Tre deputetë, dy nga e djathta dhe një nga e majta i kanë kujtuar kryeministrit të vendit, se prekja e marrëveshjes dhe ndryshimet e njëanshme rrezikojnë seriozisht integrimin e vendit. I njëjti qëndrim ka ardhur dhe nga komisioneri për zgjerimin, i cili i kujton kryeministrit kushtet e KE në marsin e kaluar
Tre deputetë të Parlamentit Evropian dy të djathtë dhe një e majtë, kanë kërkuar dje nga kryeministri Rama të heqë dorë nga tentativa për shkeljen e marrëveshjes së 5 qershorit, pasi kjo për Shqipërinë do të thoshte pengim i procesit të integrimit Europian të vendit.
Në skenë ka dalë sërish David McAllister, kryetar i Komisionit të Jashtëm nga CDU, njeriu që mundësoi marrëveshjen mes pozitës dhe opozitës në vitin 2017, që së bashku me Isabel Santos të Partisë Socialiste portugeze dhe Manolis Kefalogiannis nga Nea Demokracia greke, kanë lëshuar një deklaratë ku shprehen se Shqipëria në rast se dëshiron të hapë negociatat duhet të përmbushë angazhimet, ku një rëndësi të veçantë merr marrëveshja e 5 qershorit.
“Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. Çdo modifikim i Marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojë realizimin e Konferencës së Parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për rrjedhojë të ngadalësojë procesin e integrimit europian”, shprehen tre eurodeputetët në deklaratën e shpërndarë nga zyra e shtypit të PE-së.
Deklarata
Deklarata më tej vijon se Shqipëria është vërtet një vend sovran (siç u shpreh dhe kryeministri dy ditë më parë), dhe mund të përmirësojë praktikat e zgjedhjeve në përputhje me kontekstin kombëtar dhe konsensusin, por praktikat ndërkombëtare tregojnë se këto ndryshime s’mund të bëhen në mënyrë të njëanshme.
“Çdo vend është i lirë të vendosë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara. Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës. Parlamenti Evropian është i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian dhe është i gatshëm të punojë me Parlamentin shqiptar në lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e konsensusit mbi reformat thelbësore në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjshmërisë (llogaridhënies) së institucioneve që janë të domosdoshme për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, thuhet në tekstin e deklaratës.
Komisioni
E njëjta kërkesë kryeministrit Rama ditën e djeshme i ka ardhur dhe nga zyra e Komisionerit për zgjerimin në Komisionin Europian, Oliver Varhelyi. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, zëdhënësja Anna Pisonero, ka kërkuar që të ruhet marrëveshja e 5 qershorit, si një kusht kyç i vendosur nga Këshilli në muajin mars.
“Është thelbësore që marrëveshja e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore në Shqipëri të ruhet, duke pasur parasysh domosdoshmërinë për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODHIR, një kusht i vendosur nga Këshilli marsin e kaluar para IGC. Çdo ndryshim legjislativ shtesë nuk duhet të rrezikojë këtë qëllim parësor”, transmeton përmes një postimi në Twitter Anna Pisonero, zëdhënëse e komisionerit për Zgjerimin në Komisionin Evropian.
Ndarja
Deklaratat vijnë vetëm një ditë më pas kur në një seancë dëgjimore në komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian, ministri federal për Punët e Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas deklaroi se Gjermania synon mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut gjatë presidencës së saj të Bashkimit Europian. Sa i përket Shqipërisë, ai tha se mesazhi që po përçojnë edhe shtete të tjera anëtare të Bashkimit Europian, është se ka ende hezitim kur vjen fjala për hapjen zyrtare të negociatave me Shqipërinë.
“Në fillim të këtij viti, ne shpresuam në arritjen e një marrëveshjeje lidhur me vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne ishim shumë të kënaqur që kjo u arrit. Ne do të donim që të zhvillonim disa konferenca anëtarësimi gjatë presidencës gjermane. Kjo është më shumë e mundur për Maqedoninë e Veriut sesa për Shqipërinë.
Mesazhi që ne po marrin edhe nga shtete të tjera anëtare është se ka ende hezitim kur vjen fjala për Shqipërinë. Por, edhe nëse ne nuk do mund të avancojmë kaq shpejt me Shqipërinë, ne duhet të fillojmë negociatat dhe konferencat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Sigurisht që ne do të donim të bënim të njëjtën gjë për Shqipërinë. Ne nuk e dimë se kur mund të jetë e mundur, por ky është objektivi ynë”, – u shpreh ministri gjerman.