Partia Demokratike i ka bërë thirrje SPAK që të hetojë tenderat e dhëna nga Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë periudhës së pandemisë dhe jo vetëm.
Koordinatori i PD për Shëndetësinë, Gazmend Koduzi, ka deklaruar se tenderat korruptive po pamundësojnë gjithnjë e më shumë shërbimin ndaj qytetarëve dhe po i varfërojnë ata.
Duke u bazuar te një raport i Organizatës “Together for Life”, Koduzi deklaroi se mbi 55% e tenderave të zhvilluara prej 2016-s kishin vetëm një operator pjesëmarrës në garë.
“Mbi 55% e tenderëve të zhvilluar nga viti 2016 deri në dhjetor të vitit 2021 në shëndetësi kishin vetëm një operator pjesëmarrës në garë. Edhe aty ku u përdor garë e hapur ajo nuk ishte reale pasi kriteret u përpiluan për të favorizuar kompanitë e lidhura me autoritetin kontraktor. Që nga fillimi i pandemisë autoritet shëndetësore zhvilluan 198 procedura prokurimi mbi përballimin e Covid-19 me vlerë mbi 35 milionë euro. Gjysma e tyre, u bënë vetëm me një operator konkurrues, të cilët përfituan në fondin limit. Nga marsi 2020 deri në maj 2021, institucionet e shëndetësisë kontraktuan 60 kompani për furnizime me materiale, që kishin lidhje me pandeminë, nga të cilat 11 kompani, ishin sekrete, procedurë e cila i mundëson qeverisë të mos bëjë transparencë e parave e të fshehë abuzimin. Në raport veçohet prokurimi i drejtpërdrejtë për blerjen e 54 respiratorëve me 1.1 milionë euro, nga të cilat një kompani fituese e kontratës sekrete solli vetëm 5 respiratorë”, deklaroi Koduzi.