Regjistrimi i kandidatëve të partisë “Bindja Demokratike” në KQZ ka hapur debat mes PD-së dhe partisë së krijuar së fundmi nga Patozi. Sot Ivi Kaso i PD-së tha se regjistrimi është i paligjshëm pasi një parti që futet në zgjedhje duhet të ketë deputet në parlament. Sipas PD, Kuvendi ka falsifikuar dokumentet për deputetin Andi Përmeti, emri i të cilit u dërgua në KQZ për regjistrimin e “Bindjes”. Për këtë akuzë ka reaguar Astrit Patozi i cili thotë se ka dy firma deputetësh, përkatësisht, Lefter Koka dhe Andi Përmeti. Kësisoj emri i deputetit të LSI dhe ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka del për herë të parë në skenë si kontribues për Bindjen Demokratike.
Deklarata e Ivi Kasos: “Sipas ligjit që një kandidat i një partie politike të regjistrohet nga KZAZ dhe KQZ në zgjedhje, duhet të paraqesë një vërtetim që partia politike zotëron një mandat deputeti të paktën 6 muajt e fundit. Në të kundërt, duhet të mbledhë firma nga votuesit e secilës zonë, ku kandidon.
Bindja Demokratike nuk përmbush asnjërin nga të dy kushtet ligjore. Partia e krijuar në paradhomën e Edi Ramës ka paraqitur kandidatë fallco në zgjedhjet fallco me një vërtetim fallco nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në një akt të paprecedentë, për llogari të Edi Ramës, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka falsifikuar dokumentet zyrtare, duke lëshuar për partinë fantazëm të Edi Ramës një vërtetim, sikur përfaqësohet në Kuvend nga një deputet që ka 6 muaj që ushtron mandatin e tij. Bëhet fjalë për deputetin Andi Përmeti, i cili nuk ka mbushur as 1 muaj në marrjen e mandatit”.
Reagimi i Patozit: E vetmja punë që bën PD-ja qysh nga data e krijimit të forcës sonë politike është që të na ndjekin dhe përgjojnë, për çdo fjalë që themi dhe çdo veprim që bëjmë, por ne nuk shqetësohemi fare nga kjo. Përkundrazi, e konsiderojmë reklamë falas për një parti të re.
Sot paskan shpikur që kandidatët tanë qenkan të paligjshëm, sepse nuk u mbështeskan nga një mandat deputeti në të paktën 6 muajt e fundit.
Sqarojmë publikun se BINDJA DEMOKRATIKE mbështetet jo nga një, por nga firmat e dy deputetëve për të garuar dhe kandiduar në gjithë Shqiërinë. Ata janë zotërinjtë Lefter Koka dhe Andi Permeti, dhe për këtë ekziston e gjithë praktika e depozituar në KQZ. Më poshtë, fotokopja e shkresës së protokolluar.
1-Dokument i publikuar nga Patozi