Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave Genti Gazheli tha sot se 7 politikanë janë duke u hetuar për pastrim parash.
Gazheli e beri deklaraten në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare për të raportuar mbi punën e kryer nga institucioni i drejtuar prej tij në për periudhën janar 2013 – dhjetor 2013, theksoi se janë 7 politikan nën hetim, ndërsa shtoi se problematika kryesore mbetet ngadalësia e punës së prokurorisë, që çon në pushimin e çështjeve.
“Kemi një rritje të numrit të dyshuarve, sidomos nga muaji nëntor e sipër. Viti 2013 është karakterizuar nga një efikasitet i ulët, po të shohim shifrat gjatë vitit 2012 kemi pasur 22 raste të denoncuara, në vitin 2013 kemi pasur 23 raste të denoncuara dhe në vetëm tre muajt e parë të 2014-ës kemi pasur 20 raste të denoncuara, pra kjo tregon se brenda tre muajve të parë të këtij viti është kryer një sasi e pune e barazvlefshme me gjithë vitin 2013”, nënvizoi Gazheli sipas ATSH-se.
Kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave nënvizoi se pavarsisht vullnetit të mirë që mund të kenë drejtuesit e këtij institucioni, prokuroria është një hallkë problematike. “Gjatë 2013-ës puna nuk ka qenë jo efikase dhe numri i personave të referuar në prokurori ka qenë me rritje shumë të ulët, por ajo që është më problematike se nga prokuroria në gjykatë numri i çështjeve të referuara është shumë më i vogël, ç’ka përbën një pengesë për punën tonë”, theksoi Gazheli.
Më tej, ai bëri të ditur rrugëtimin e tij në krye të këtij institucioni dhe disa prej marrëveshjeve të bashëkpunimit të nënshkruara prej tij. Kështu sipas Gazhelit, gjatë gjashtë muajve të fundit janë kryer trajnime të personelit në të gjithë vendin. Janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë, me Bankat e Nivelit të parë dhe të dytë, me noterët, me të cilët Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave shkëmben online informacin, ashtu si edhe me drejtorinë e tatim taksave.
Kjo nënvizoi Gazheli “ka rritur ndjeshëm efikasitetin e punës së drejtorisë sonë dhe për herë të parë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kemi mundësuar arrestimin në flagrancë të një të dyshuari, që më tej me vendim gjykate, ai ka marrë masë sigurie arrest me burg, çka tregon se provat e furnizuara nga ne kanë qenë të vlefshme dhe puna efikase”.
Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, në fjalën e saj tha se raporti i ngjan një historiku të shkruar nga organizata jo fitimprurëse, ndërsa pyeti Gazhelin lidhur me hallkat që shkaktojnë problematikën më të madhe në punën e përditshme të institucionit që ai drejton. Doda e pyeti Gazhelin lidhur me politikanët nën hetim dhe gjithashtu e pyeti edhe në lidhje me terrorizmin, nëse gjatë hetimeve ka pasur raste të lidhjeve direkte ose jo me pastrimin e parave.
Gazheli u përgjigj se janë 7 politikan që po hetohen dhe prokuroria është hallka e dobët e sistemit. “Ka vonesa të paarsyeshme nga prokuroria që çojnë edhe shuarjen e çështjes. Kemi 7 politikanë të për të cilët po hetohen që prej vitit të shkuar, ndërsa sa i takon terrorizmit, siç të gjithë e dini aksioni i kryer nga policia pak javë më parë erdhi falë një bashkëpunimi të fortë të të gjithë institucioneve ligjzbatuese përfshirë edhe ne, por ka problemet të tilla”, nënvizoi Gazheli.
Kreu i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëare, Spartak Braho në fjalën e tij e pyeti Gazhelin lidhur me mardhëniet me agjencitë homologe. “Si janë marrëdhëniet me agjencitë homologe në botë, shkëmbeni informacion? Po, legjislacioni ku mbështetet puna juaj është i plotë apo ka nevojë për ndryshime?”, pyeti Braho.
Gazheli bëri të ditur se mardhëniet me agjencitë e huaja janë të shkëlqyera. “Ne bashkëpunojmë dhe shkëmbejmë informacion me mbi 100 agjenci homologe në të gjithë botën dhe kjo na ndihmon në rritjen e efikasitetit. Sa i takon legjislacionit duhet thënë se ndryshimet e fundit janë kryer në tetor të 2014-ës, pra me nisjen e punës nga qeveria e re, prandaj mund të them së është kryer një punë e mirë dhe legjislacioni është i plotë”, theksoi Gazheli.