Astrit Patozi, i cili sapo ka krijuar një parti të re me emrin “Bindja Demokratike” deklaron se dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje për ti qendruar përballë mazhorancës. Ai tha se shpreson që edhe opozita që ka dalë nga parlamenti (PD, LSI) të kthehet dhe të hyjë në garë. Ai tha se “Bindja Demokratike” vjen si një oferte e re. Një parti që është kundër këtij sistemi politik. “Partikracia duhet rrëzuar. Duhet ndryshuar sistemi zgjedhor”, tha Patozi gjatë një interviste me Blendi Fevziun në “Opinion”.
A jeni duke u hakmarrë ju ndaj PD-së?
Patozi: Ata më përzunë dhe ti thua pse nuk je si ata…nuk është hakmarrje për PD. Kam keqardhje për shtëpinë time të dikurshme politike. Kam humbur çdo lloj interesi për atë parti.
Thuhet se kjo parti (BD) ka mbështetjen e Ramës?
Patozi: Po e them sonte për here të parë: Bashkëpunimi i parë me Ramën ka ndodhur para 3-4 ditësh. Bëra check up shëndetësor, nëse ky quhet “bashkëpunim”, po e kam bërë. Hera e vetme që jam ulur në një tavolinë me z. Rama ka qenë para disa vitesh ku ka qenë dhe Sali Berisha, Ilir Meta, Gramoz Ruci dhe Shpëtim Idrizi. I vetmi takim me Ramën në 2011 (negociatat për zgjedhjen e Presidentit, të cilat dështuan). Ndaj them se kjo lidhja ime me Ramën që artikulohet nga ata (PD) është qesharake.
Cili është projekti juaj?
Patozi: Projektin politik ne po e shpalosin dita-ditës. Ne duam të marrim pjesë në zgjedhje lokale, presim që KQZ të na regjistrojë. Ne nuk kemi dalë kundër dikujt. Ne jemi një parti kundër këtij sistemi politik. Partikracia duhet rrëzuar. Duhet ndryshuar sistemi zgjedhor.
A keni kontaktuar me Bashën kur ju la jashtë listës? Po me Berishën?
Patozi: Nuk kam kontaktuar me zotin Basha, as me zotin Berisha. Nuk kam patur arsye, as ata nuk kanë patur arsye për të biseduar. Raportet e mia kanë qenë zyrtare ndoshta dhe miqësore. Me aq sa mund të kesh mundësi me zotin Basha.
Ndërsa zotin Berisha e kam takuar vetëm njëherë, kur ndodhi humbja drastike e 2017. Kemi diskutuar për rrugëdaljet, kemi folur gjatë për atë çështje. Për shumicën e ngjarjeve kemi qenë në të njëjtën linjë.
/Mapo.al