mehmeti, drejtues i Vas Tour Operator, tha se krahas Turqisë, një tjetër destinacion është dhe Egjipti.

“E quajmë realisht fatmirësi që kemi pasur mundësi të kthehemi të paktën me dy nga destinacionet tona kryesore, Turqinë, ku prej datës 14 korrik jemi rikthyer me fluturimet çarter të drejtpërdrejta katër herë në javë dhe destinacioni i dytë, Egjipti, që në kalkulimet që ne kishim bërë ishte e pamundur të futeshim me linja direkte për këtë vit, por e kemi hapur me fluturimet tranzit nëpërmjet Stambollit”.

Sipas tij çdo javë 4 çartera me shqiptarë shkojnë drejt Turqisë. Oferta në destinacionet turistike turke ka qenë e kënaqshme dhe me një ulje të lehtë çmimesh krahasuar me një vit më parë. Sipas aktorëve të tregut, resortet shqiptare duhet ta kishin shfrytëzuar këtë moment pandemie për të mbajtur pushuesit brenda vendit, duke iu ofruar atyre shërbime më cilësore dhe duke ndryshuar mënyrën si kanë funksionuar deri tani.

“Ka qenë fatmirësi për zonën e Durrësit, për plazhin e Golemit, që vitet e kaluara kanë punuar me tregje tip polak, çek, sllovak dhe kanë pasur një koncept totalisht të ndryshëm shërbimi, duke konkurruar denjësisht tregjet ndërkombëtare. Kjo gjë nuk vlen të thuhet për tregun e jugut, që është ende në konceptin, pak më i shtrenjtë në fundjavë, më i limituar, dhe për fatin e vet të keq ende me një sezon të shkurtër. Ky vit që flasim është një vit i keq për të gjithë turizmin duke përfshirë edhe zonën që ka qenë plot, atë të Shqipërisë së Mesme, por Jugut, që është perla e turizmit bregdetar shqiptar, i ka ardhur momenti të reflektojë për vitet në vazhdim sesi mundet ta shtrijë sezonalitetin e vet duke penetruar edhe në tregje të tjera,” thotë Mehmeti.

PD: Turizmi në pikë të hallit
Për Partinë Demokratike, sektori i turizmit ndodhet në një situatë tepër të vështirë për shkak të pandemisë, por edhe të mungesës së mbështetjes nga qeveria. Eksperti i ekonomisë në PD Dorjan Teliti, shkruan se ndihma shtetërore është inekzistente, pasi paketat 1, 2 si dhe garancia sovrane, nuk patën asnjë efekt. Teliti tha se për dy paketat e ndihmës u dhanë 3,6 milionë euro, ndërkohë që PPP e inceneratorit e Tiranës morën 3,9 milionë euro.

“Turizmi në pikë të hallit, strukturat hoteliere të braktisura dhe pa mbështetje në ditët e tyre më të vështira. Në kulmin e sezonit, fluksi i turistëve arrin në rastin më të mirë deri në 50% të kapacitetit të saj, dhe kjo vetëm në fundjavë. Sektori i turizmit përfaqëson 1/5 e ekonomisë shqiptare, ku e kanë lidhur fatin e tyre mbi 300 mijë shqiptarë, sipërmarrës, të punësuar drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në prodhim, furnizim, shërbime, transport etj.

Pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, goditjen më të madhe ky sektor e ka marrë gjatë këtyre muajve të pandemisë. Ndihma shtetërore praktikisht ishte dhe mbetet edhe sot që flasim inekzistente. Në 5 muaj qeveria shqiptare ka dhënë vetëm 3.6 milionë euro mbështetje nga dy paketat e saj qesharake, asnjë qindarkë më shumë, ndërkohë që vetëm PPP e Inceneratorit të Tiranës kanë marrë 3.9 milionë euro gjatë kësaj periudhe. Garancia sovrane për pagat e punonjësve nuk dha rezultat, pasi mund të merrej vetëm për periudhën mars-maj 2020, periudhë gjatë së cilës këto struktura ishin tërësisht të mbyllura dhe pa aktivitet.

Vendet fqinje, ndryshe nga Shqipëria, përveç politikave të tjera mbështetëse, kanë ndërmarrë paketa stimuluese konkrete për turizmin. Maqedonia e Veriut: bonus 150 euro për çdo punonjës të vendit me pagë deri në 250 euro, janë 150 euro bonus për t’i përdorur në strukturat hoteliere dhe restorantet. Gjithashtu, bonus shtesë prej 900 euro për çdo punonjës të sektorit të turizmit dhe transportit. Mali i Zi: ndërmori paketën e tretë ekonomike, paketë prej 1.2 miliard eurosh, ku gjysma e saj i dedikohet sektorit të turizmit. Italia: 300 deri në 500 euro bonus për person për konsum në strukturat hoteliere dhe restorantet.

Mjaftojnë këto shembuj për të treguar ç’do të thotë të ndihmosh dhe stimulosh një sektor. Qeveria shqiptare vazhdon të mos dëgjojë thirrjet e shumta të biznesit dhe braktisja që i bën ekonomisë, bujqësisë, sektorit prodhues, turizmit etj., po na kushton shumë rëndë”, shkruan Teliti.


Etiketa: , , ,

Pas