Kryesore

PDIU në koalicionin opozitar/ Si e pritën Dule, Shehi e Ndoka






               Publikuar në : 17:36 - 17/09/18 |
mapo.al

Ndërkohë që Vangjel Dule është i shqetësuar për hyrjen e PDIU në koalicionin opozitar, të njëjtin shqetësim me të nuk e ndajnë Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka. Për ta zgjerimi i koalicionit, i shërben kauzës opozitare dhe e bën opozitën më të fortë.


“Kushdo që vjen i bashkohet, sidomos në këtë periudhë, bën një punë të mirë, në kuptimin që zgjeron frontin opozitar, dhe për këtë jam plotësisht dakord”, shprehet Dashamir Shehi.

Ndërsa Nard Ndoka thotë se: “Opozita po e zgjeron harkun e saj opozitar, në këto kushte, edhe ardhja e PDIU i jep një vlerë në aspektin politik, por krijon edhe një frymë pozitive”.

Por a do ta dëmtojë frymën opozitare, prania e një partie, që deri para pak muajsh ishte pjesë e qeverisë? Shehi dhe Ndoka thonë se vendimet për koalicionet janë kompetencë e Bashës dhe rezultati do të tregojë nëse është vendimi i drejtë apo jo.

“Çështja e aleancave është ekskluzivitet i Partisë Demokratike, e z.Basha. Është PD që ka ekskluzivitetin, sigurisht që ka edhe përgjegjësitë, por koha është ajo që do të tregojë nëse ka patur të drejtë apo jo”, thotë Shehi.

“Besoj se çdo parti politike, plus çdo individ, kosto mund të ketë në pjesën morale pragmatiste, është vota ajo që i vlerëson”, shprehet Nard Ndoka.

Në lidhje me marrëdhënien midis PBDNJ dhe PDIU, për Ndokën garant i funksionimit të koalicionit është Lulzim Basha. Kreu i demokristianëve thotë se në shumë raste përplasja midis këtyre dy partive ka qenë thjesht për retorikë dhe propagandë politike.

“Sipas gjykimit tim ka qenë një krizë artificiale, shpeshherë edhe PDIU e ka ngritur atë me tepër në aspektin e propagandës, apo të demagogjisë politike, duke sulmuar një parti politike, do të jetë rruga ndoshta pak më e gjatë, por më e duhura në këtë kontekst. Dhe unë e sot z.Basha sot si garanci të kësaj opozite”, thotë Ndoka.

Partia Demokratike dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet firmosën të dielën marrëveshjen për të bashkëpunuar së bashku në koalicionin opozitar.


Etiketa: , , ,

Pas