Aktualitet

PD nuk është produkt i një individi, përkundrazi!














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:11 - 01/10/21 |
Armand Maho

Askush nuk ka dyshime se lëvizja e doktor Berishës, i duhej prej kohësh PD-së. Ndoshta mund të jetë e vonuar, mund të bëhet për arsye personale, siç preferojnë ta quajnë kundërshtarët e foltores, por askush nuk e kundërshton faktin se një shkundje ishte e domosdoshme.






Përgjumja në të cilën e ka vendosur kryetari aktual me humbjet e njëpasnjëshme, me aksione të lëna përgjysëm, me nënshtrim pa kushte ndaj pushtetit rrezikon ta kthejë në një parti të përjetshme opozitare pa asnjë ambicie për të marrë pushtetin. Sot ajo rrezikon përçarjen, dhe parisë së saj t’i tretet fuqia dhe t’i mbesë vetëm vula. Dhe kryetar i një partie të tillë nuk i duhet as amerikanëve apo jo.


PD tani e ka një shans. Kush e ka harruar, apo ata që s’kishin lindur ende, duhet ta dinë se ajo lindi si parti e lirisë, nga të gjithë qytetarët, dhe jo vetëm nga një grusht studentësh. Të ishte vetëm për ata të rinj që ndezën revoltat asokohe, pushteti i Ramiz Alisë e kish shumë të lehtë. PD u ngrit mbi gjakun dhe sakrificat e qindra mijëra të përndjekurve në burgje e internime. Mbi sakrificat varfërinë dhe represionin e padurueshëm të qindra mijëra të tjerëve që jetonin me ankthin e burgosjes. U ngrit mbi parimet e të djathtës, të konkurrencës së lirë dhe mundësisë për karrierë në kushtet që ia mundëson sistemi. Sepse natyrisht individët s’mund të jenë të barabartë mes tyre por e drejta e ecjes përpara duhet t’i jepet gjithsekujt. Dhe këtë e garanton vota e lirë.







Kur themi se PD sot e ka një shans e kemi pikërisht fjalën, se duhet të rinovohet dhe të shohë përpara. Përplasja që ka lindur, është mëse normale në një parti e cila ka humbur katër zgjedhje rresht me një elektorat që si shumica e popullsisë është përfshirë nga depresioni i keqeverisjes. Basha nuk mundi ta kanalizojë këtë pakënaqësi. PD duhet të ishte shpresë për shqiptarët dhe vazhdon të jetë, por kjo nuk po konkretizohet me produktin final që është pushteti.




Natyrisht ka pasur manipulime, por edhe veprimet e drejtuesve të saj nuk qenë për t’u admiruar, përkundrazi. Një kryetar partie që të marrë pushtetin duhet që kandidati i saj për kryeministër të bindë dhe Basha nuk ia arriti kësaj. Edhe po të biem dakord se shumë vendime ia diktonte doktori, sërish s’mund të pranohet gjuha e squllët që u përdor në fushatë, apo personalizimin që ai i bëri asaj. Sot mund të jenë pak ose apsak ata qytetarë që mund të mbajnë mend ndonjë fjalë apo mesazh nga pretendenti për kryeministër në zgjedhjet e fundit.



Të gjithë duhet ta kenë të qartë se qoftë Basha qoftë Berisha janë produkte të PD-së, dhe jo e kundërta. Ata janë individë, që kanë bërë sa kanë mundur, por dhe kanë marrë jo pak prej saj. Në rast se shumë prej aktivistëve mbështesin doktorin këtë e bëjnë këtë se kanë humbur çdo shpresë se kryetari aktual mund t’i sjellë në pushtet. Si provë e kësaj mund të jenë zgjedhjet e ardhshme lokale, në të cilat PD po shkon pa asnjë strategji. Ndërsa ata që mbështesin kryetarin aktual, në më të shumtën e rasteve duan të ruajnë status quo-në brenda siglës së partisë, disa për sedër e disa me mendimin se vala do shuhet për shkak të vulës që mban kryetari në xhep.

Lexo edhe :  Salianji: Këtë javë depozitojmë kërkesat për 3 Komisione Hetimore

E megjithatë vihet re jo pak vështirësia në artikulimin që i bëjnë avokatisë së kryetarit studio më studio televizive duke marrë jo pak ngarkesë negative. Kjo sepse një kryetar provohet në zgjedhje apo aksione e kauza politike dhe Basha në këtë pikë ka kuotat më të ulëta që mund të ketë një politikan.

Por sërish nga ana e tij dhe zoti Berisha nuk është i qartë në atë që kërkon të arrijë me “foltoren”, pavarësisht se duhet pranuar se shpresa është kthyer jo pak tek shumë mbështetës të PD-së, që janë dhe mbështetës të tij. Me eksperiencën që doktori e di fort mirë se pavarësisht atij vendimi skandaloz që u mor nga DASH, me ndërhyrjen qartazi të lobimeve pranë Ramës, sërish amerikanët nuk do tërhiqen nga e vetja, dhe kjo natyrisht është një pengesë jo e vogël për partinë në të cilën ai aderon që prej themelimit.

Ndaj ajo çka lipset në këtë moment është hapja e PD-së dhe një rikthim tek idealet për të cilat ajo u krijua. Kjo nuk bëhet duke parcelizuar militantët dhe bazën, por duke i bashkuar dhe kanalizuar forcat drejt një qëllimi të përbashkët, ku së pari vjen riorganizimi dhe më pas strategjia drejt pushtetit.

Domosdoshmërisht ka lindur nevoja e një garë të hapur për zgjedhjen e strukturave dhe kryetarin, përndryshe i gjithë ky aksion politik do jetë i kotë. Zgjedhjet absolutisht s’duhet të jenë si ato të qershor-korrikut ku Basha kandidonte nga zyra dhe kishte ende mbështetjen e doktorit. As si ajo e 2017-ës në lojën ngriva-shkriva. Ndoshta ka ardhur koha që ajo parti të drejtohet nga dikush që e ndjen vërtet të djathtën. Të asaj të djathte që është burgosur për bindjet pro-amerikane dhe shtetin e së drejtës e të lirisë.

Është e papranueshme që SHBA-të sot të mbajnë krahun e pasardhësve të diktaturës. Kjo duhet të marrë fund. Prandaj gara brenda PD duhet të jetë pa kulisa dhe lobingje, por e bazuar në debat dhe alternativë, në përballje kandidatësh e vlerash, familjare dhe individuale para bazës. Në rast se ndodh kjo, ajo parti mund të gjenerojë energji të pafundme. Qoftë Basha qoftë Berisha ia kanë kaq borxh PD-së. Sepse është provuar tashmë.

Në rast se të majtët mblidhen pas parisë ose të parit, (mentalitet që i vjen dhe nga 45 vite diktaturë, pasi ka jo pak nostaligjikë të saj) pavarësisht se kjo pari i fut thikën në ashtë popullit, të djathtët dhe pjesa e shëndoshë e shoqërisë më së shumti mblidhen pas vlerave, dhe se kanë për gjë të të lenë targën në rast se humbasin besimin. Zemërthyer ata nuk vijnë të votojnë.

Kështu ndodhi në 2013-ën, kështu ndodhi në 2015-ën, në 2017-ën, kështu ndodhi pjesërisht dhe në 2021, madje kështu ka ndodhur në historinë e 30 vjetëve. Dhe padiskutim këta janë shumica.

9


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas