Aktualitet

PD dhe paradoksi i vendimeve të KAS dhe Kolegjit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:00 - 21/06/21 |
Enton Palushi

Në një shtet pak më normal se Shqipëria, kjo javë do të ishte dominuar nga diskutimet për atë që ndodhi me Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve dhe Kolegjin Zgjedhor, që i mbyllën derën me shpejtësi të gjithë ankesave të Partisë Demokratike për procesin skandaloz të 25 prillit.






Me një lehtësi të pabesueshme, lajmet për këto vendime treteshin në morinë e raportimeve për vrasje, plagosje, aksidente, vetëvrasje, protesta, skandale ekonomike dhe një mijë e njëqind të zeza të prodhuara edhe nga mëkati origjinal që vazhdon të konsumojë Edi Rama duke dëmtuar themelet e demokracisë me manipulimin zgjedhor.


Kur e kupton se manipulimi i proceseve zgjedhore është bërë kaq i parëndësishëm dhe kaq rutinë, e beson plotësisht sa të drejtë kishte filozofi i preferuar i Vladimir Putinit, fashisti i ‘rilindur’ Ivan Ilyin që u propozonte një shekull më parë autokratëve se demokracia duhet bërë një ritual i bezdisshëm, ku qytetarët vetëm sa ratifikojnë atë që është vendosur diku larg kutive të votimit dhe vullnetit të qytetarëve. Askund nuk shihet kjo më qartë se në vendimet e KAS dhe Kolegjit.





Që të kuptohemi, nëse do pyesni ekspertët e manipulimeve zgjedhore, ata do të thonë se ky është një proces ligjor dhe antiligjor që nis kohë përpara se njerëzit të shkojnë te kutitë e votimit. Ndaj periudha kur duhej reagimi më i fortë, qoftë nga drejtësia, qoftë nga ata që merakosen për demokracinë e vendit, ishte disa javë e muaj përpara se të vinte 25 prilli.



Tani nuk është çudi që krimet zgjedhore të na dalin përpara syve kur hetohen dosje të tjera kriminale, siç ka ndodhur me rastet më të bujshme në të shkuarën. Nuk është aspak rastësi që të enjten u raportua se teksa SPAK po hetonte një bandë të trafikut të drogës, zbuloi mes të tjerash se ata blinin edhe vota. Bash si në të shkuarën, vjedhja e votës del aty mes krimeve të tjera, por si një krim ‘i dorës së dytë a të tretë’.



Megjithatë, nuk mund të mos komentosh mënyrën se si janë rrëzuar pretendimet e Partisë Demokratike nga KAS dhe Kolegji Zgjedhor në kohën kur Bashkimi Europian dhe Perëndimi kërkon me ngulm që të gjitha institucionet e drejtësisë të punojnë së bashku për të zbardhur krimet zgjedhore pasi kjo është jetike për demokracinë. Të besosh se Ilir Rusmali me shokë do forcojnë demokracinë, kjo është më shumë se marrëzi.

Lexo edhe :  Krisja e balancës historike PD-PS

Ata bënë të kundërtën e asaj që kërkonte BE, jo vetëm duke vepruar secili si institucion më vete dhe jo si një ansambël siç ndodh në vendet normale, por dukej sikur kishin nisur një garë të ethshme se kush do mburrej përpara Edi Ramës se ua mbylli derën kërkesave për transparencë të opozitës. Madje Kolegji Zgjedhor të krijonte idenë se ndihej edhe i bezdisur se duhej të merrej edhe me ankesa zgjedhore. Njësoj si ata kriminelët që trafikojnë drogë e kryejnë vrasje, por merren edhe me këtë krimin e lehtë dhe të parrezikshëm të blerjes së votave.

Kulmi ishte kur kërkesat e opozitës rrëzoheshin me argumentimin se nuk ka prova dhe se janë bazuar mbi akuza politike. Edhe kjo përpjekje për të krijuar neveri për politikën, është pjesë e strategjisë për rrënimin e zgjedhjeve. Sigurisht që PD është parti politike dhe do ngrejë pretendimet e saj politike.

E gjitha kjo na vendos në një situatë paradoksale. A e mbani mend se çfarë ndodhi pas ngjarjes tragjike në Elbasan, kur u mësua se PD kishte ngritur një strukturë për mbrojtjen e votës, e cila më së shumti ishte një strukturë për transparencën e krimit zgjedhor. Koha tregoi menjëherë se PD kishte të drejtë pasi policia e thirrur për të dokumentuar krimin, u zbyth përpara plumbave të krimit, kurse prokuroria u zbyth nga mashtrimet live të Ardi Veliut. Menjëherë pas ngjarjes, të parët që reaguan të alarmuar ishin ambasadorët, që ishin të shqetësuar se PD kishte ngritur struktura paralele. Sipas tyre, shteti nuk duhet të dublohet, pasi ai po funksionon normalisht.

Kurse tani që shtetit i kërkohet të funksionojë normalisht, PD-së i kërkohet të reagojë si një shtet paralel që provon, dokumenton dhe fakton krimet zgjedhore. Së pari, kjo shkon krejt kundër frymës me të cilën janë ngritur këto institucione të drejtësisë për shkeljet zgjedhore, të cilat kanë pasur si qëllim parësor të bëjnë transparencë të plotë për atë që ndodh me procesin zgjedhor. Përndryshe pse duhet të ulemi sërish për të diskutuar ndryshime në Kodin Zgjedhor?

E dyta, kjo histori nuk ka dy zgjidhje. Ose duhet ta lejoni PD-në që të ngrejë shtetin e saj paralel, ku të dokumentojë, faktojë, madje edhe të dënojë krimet zgjedhore, ose të funksiononi si një shtet që ka për qëllim të bëjë drejtësi. Rrugë të mesme nuk ka.

10


Etiketa: , , ,

Pas