Ish-drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Alket Hyseni, sot deputet i PS ishte i ftuar në studion e Report Tv, ku foli për 3.4 mln eurot e kapura dy ditë më parë në Durrës. Ai u shpreh se grupet kriminale në vende të ndryshme në Europë tentojnë që të pastrojnë paratë në Shqipëri përmes investimeve dhe blerjes së pronave të paluajtshme.
“Kjo është skemë e mirëfilltë e grupeve kriminale. Janë monitoruar disa grupe kriminale në Angli, por edhe në vende të tjera, ndërsa përpiqen që të pastrojnë paratë në Shqipëri. Në katër vite janë bllokuar aseste kriminale 10 herë më shumë. Institucioni që kam drejtuar, më pak se 8 muaj ka pasur rezultatet shumë të mirë, ka qenë bllokuar 36 mln euro asete, katër herë më shumë nga krijimi i këtij institucioni”, tha ai.
Po ku do të shkojnë 3.4 mln eurot e sekuestruara nëse në fund të procesit do të vërtetohet se janë nga bota a krimit?
“Ato përbëjnë elementin e provës, do të mbahen të sekuestruara, në fund do të konfiskohen dhe do të kalojnë për të mira publike. Asetet vihen pastaj në dispozicion të nevojave publike, mund të përdoren për bërjen e rrugëve, ujësjellësave apo veprave të tjera”, – tha ai.
Hyseni kërkoi gjithashtu që Basha të hetohet dhe dënohet për dekonspirimin e operacionit të sekuestrimit të shumës rekord. “…Ka elementë të sabotimit të kësaj lufte, ndërhyrja e Bashës është e pastër kriminale, dekonspiroi operacionin e partnerëve me strukturat shqiptare. Ka njerëz të papërgjegjshëm që dekonspiruan operacionin. Autorët morën informacionin dhe u fshehën. Vënia në dijeni mund të ketë lidhje me implikimin e liderit të opozitës me këta elementë. Dy janë qëllimet; ose Basha nga sikleti që iu kap miqve të tij drejtoi gishtin diku tjetër për të humbur gjurmët, ose ngaqë nuk po i ecin për të bllokuar negociatat, tani përmes këtyre mënyrave ‘alla Babale’, por edhe me metoda të specifikuara lobimi, për të baltosur Shqipërinë’.