Në listën e parë të kandidatëve zyrtarë, PD-ja përfshin kandidatë që aktualisht janë kryetarë komunash, apo edhe drejtues të degëve të PD-së. Partia Demokratike shpall emrat e parë zyrtarë për garën e zgjedhjeve lokale. Nga bashkitë e mëdha, vetëm Elbasani dhe Gjirokastra janë zyrtarizuar me kandidatë.
Partia Demokratike ka zyrtarizuar 20 emra kandidatësh, ku vetëm tre janë bashki të nivelit të parë; Elbasani, Lushnja dhe Gjirokastra. Bashkitë e tjera kryesore pritet që të mbyllen këtë javë, ndërkohë që bisedimet me aleatët pritet të kenë një rezultat konkret brenda dy ditësh. Lista e kandidatëve zyrtarë nis me bashkinë e Peqinit, ku në emër të PD-së kandidon Albert Kreci, aktualisht kreu i komunës Pajovë.
Për bashkinë Ura Vajgurore kandidon Bujar Hoxha, në Patos Luan Mustafaj (aktualisht kreu i PD-së së Patosit), Tropojë Besnik Dushaj, Roskovec, Gëzim Çaushi, Delvinë, Dhurim Alinani, në Kamëz kandidon Xhelal Mziu, në Elbasan deputeti demokrat Ardian Turku, në Malësinë e Madhe, Anton Kola, në Pukë Rrok Doda, në Gjirokastër, Igli Kokalari, Libohovë Altin Çomo, Gramsh Kodhel Cala, Burrel, Nezir Rizvani, në bashkinë Klos, Basir Çupa, Divjakë Irakli Goreja, ndërsa në Belsh, Asqeri Kuqja.
PD ka zyrtarizuar edhe kandidatin për bashkinë e Lushnjës.
Ai do të jetë Darien Xhindoli.
Më vonë PD zyrtarizoi kandidatët për Përrenjasin- Bajazit Karriqi dhe për Maliqin, Xhevdet Belishta.
Ndërkohë, gara pritet të jetë interesante për bashkitë kryesore në vend, duke filluar nga kryeqyteti ku kandidojnë disa figura të Partisë Demokratike. Paraprakisht nga baza demokrate e Tiranës rezulton të jetë më i votuar mjeku i njohur, Halim Kosova, edhe pse ky i fundit nuk e ka thënë ende fjalën e tij përfundimtare nëse do t’i përfshihet një impenjimi të tillë. Edhe Durrësi ndodhet në një situatë delikate për vetë faktin se në lojë janë përfshirë edhe republikanët, të nxitur në fakt nga një propozim i hershëm i Lulzim Bashës për të garuar deputetin republikan, Agron Duka.
Në anën tjetër, vetë demokratët pretendojnë që të përfaqësohen me kandidatin e tyre në këtë bashki, sa kohë që shanset për të fituar janë sa për PS-në aq edhe për PD-në. Elbasani ka marrë zgjidhje përfundimtare me futjen në lojë të deputetit demokrat, Ardian Turku, i cili synon që të kthehet për herë të dytë në karrigen e kryetarit të bashkisë pas 12 vitesh.
Si Turku ashtu edhe kandidati i PS-së, aktualisht kryetar i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, ishin bashkë në urimin e djeshëm për Pashkët ortodokse duke shtrënguar edhe duart, një shenjë kjo e mirë që paralajmëron një fushatë qytetare mes tyre për bashkinë e Elbasanit. Fieri mbetet një bashki problematike për gjetjen e emrit të duhur, ndërsa Vlora pritet që të jetë në përfundim të negociatave ku gara është rivalizuar mes Genci Deromemajt dhe Gjergji Nikës.
Lezha është një tjetër bashki me diskutime të mëdha me përfshirjen në garë të Salvador Kaçajt, aktualisht kryetar i komunës së Shëngjinit dhe përballjen e tij brenda opozitës me Fran Frrokajn. Në Shkodër bisedimet janë përqendruar mes emrit të Sokol Ramadanit dhe deputetes aktuale të këtij qarku, Voltana Ademi.
Kjo e fundit ka shprehur dëshirën për të kandiduar për postin e kryetares së bashkisë. Nëse kjo ndodh, atëherë për bashkinë e Shkodrës pritet që të kemi një përballje interesante zonjash mes saj dhe Keti Bazhdarit të propozuar nga PS-ja. Edhe për bashkinë e Korçës ka diskutime të mëdha, që pritet të kenë zgjidhje pas marrjes së një vendimi përfundimtar mes dy emrave që garojnë nga PD-ja; Andrea Mano, aktualisht kryetar i PD-së së Korçës, dhe Gjergji Mero.
Kandidatët e zyrtarizuar nga PD deri tani
1 Bashkia Peqin kandidon Albert Kreci
2 Bashkia Ura Vajgurore kandidon Bujar Hoxha
3 Bashkia Patos kandidon Luan Mustafaj, aktualisht kreu i PD Patos
4 Bashkia Delvinë kandidon Dhurim Alinani
5 Bashkia Roskovec kandidon Gëzim Caushi
6 Bashkia Tropojë – kandidon Besnik Dushaj
7 Bashkia Vau i Dejës – kandidon Zef Hila
8 Bashkia Kamëz- kandidon Xhelal Mziu
9 Bashkia Elbasan- kandidon Ardian Turku
10 Bashkia Malësi e Madhe- kandidon Anton Koka
11 Bashkia Pukë – kandidon Rrok Doda
12 Bashkia Gjirokastër- kandidon Igli Kokalari
13 Bashkia Libohovë kandidon Altin Çomo
14 Bashkia Gramsh kandidon Kodhel Cala
15 Bashkia Burrel- kandidon Nezir Rizvani
15 Bashkia Klos- kandidon Basir Çupa
16 Bashkia Divjake- kandidon Irakli Gorea
17 Bashkia Belsh-kandidon Asqeri Kuqja
18 Bashkia Lushnje- kandidon Darien Xhindoli
19 Bashkia Përrenjas- kandidon Bajazit Karriqi
20 Bashkia Maliq- kandidon Xhevdet Belishta