Një orë pas takimit të zhvilluar në Hotel “Rogner”, Shpëtim Idrizi dhe Lulzim Basha zyrtarizuan fillimin e një bashkëpunimi të ri mes tyre.
Idrizi tha se nga sot PDIU do të jetë pjesë e opozitës së bashkuar. “Sot patëm një diskutim me zotin Basha për të vlerësuar prioritetet reciproke të programeve tona. PDIU ka qenë në opozitë, sot është pjesë e opozitës së bashkuar. Përballë një mazhorance arrogante dhe braktisjes së shqiptarëve, ne kemi nevojë për një opozitë të fortë”, tha Idrizi pas takimit. Idrizi u pyet edhe për tre deputetët e grupit që nuk i ka më në krah.
“Janë njerëz të rastësishëm sepse ata dolën në siglën e PDIU-së por që ditën e parë votuan mazhorancën…Po t’i pyesësh sot ata nuk dine as ku është selia e partisë…”, shtoi ai
Edhe Lulzim Basha foli për një bashkëpunim të ri në funksion të “çlirimit të Shqipërisë nga bandat”. Basha tha gjithashtu se PD ka qënë dhe mbetet e angazhuar për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë,
Gjatë takimit, Basha shoqërohej nga Albana Vokshi dhe Edmond Spaho. Edhe Idrizi shoqërohej nga Mesila Doda dhe një tjetër zyrtar i PDIU-së. Takimi i tyre është “bekuar” nga një tjetër përfaqësues i jashtëm nga të dy palët
ish Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Riccardo Migliori, i cili u shfaq optimist pas takimit. Ai e krahasoi takimin të bukur njesoj si dita me diell.