Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia, nga Shkodra u shpreh se qeveria nuk e ka numrin e mjaftueshëm të testeve dhe logjistikës (një laborator) për të kryer testimet e nevojshme për të gjurmuar, identifikuar dhe parandaluar përhapjen e koronavirusit në Shkodër, por edhe në qytetet e tjera.
“Ne e kemi ngritur zërin për dy arsyet që besojmë për numrin e ulët të testimeve, mungesa e testeve, që u konfirmua edhe nga deklaratat e ministres por edhe të komisionit të ekspertëve, të cilët nxorën në pah edhe pamundësinë reale, apo mangësinë logjistike për të realizuar testimet e mjaftueshme.
Përfaqësuesi tha se mund të realizojmë nga 200-500 teste, pasi ka vetëm një pajisje në dispozicion. Pra ndërthurje e mungesës së testeve që nuk e kalojnë shifrën 2 mijë por edhe kapaciteteve logjistike. Numri i ulët mund të jetë edhe strategji për të mbajtur numrat e ulët për ta konsideruar një sukses, por është lojë e rrezikshme në kurriz të jetës së qytetarëve.
Thirrjet e opozitës në janar dhe shkurt u konsideruan lajthitje, por po dalin situata reale dhe konkrete dhe duhet të kishin marrë masat, duhet ti kishim paraprirë. Jemi vendi më numrin më të lartë të vdekje në rajon dhe numrin më të ulët të testimeve. Nga momenti moment mund të plasë në cdo qytet tjetër” tha Spahia.