Nga landfilli i Sharrës ku katër vite më parë ndërroi jetë 17-vjeçari, Ardit Gjoklaj, Partia Demokratike ka vijuar denoncimet për inceneratorët.
Edhe pas 4 vitesh nuk ka asnjë përgjegjës për vdekjen e tij, thotë Këlliçi. Sipas tij, 11 milionë euro i vidhen shqiptarëve përmes inceneratorit të Tiranës, ndërkohë që qeveria vjedh buxhetin e shtetit, të rinjtë largohen nga Shqipëria ose humbin vendin e punës.
“Kemi ardhur, sot sërish, këtu në një skenë krimi në Landfillin e Sharrës që çdo vit i gllabëron përmes inceneratorit të Tiranës dhe mafies së plehrave, drejtuar nga Edi Rama, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj, element të Ndraghet-ës dhe bandës së Lushnjës, çdo vit i gllabëron taksapaguesve të kryeqytetit plotë 11 milionë euro përmes parajsave fiskale.
Jemi këtu në një skenë krimi ku, gjithashtu, të gjithë të rinjtë e dinë se 4 vite më parë, i riu 17-vjeçar, Ardit Gjoklaj, i cili vinte këtu për të punuar në Landfillin e Sharrës për të blerë libra dhe për të blerë uniformën e shkollës, ka humbur jetën.
Sot, 4 vite më pas nuk kemi asnjë person përgjegjës për humbjen e jetës së këtij të riu. Nëse Erion Veliaj mendon se qytetarët e kanë harruar vdekjen e Ardit Gjoklajt e ka shumë gabim. Ne do të jemi këtu për të thënë disa të vërteta shumë të mëdha. Do të jemi çdo ditë e më shumë në denoncim dhe në çmontimin e propagandës dhe farsës së kryeministrit Edi Rama, por mbi të gjitha të Erion Veliajt”, u shpreh Këlliçi.
Kreu i FRPD akuzon kryeministrin Edi Rama, kryebashkiakun Erion Veliaj dhe ministrin Arben Ahmetaj se janë të lidhur me bandën e Lushnjës dhe Ndragheta-n në këtë aferë po gllabëron taksapaguesit shqiptarë.
“Do të jemi këtu për t’i kujtuar çdo ditë qytetarëve se si kjo aferë po gllabëron më shumë se 400 milionë euro nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë për 30 vitet e ardhshme. Ky mal me plehra që ju shihni në sfond, që në videot 3D të Edi Ramës apo të Erjon Veliajt nuk e shihni kurrë, këto plehra që janë këtu në rrugë, plehra që janë përreth ambientit të Landfillit, janë realiteti i sotëm dhe jo videot 3D që ju shfaq kryeministri. Ne do të vijojmë denoncimin tonë për këtë mega-aferë që edhe para dy javësh i ka kushtuar taksapaguesve plot 2 milionë euro. Elementet e bandës së Lushnjës, të Ndraghet-as me në krye Edi Ramën, Erion Veliajn dhe Arben Ahmetajn, kjo mafie e plehrave, ky grup i strukturuar kriminal tashmë i kallëzuar në SPAK, prioritetin e tyre tashmë kanë inceneratorët, kanë grabitjen e qytetarëve dhe fondet i çojnë për plehrat”.
Sipas Këlliçit, i vetmi synim i qeverisë është vjedhja e taksave dhe buxhetit të shtetit dhe nuk ka ansjë plan për ndalimin e rrjedhjes së trurit.
“Çështja e prioriteteve është e ndarë për këtë qeveri, vjedhja e buxhetit të shtetit, vjedhja e taksave dhe dedikimi i këtyre taksave për afera korruptive dhe koncesione ndërkohë që të gjithë të rinjtë pyesin veten pse 120 mijë të rinj kanë lënë Shqipërinë në këto 7 vite? Pse 20 mijë të rinj humbën vendet e tyre të punës gjatë pandemisë. Pse nuk ka ende asnjë plan për të ndaluar rrjedhjen e trurit dhe emigrimin masiv të të rinjve”.
Por thotë Këlliçi fundi i tyre po vjen, dhe në 25 prill të gjithë do të kemi mundësinë të bëjmë ndryshimin e madh, duke e larguar këtë qeveri.