Aktualitet

PD çon të dhënat, Prokuroria kërkon shenjat e gishtave të Valdrin Pjetrit






               Publikuar në : 18:22 - 14/08/19 |
mapo.al

Partia Demokratike i dërgoi prokurorisë të dhënat konkrete që ajo publikoi një ditë më parë për dënimin e Valdrin Pjetrit për trafik droge në Itali. Në një letër të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, vihet në dukje se 13 ditë pas kërkesës së PD për verifikimin e Pjetrit sipas ligjit të dekriminalizimit, nga prokuroria nuk ka patur një reagim institucional të shpejtë.


“Për fat të keq, ky reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit” – thuhet në komunikimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD me Prokurorinë e Përgjithshme, duke i vënë në dispozicion informacionin që posedon për Valdrin Pjetrin.



“Sipas këtyre të dhënave rezulton se Valdrin Pjetri është i dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim”– shkruan Gazment Bardhi.

Për shkak të vonesës gati dyjavore të prokurorisë, PD i kërkon organit të akuzës që ta informojë atë dhe opinionin publik mbi procedurat e verifikimit që ka nisur dhe rezultatet e deritanishme të këtij verifikimi.

“Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike“, thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.

Ndërkohë, nga ana tjetër mësohet se Prokuroria është vënë në lëvizje tashmë. Burime pranë organit të akuzës bëjnë të ditur se Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar shenjat e gishtave të Valdrin Pjetrit, përmes një shkrese drejtuar Ministrisë së Brendshme.

Verifikimi nisi nga Drejtoria e Dekriminalizimit menjëherë pas shkresës së Partisë Demokratike që fillimisht kërkoi konfirmim nëse Pjetri është dënuar dhe dëbuar nga Italia. Shenjat e gishtërinjve janë mekanizmi themelor në ligj që vë në lëvizje procesin e dekriminalizimit. Pasi ato kërkohen nga Prokuroria dhe sigurohen nga Ministria e Brendshme, është Ministria e Drejtësisë e cila i dërgon shenjat në Itali, në këtë rast, për të verifikuar nëse Pjetri rezulton i dënuar me 18 muaj burg për trafik droge, sipas dokumenteve që publikoi Partia Demokratike nga Kuestura e Firences të martën.

A është Valdrin Pjetri i vetmi i zgjedhur vendor në bashki apo këshilla, subjekt i mundshëm i dekriminalizimit? Këtë gjë partitë politike kanë pasur në dorë ta verifikojnë vullnetarisht para 30 qershorit, pasi ligji ua jep të drejtën e kërkesës në Prokurori për verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve të tyre.

Por organi i akuzës bën të ditur se asnjë subjekt politik apo kryetar partie nuk ka kërkuar verifikim të kandidatëve. Ekziston edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Drejtorisë se Dekriminalizimit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e firmosur disa muaj para zgjedhjeve lokale, por sërish para 30 qershorit nuk pati asnjë rast konkret.

Ndërkohë pas 30 qershorit burimet konfirmuan se janë paraqitur kërkesa vetëm për 7 këshilltarë bashkiakë. Ndërsa për kryebashkiakë është vetëm ajo e Partisë Demokratike për Valdrin Pjetrin e Shkodrës për të cilën Prokuroria ka nisur verifikim.

LEXO EDHE:

Basha: Për Valdrinin, Rama i gatshëm të çonte Shkodrën në përplasje

Valdrin Pjetri dhe Altin Doda djemtë e baballarëve të pushtetshëm

’30 qershori’ i Ramës bie në Shkodër


Etiketa: , , ,

Pas