Aktualitet

PASOJAT/ Vitrina e krizës COVID-19; bizneset ulin qepenin ose dalin në shitje








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:36 - 07/08/20 |
Edmond Hoxhaj

Shumë sipërmarrje të vogla nuk kanë mundur t’i mbijetojnë krizës ekonomike që solli pandemia eCOVID-19; disa kanë mbyllur aktivitetin dhe disa të tjerë e kanë nxjerrë biznesin për shitje.


Në rrugët kryesore të Tiranës, ku më parë vitrinat e dyqaneve ishin të mbushura me mallra të reja, tani shihen shpesh të afishuara lajmërime për dhënie me qira të hapësirës komerciale apo njoftime për biznese që janë vënë në shitje.Sipas sipërmarrësve, shkaqet kryesore të mbylljes së aktivitetit mbeten aktet normative kufizuese që synojnë parandalimin e COVID-19, si edhe rënia e fuqisë blerëse për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia.


“Menduam se do na ecte, por deri tani brenda 2 muajve kam humbur 3 milionë lekë,” ankohet Marigleni, pronari i një butiku në bulevardin “Bajram Curri”, i kthyer disa muaj më parë prej emigracionit në Shqipëri.“Kam 20 vjet që jetoj jashtë dhe tani për shkak se kam krijuar familje këtu me bashkëshorten thashë ta provojmë njëherë,” tha ai, ndërsa shtoi se “përfundimisht do e mbyll, dhe me shumë mundësi do shkoj përsëri jashtë.”


Marigleni i kthyer në atdhe pas situatës kaotike që solli COVID-19, mendoi të hapte aktivitetin e tij vetëm pak ditë pasi u lehtësuan masat kufizuese të pandemisë në qershor, por pritshmëria e tij për një rimëkëmbje të shpejtë të fuqisë blerëse nuk u përmbush.


Biznesi i Maringlenit nuk është i vetmi që po has në vështirësi. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në periudhën mars–korrik të vitit aktual 2944 biznese kaluan në statusin e subjekteve pasive. Alket Karari, pronar i pub “Canon” në zonën e ish-bllokut në Tiranë, i tha BIRN se kufizimet e shumta që vijnë si pasojë e pandemisë e kanë bërë këtë lloj biznesi aspak tërheqës.“Pub-in e mbylla 2 javë përpara shpërthimit intensiv të pandemisë, por duke qenë njëkohësisht edhe pronar i ambientit m’u desh më pas ta lëshoja me qira, por për shkak të situatës askush nuk e mori as me qira,” tha Karari.

Ai shtoi se Akti i fundit Normativ mbi kufizimin e muzikës pas orës 20:00, i kufizoi ndjeshëm mundësitë për ta dhënë ambientin me qira.“Në muajt e lehtësimit të situatës më erdhën disa mundësi të tjera për qiradhënie, përsëri për ambient bar/klub nate, por edhe këto mundësi u anuluan për shkak të kufizimit që vuri qeveria për orarin e muzikës,” shtoi Alketi. Ndërkohë, i ulur në një stol brenda butikut te tij “King & Queen”, Marigleni u ankua se biznesi ishte “katastrofë”. Si shumë emigrantë të tjerë, ai u kthye në atdhe me shpresën se duke investuar në një biznes do t’i mundësojë dhe qëndrimin pranë familjes. Ndryshe nga shumë sipërmarrës të tjerë – të cilët në muajin qershor vendosën t’i kalonin bizneset e tyre në statusin pasiv, Marigleni guxoi të hapte një sipërmarrje të re.

“Përpara se ta hapja unë këtë dyqan e kishte djali i dajës, një biznes të ngjashëm me rroba të shtrenjta. Ai e mbylli për shkak të situatës dhe ia mora unë me rroba më të lira,” tha ai.

“Gjithsesi, njerëzit nuk kanë të harxhojnë, edhe ato 5 lekë që kanë i kursejnë sepse nuk e dinë se ç’do të ndodhë nesër,” shtoi ai.Pothuajse të njëjtin fat pati edhe pronari i picerisë “Punto Zero” në zonën e Tiranës së Re, tashmë e mbyllur prej pothuaj dy muajsh.

“Kisha një muaj që e kisha hapur picerinë, kur u ndërmorën masat për mbylljen e bizneseve në muajin mars,” kujton Klodi Vila, i cili u kthye në Shqipëri prej mërgimit pak kohë përpara pandemisë. Ai i tha BIRN se masat kufizuese që qeveria po ndërmerrte çdo ditë kundër COVID-19, ndikuan ‘shumë’ në vendimin e tij për ta mbyllur aktivitetin e porsahapur.

“Nuk kam pasur siguri për masat e mëtejshme që do të ndërmerrte qeveria,” thotë Vila, ndërsa shpjegon vendimin për ta mbyllur picerinë.“Duke parë dhe mënyrën sesi çdo gjë vendosej nga kryeministri – që ndryshonte masat disa herë brenda ditës, prandaj vendosa të kthehem jashtë shtetit ku jetoj dhe mbase në një moment të dytë do të rihap përsëri aktivitetin në Shqipëri,” shtoi ai.‘Design walking Shoes, një dyqan pranë rrugës “Muhamet Gjollesha”, i cili është hapur 5 vite më parë, tani është nxjerrë në shitje. Shitësja i tha BIRN se gjatë muajve të fundit xhiroja ditore e subjektit kishte rënë ndjeshëm. “Gjatë më shumë se 5 viteve që kemi hapur dyqanin gjithmonë kishim diku deri në 200 mijë lekë të vjetër xhiro në ditë; tani xhiroja mezi shkon deri në 50 mijë lekë të vjetër,” shpjegoi ajo.“Nuk i dilet dot, pasi është për t’u paguar si qiraja ashtu edhe punonjësit; nuk fitojmë më asgjë, po dalim me humbje,” shtoi ajo, duke shpjeguar vendimin e pronarëve për ta shitur.Megjithatë, gjetja e një blerësi për dyqanin nuk duket një punë e lehtë.

“Kemi nxjerrë lajmërimin për shitjen e biznesit prej 3 muajsh, që prej daljes nga karantina, por nuk po e blen njeri, për shkak se nuk kanë para, ” shpjegoi gruaja që qëndronte pas banakut, e cila nënvizoi se tashmë kishte filluar të shikonte për një punë të re.

Ajo shpjegoi se gjatë muajve të fundit kanë marrë shumë pak furnizim nga jashtë, pasi nuk duan të rrezikojnë përderisa janë drejt mbylljes, por me gjithë çmimet e ulëta klientët numërohen me gishtat e njërës dorë. “Edhe pse janë të gjitha produktet me ulje, edhe ato 5-6 klientë që vijnë thonë që edhe me 10 mijë lekë të vjetër u duket shtrenjtë”, tha ajo.

“Kam filluar të shikoj për punë, pasi nëse biznesi nuk shitet dhe pronarja merr vendimin ta mbyllë përfundimisht unë do të mbetem e papunë, por akoma nuk kam gjetur asgjë”, përfundoi shitësja, duke vënë në pah pasigurinë për të ardhmen e afërt. Edmond Hoxhaj /BIRN


Etiketa:

Pas