Partia Demokratike vazhdoi akuzat ndaj deputetit socialist, Alket Hyseni.
Ky i fundit është akuzuar se ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 11 mijë metra katrorë në Dhërmi.
Këtë herë nga selia e PD foli Sekretari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Ervin Salianji.
“Ish-doganieri Alket Hyseni, sot deputet i Partisë Socialiste, nuk është marrë akoma nën hetim nga Prokuroria për akuzën e rëndë të grabitjes së 11 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi.
Vetë Alket Hyseni, i besuari i Edi Ramës për të verifikuar tjetërsimin e pronave në Bregun e Jugut nga viti 2014 deri në vitin 2016, nuk ka dhënë asnjë shpjegim sesi u bë pronar i një prone, transaksioni për të cilën ishte ndaluar me vendim nga Gjykata e Vlorës.
Alket Hyseni duhet t’i përgjigjet pyetjes sesi ia doli të bëjë kaq shumë pasuri në një kohë kaq të shkurtër.
Heshtja nuk e ndihmon dot as Alket Hysenin dhe as Edi Ramën të fshehin këtë grabitje për llogari të mikut të kryeministrit, Gon Papuli.
Skema është e qartë. Alket Hyseni e ka siguruar pronën nga një i arrestuar vitin e kaluar për falsifikimin e dokumenteve, në kohën kur Hyseni drejtonte Task-forcën për pronat e Bregut në Jug. Pra, Alket Hyseni e dinte konfliktin për këtë pronë, por sërish e bleu pronën e tjetërsuar me dokumenta të fallsifikuar për më shumë se 200 milionë lekë. Më pas pronën ia kaloi një firme, që siç rezulton nga dokumentat është e babait të tij. Por që skema të përfundonte me sukses dhe toka bujqësore te mos mbillej me ullinj, por me beton, Edi Rama i dha mikut të tij Gon Papuli leje për të ndërtuar në tokën e grabitur prej ish shefit të task forcës. Përfitues nga ndërtimi do të jenë me letra Gon Papuli dhe Alket Hyseni.
Rasti i grabitjes së pronave nga peshku i madh Alket Hyseni, me dijeni të Edi Ramës, është treguesi më i qartë i përdorimit të dy standardeve nga kryeministri që bërtet për drejtësi,” tha Salianji.