Kryesore

PD, Noka: Kush e anuloi sot urdhrin e arrestimit të Dakos?





               Publikuar në : 17:58 - 24/10/18 |
mapo.al

Partia Demokratike ka akuzuar pasditen e sotme Prokurorinë e Krimeve të Rënda, se ka anuluar urdhër-arrestin për kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, i cili po përflitet ditët e fundit në media si i implikuar në lidhje me botën e krimit.


Në një konferencë për mediat, deputeti i PD-së, Flamur Noka, është shprehur se, sot është urdhëruar anulimi i arrestimit të Vangjush Dakos.



Sipas Ndokës, sot në mesditë do të arrestohej kryebashkiaku i Durrësit, por ndërhyrjet e fuqishme politike kanë bërë që të anulohej urdhëri.


Sipas tij, “ka të paktën 24 orë që fletë arresti për Vangjush Dakon është prerë, por ekzekutimi i tij është bllokuar. Prokuroria duhet t’u thotë shqiptarëve pse dhe kush po ndalon arrestimin e ‘xhuxhit’ në bazë të përgjimeve të dosjes 339. Vangjush Dako është peshku i madh i dosjës 339 dhe këtë të vërtetë askush nuk mund ta zhbëjë”.

Ja deklarata e plotë e deputetit të PD-së, Flamur Noka:

“Me një prokurori që nuk do të ishte nën urdhrat politikë të Edi Ramës, sot, Vangjush Dako duhet të ishte në burg. Kyetari i Bashkisë së Durrësit është pjesë e dosjes me numër 339, njësoj si miqtë e tij kriminelë – trafikantë droge apo si dy ish-deputetët e Partisë Socialiste, që sot janë prapa hekurave për të shpëtuar më të rëndësishmin e dosjes 339, Vangjush Dakon. Ka të paktën 24 orë që fletë arresti për Vangjush Dakon është prerë, por ekzekutimi i tij është bllokuar.

Prokuroria duhet t’u japë shqiptarëve dy përgjigje të thjeshta:

• Pse është kthyer mbrapsht urdhri për arrestimin e Vangjush Dakos sot në mesditë?

• Kush po ndërhyn që Vangush Dako, “xhuxhi”, siç e quajnë kriminelët e tij, të mos arrestohet në bazë të përgjimeve të dosjes 339?

Kryetari i Bashkisë së Durrësit është peshku i madh i dosjes 339 dhe përpjekjet për të shpëtuar Vangjush Dakon janë të pashpresa! Askush nuk duhet të guxojë të prishë provat e përgjimit të Vangjush Dakos me kriminelët më të rrezikshëm të Durrësit!

Çdo përpjekje për prishjen e provave, për zhdukjen e përgjimit apo për fshirjen e faqeve të transkriptuara të Vangjush Dakos me kriminelët është krim i rëndë, që paguhet me burg të gjatë.

Askush nuk mund ta zhbëjë të vërtetën se kriminelët e Durrësit e të Shijakut kanë blerë vota për pushtetin e Vangjush Dakos dhe Edi Ramës dhe, si shpërblim, kanë marrë leje ndërtimi dhe tendera miliona eurosh.

Këtë fakt e denoncoi një vit më parë Lulzim Basha. Për këtë fakt, e paditi për shpifje Vangjush Dako. Me këtë fakt, me dosjen me numër 339, Lulzim Basha fitoi gjyqin. Paditë shterpë kundër opozitës dhe propaganda e lodhur se gjoja po luftohet krimi, pa arrestuar asnjë bos të krimit, janë në funksion të mbulimit të së vërtetës: se Edi Rama është peng i krimit të organizuar, i cili po qeveris dhe po pasurohet bashkë me Edi Ramën!”


Etiketa: , , ,

Pas