Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se kanë prishur çdo urë komunikimi, teksa gjatë seancës së sotme demokratët, ish-aleaten e saj, nuk i konsideron as si pjesë të opozitës.
Në fillim të seancës, Partia Socialistë i ka bërë thirrje demokratëve që të rishikojnë numrat e anëtarëve të sajë në Komisionet Parlamentare në mënyrë të dhe LSI të përfaqësohet në to.
LSI ka paraqitur sot kërkesat e tre deputetëve të saj për t’u bërë pjesë e tre komisioneve, por kjo sipas demokratëve është tentativë për të kufizuar përfaqësimin e opozitës.
Sipas Ballës, PD duhet të korrigjojë gabimin me shpërndarjen e deputetëve të sajë, duke i lënë hapësira LSI-së dhe PSD-së.
“Kërkova fjalën për procedurë dhe mendoj që grupi parlamentar i Partisë Demokratike ose ka reflektuar ose do të reflektojë në lidhje me shpërndarjen e deputetëve në grupet parlamentare. Për të ruajtur këtë balancë do t’i kërkoja grupit parlamentar të Partisë Demokratike që të rregullojë këtë gabim dhe në seancën pasardhëse çdo deputet të jetë pjesë e vetëm një komisioni. PS i vetmi grup parlamentar që është në këtë shumicë, të tjerët janë në opozitë.
Për të ruajtur këtë balancë do i kërkoja që grupit të PD të ndreqi ndonjë gabim ku ndonjë deputet është vendosur në më shumë se dy komisione. Deputetët e regjistruar si deputetë të pavarur, 4 deputetët që përfaqësojnë LSI apo PSD dhe ata të depozitojnë brenda kohës së përcaktuar propozimet për komisionet parlamentare. E fundit dua ta falenderoj opozitën për dakordësinë që patëm dje për të vijuar ditën e sotme me këtë seancë ku do të prezantohet programi politik” – tha Balla.
Nënkryetari i Kuvendit, Enkelejd Alibeaj ka theksuar se Partia Demokratike i ka paraqitur propozimet e saj, ndaj ka kërkuar që PS të merret vesh me LSI-në dhe PSD-së, duke thumbuar se “kjo është çështje nëse s’ju s’gjeni gjuhën e përbashkët”.
“Një nga kërkesat që kishim dje, ishte që programi i qeverisë ai që do diskutohet sot, që është i panjohur për deputetët, do të duhet të kishte një minimum kohe sa të njiheshin deputetët. Sa i përket kërkesës për përbërjen e komisioneve, kemi paraqitur kërkesën dje.
Është bërë shpërndarja e deputetëve. Nëse keni dëshirë për të kufizuar anëtarësinë e opozitës, për t’i hequr numrat e opozitës, kjo është çështje që nuk ka për të ecur. Deputetët tanë janë këta, janë të shpërndarë në komisionet përkatëse. Është çështje tjetër nëse nuk gjeni gjuhën e përbashkët me njeri-tjetrin. Ne kemi paraqitur kërkesën. Mos i bini në qafë opozitës” – tha Alibeaj.