Zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa publikoi sot dokumentin e një tenderi korruptiv siç tha, përgjegjës për të cilin bëri kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Referuar dokumentit, Zhupa u shpreh se Bashkia e Tiranës ka shpallur fituese të një tenderi 100 milionësh për uniformat e policëve bashkiakë një kompani nën sekuestro për mospagim taksash dhe me vetëm 1 punëtor.
“Bashkia e Erjon Veliajt është një nga institucionet ku korrupsioni është mënyra e vetme që funksionon për punët publike dhe shërbimete tjera. Tenderi 100 milion lekë për veshjet e policëve bashkiakë është një rast flagrant ku korrupsioni dhe shkelja e ligjit bëhet aq hapur sa çdo qytetar e kupton, mjafton të shohë dokumentat që ne disponojmë”,- tha ajo.
Por Bashkia e Tiranës ka hedhur poshtë si të pavërteta deklaratat e bëra sot nga Partia Demokratike në lidhje me dhënien e një tenderi një kompanie që kishte detyrime tatimore të papaguara. Bashkia e Tiranes sqaron se kur është bërë tenderi të cilit i referohet Partia Demokratike në deklaratën e saj, kompania në fjalë ka rezultuar pa detyrime në tatime. Këtë e vërteton edhe vërtetimi që kjo kompani ka dorëzuar sëbashku me dokumentet e tenderit.