Ndërsa zgjedhjet janë ende larg dhe PD ende shpreson se referendumet kundër ndarjes territoriale mund të bëhen; fokusi politik mbetet tek debate parlamentare e veçanërisht tek dekriminalizimi.
Nënkryetari i Kuvendit Edmond Spaho, i cili është njëherësh edhe nënkryetar i Partisë Demokratike sqaron për Vizion Plus se 2 komisionet hetimore për serverin e tatimeve dhe emërimet ne administrate dhe dy komisionet e posaçme për dekriminalizimin dhe zbatimin e vendimeve te Gjykatës Kushtetuese janë çështjet më të rëndësishme për opozitën në këtë sesion të ri të Kuvendit.
Sipas Spahos demokratet prioritet kanë dekriminalizimin veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale për të shmangur personat me rekorde kriminale të garojnë në këto zgjedhje e për këtë janë të gatshëm të ndërhyjnë edhe në Kushtetute.
“Kjo është një çështje shumë e rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe të gjitha opsionet mbeten të hapura që të mund të realizohet qëllimi i cili është t’i prihet rruga këtij kontingjenti për të ardhur në nivelet e larta të drejtimit si Kuvendi apo në qeverisje, pavarësisht në qeverisje vendore apo në qeverisjen qëndrore”, thekson Edmond Spaho.
Por ndërsa PD ka përzgjedhur emrat që do të jenë pjesë e Komisioneve Hetimore apo atyre të Posaçme ende nuk ka caktuar deputetët që do të marrin pjesë në komisionin për reformën në drejtësi i cili ka prioritet për maxhorancen.
Megjithatë Spaho sqaron se PD mbështet reformën ne drejtësi, por pas ligjeve të miratuara në mënyrë të njëanshme nga shumica qeverisëse kërkon që kjo e fundit të tregoje vullnet për reforma konsensuale.
“Për fat të keq deri tani kemi parë veprime të njëanshme të maxhorancës siç është p.sh prekja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, po kështu ligji për Gjykatën e Lartë të cilin e ka kthyer Presidenti.
Në këtë kuadër në edhe njëherë e kemi shprehur vullnetin tonë që dëshirojmë të bëhemi pjesë e reformës në drejtësi dhe i kemi kërkuar maxhorancës që dy ligje, atë për Gjykatën e Lartë dhe atë për pushtetin vendor të shikohen në kontekstin e rezolutës që miratuam”, nënvizon Spaho gjatë intervistës së tij për Vizion Plus.
Të hënën (nesër) në orën 17:00 nis punimet sesioni i ri i parlamentit, punime që do të ndikohen edhe nga debate për zgjedhjet lokale i cili tashme ka nisur.