Ekonomi

PASOJAT E RËNDA/ 70 përqind e bizneseve në krizë të thellë, duan vite të marrin veten








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:58 - 10/08/20 |
mapo.al

Një anketë e realizuar nga Monitor tregon gjendjen e rëndë ku ndodhet sipërmarrja në vend. 70 përqind e bizneseve deklarojnë se u duhet më shumë se 1 vit që të marrin veten. Njohësi i ekonomisë, Zef Preci shprehet se krizës që shkaktoi pandemia i shtohet keqqeverisja dhe korrupsioni.


Pandemia e Covid-19 po lë pasoja të thella dhe afatgjata në ekonomi. Ekspertët pohojnë se 6 – mujori i parë i vitit shënoi një seri falimentimesh masive, shtim të papunësisë, rënie të fuqisë blerëse, rënie të prodhimit vendas dhe të shkëmbimeve tregtare.


Sipas një anketimi me biznese të mëdha e të vogla, mbi 70 për qind e tyre vlerësojnë se rimëkëmbja do të zgjasë më shumë se një vit dhe se ato nuk kanë marrë ndonjë mbështetje të ndjeshme nga autoritetet për këtë qëllim.


Sipas institucioneve financiare ndërkombëtare, Shqipëria është një ndër vendet me rënien më të thellë ekonomike gjatë pandemisë. Humbja e vendeve të punës dhe rënie e dukshme e fuqisë blerëse e dëmtuan rëndë ekonominë dhe bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha.


Nga një anketim me sipërmarrjet, publikuar nga revista Monitor, doli se pjesa dërrmuese, mbi 70 për qind e tyre, nuk mund të rimëkëmben brenda një viti dhe se karantina si dhe protokollet pas saj u kanë larguar klientelën, edhe ajo e dëmtuar nga pandemia në buxhetet familjare.


Krahas revistës Monitor, edhe Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike po bën vëzhgime mbi këtë situatë të pazakontë të ekonomisë shqiptare. Drejtuesi i saj, Zef Preçi thotë se ekonomia shqiptare ka dobësi strukturore, që u ndikuan nga pandemia, ashtu si edhe eksportet modeste u prekën prej saj. Ai shtoi që ndërsa bota merret vetëm me pandeminë, Shqipëria ka 3 kriza; tërmetin, pandeminë dhe keq-qeverisjen, që vetëm thellon borxhet.

“Kriza e tretë, që është permanente gjatë dekadës dhe gjatë gjithë tranzicionit është kriza e keq-qeverisjes. Të marra së bashku këto tre kriza kanë si rezultat keqpërdorimin e fondeve publike dhe mjeteve publike, lejeve, licencave etj., rritjen e ndikimit të oligarkisë në vendim-marrjet e qeverisë, rritjen e pakontrolluar të borxhit public deri në kufij të rrezikshëm, si dhe mungesën e perspektivës për shkak të shtimit tejet të ngadalshëm të vendeve të punës, mungesës së nevojshme etj.”

Studiuesit pohojnë se në mesin e kësaj krize qeveria ende nuk ka vendosur një komunikim normal me qarqet e biznesit, lëshoi disa pagesa minimale për një pjesë të punëtorëve, ndërsa kreditë sovrane nuk po funksionojnë sa duhet. Anketimi i publikuar në revistën Monitor dhe i drejtuar nga studiuesja Dorela Beqaj nxori në dritë pesimizmin e tyre jo vetëm për goditjet që solli pandemia po edhe për politikat lehtësuese të qeverisë, që nuk po japin efekt te bizneset.

Pjesa dërrmuese e bizneseve të intervistuara, afro 80 për qind e tyre, pohuan se nuk kanë aplikuar për kreditë sovrane, sepse kreditë sovrane nuk janë një mbështetjee mjaftueshme për t’u kthyer në normalitet dhe se nuk janë të sigurtë nëse do të mund ta shlyejnë atë kredi, ngaqë pandemia vazhdon. Edhe Qendra për Kërkime Ekonomike e ka konstatuar këtë mosbesim të bizneseve dhe qytetarëve tek masat e qeverisë.

“Shumica e shqiptarëve e kanë humbur shpresën dhe sytë i knë nga emigrimi drejt vendeve perëndimore. Ekziston rreziku që me kapërcimin e pandemisë, që shpresohet të jetë nga fillimi i vitit të ardhshëm, vendi do të përballet me një situatë largimesh edhe më intensive se ajo ka ndodhur në 6-7 vitet e fundit. Përkeqësimi i sistemit të sigurimeve shoqërore, përkeqësimi I mbledhjes së taksave, i burimeve të nevojshme për të shlyer borxhet dhe për të vazhduar përpara, do të bëjnë që situate ekonomike do të jetë edhe më keq se sa është sot” – thotë Zef Preçi.

