Deputeti demokrat, Eduard Halimi tha dje se opozita ka gati një paketë ndryshimesh ligjore, që do të synojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë
Partia Demokratike ka gati paketën e saj të propozimeve për reformën në drejtësi. Por çfarë synojnë këto propozime? Deputeti demokrat, Eduard Halimi sqaron hollësisht në një intervistë për “Ora News”. “Sistemi i drejtësisë duhet të dalë nga statusquoja dhe qëllimi kryesor i reformës duhet të jetë lufta ndaj korrupsionit në sistemin gjyqësor, si dhe mbajtja larg nga kapja e sistemit gjyqësor. Ka patur propozime konkrete për ndryshimet kushtetuese përsa i përket funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të ndryshojë në funksionin e vet. Ne sot kemi dy inspektorate, inspektoratin në Ministrinë e Drejtësisë dhe inspektorat në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Propozimi i Partisë Demokratike është ngritja e vetëm një inspektorati, i cili duhet të jetë larg qeverisë, që qeveria të mos ketë mundësi t’iu bëjë presion gjyqtarëve. Ky inspektorat duhet të jetë i fuqishëm. Duhet të kemi një inspektorat jo me 10, por me 30 apo 40 inspektorë të mirëformuar, të mirëpaguar, të cilët të analizojnë dosjet e 340 gjyqtarëve dhe t’u japin qytetarëve shqiptarë panoramën se sa nga këta 340 gjyqtarë janë të ndershëm dhe sa nga këta janë të korruptuar. Pastaj do të ketë përsëri një reformë kushtetuese edhe për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sepse anëtarët e tij duhet të funksionojnë me kohë të plotë në mënyrë që të bëhen mbledhje të shpeshta”, – thekson Halimi. Sipas tij, materiali që do të përgatitet nga inspektorati për kontrollin e gjyqtarëve, duhet që të përpunohet, të analizohet dhe qytetarët të shohin nëse u bë kontrolli në gjykatën x, në gjykatën e Tiranës në të cilën ka 100 gjyqtarë, të dinë që nga këta 100 gjyqtarë, sa janë x gjyqtarë të ndershëm apo x gjyqtarë me probleme… Në qoftë se janë 370 gjyqtarë të cilët duhet të kontrollohen, të përgatisin dosjet për të gjithë ata që shkruajnë dosjen, që shkruajnë vetëm për një person që është anëtar i kabinetit qeveritar kushdo qoftë ai, atëherë puna ngadalësohet dhe nuk arrijmë në atë rezultat për të cilin kanë nevojë të dinë qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Dhe mos ta ketë vetëm ministri, por ta kenë dhe institucione të tjera. Ta ketë Prokurori i Përgjithshëm, sepse Prokurori i Përgjithshëm merret çdo ditë me procese. Qeveria nuk ka pse ta ketë, sepse ka një përfaqësues të vetin, por ta ketë kryetari i gjykatës, ta kenë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ta ketë kryeinspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pra një numër i lartë instrumentesh të cilët të bëjnë pastrimin e sistemit”, tha ai. Demokratët kërkojnë gjithashtu heqjen e ekskluzivitetit të ministrit të Drejtësisë, për nisjen e procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve. “Partia Demokratike e ka një strategji ndërmjet ekspertëve… Shpresojmë që të gjejmë konsensusin për ta implementuar këtë siç është edhe pjesa e largimit nga procesi i shqyrtimit të masave disiplinore i ministrit, ashtu si edhe Presidentit të Republikës. Ne kemi një sistem të tillë politik në të cilin Ministri është pjesë e shqyrtimit të kërkesave për procedimin disiplinor, ashtu është dhe Presidenti. Partia Demokratike ka propozuar që të ketë ndryshime në Kushtetutë, që në funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjatë shqyrtimit të masave, të mos jetë as Kryeministri dhe as Presidenti i Republikës, siç nuk duhet të jetë as Ministri dhe as Presidenti në momentin e vendimmarrjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë për emërimin e gjyqtarëve dhe për promovimin e gjyqtarëve, sepse Presidenti ka aktin e dekretit dhe s’ka pse të jetë edhe te dekretimi, edhe te pjesa e diskutimit. Në qoftë se Presidenti nuk bie dakord mund të procedojë me mosdekretim, siç ka ndodhur kohë më parë me presidentë të mëparshëm”, – tha ai.