Paralelisht me garancitë sovrane, qeveria po ndërmerr edhe amnistisë fiskale, dhe në anketë mbi 70 për qind e bizneseve janë shprehur se amnistia fiskale nuk do të ndihmojë në përmirësimin e situatës ekonomike të tyre. Ata pohojnë se bizneset, të cilave u falen detyrimet e papaguara shtojnë “konkurrencën e pandershme” për bizneset, të cilat kanë paguar rregullisht detyrimet e tyre.

Edhe fakti që kjo amnisti fiskale po shoqërohet edhe me amnisti penale, pohojnë ata, dëmton konkurrencën e lirë, sepse mund të legalizojë paratë e veprimtarive kriminale dhe thellon pabarazinë në treg për bizneset. Ekspertët shtojnë ndër pengesat e kësaj krize edhe faktin se vitin tjetër ka zgjedhje dhe buxheti pritet të jetë një buxhet elektoral me premtime dhe shpenzime të rritura. Por nga ana tjetër qeveria po mbron me këmbëngulje PPP-të e vjetra dhe të reja, dhe po bën plane për ndarje fondesh investimesh sikur të ishte një vit normal, sikur vendi nuk gjendet në mes të pandemisë dhe rrënojave të tërmetit.

ANKETIMI/ Bizneseve do t’u duhet më shumë se një vit të kthehen në normalitet
Rikuperimi nga pasojat e pandemisë duket se do të vazhdojë gjatë, pasi bizneset nuk janë optimiste që do t’i rikthehen normalitetit për një periudhë të shkurtër kohore. Pyetja e parë që u është drejtuar bizneseve lidhur me pritshmëritë për të ardhmen e tyre është “Kur mendoni se aktiviteti i biznesit tuaj do të rikthehet në normalitet?” Vetëm 7,8% (20 biznese) kanë zgjedhur opsionin 0 deri në 6 muaj, që tregon pritshmëri për rikthim në normalitet brenda një periudhe afatshkurtër.

Pjesa tjetër e bizneseve 20,8% (53 biznese) mendojnë se aktiviteti i tyre do të rikthehet në normalitet për 6 muaj deri në 1 vit, dhe shumica e subjekteve 71,4% (182 biznese) mendojnë se do të duhet mbi 1 vit që aktiviteti i tyre të rikthehet në nivelet përpara pandemisë. Fakti që shumica e bizneseve mendojnë se do të duhet një periudhë afatgjatë që aktiviteti i tyre të rikthehet në normalitet, tregon pasiguri që vjen si rezultat i rënies së përgjithshme të konsumit.

Edhe fakti që pandemia është ende në vijim dhe nuk mund të bëhet një parashikim se sa do të zgjasë, e rrit edhe më tej pasigurinë si te konsumatorët, ashtu edhe te bizneset. Bizneset janë pyetur më tej lidhur me frikën e rikthimit agresiv të virusit dhe impaktit të kësaj ngjarjeje në ekonomi. Pyetjes “A keni frikë se një rikthim agresiv i mundshëm i virusit do të godiste konsumin e përgjithshëm, e për pasojë edhe të ardhurat e biznesit tuaj?” i janë përgjigjur me “po” 95,7% e bizneseve dhe me “jo” vetëm 4,3% (11 biznese).

Ky është tregues i një pritshmërie të lartë për rikthimin një vale të re të virusit që mund të shoqërohet me rivendosjen e karantinës. Frika masive për përkeqësimin e situatës mund të jetë edhe një ndër faktorët që ndikon në pritshmërinë për rikthim në normalitet në një periudhë afatgjatë mbi një vit. Vlen për t’u theksuar se paqartësia lidhur me të ardhmen e situatës së pandemisë, shoqërohet me pasiguri në sjelljen e konsumatorëve e për pasojë, edhe në sjelljen dhe pritshmërinë e bizneseve.

Pasiguria, së bashku me efektin negativ te të ardhurat personale që pati karantina, i nxit konsumatorët të kursejnë më shumë dhe të orientojnë konsumin më tepër drejt të mirave të domosdoshme. Për pasojë, edhe të ardhurat e bizneseve pësojnë rënie në pjesën më të madhe të rasteve, gjë që e thellon krizën më tej dhe e zgjat në kohë këtë situatë ekonomike.



Pas