Kryesore

PE si negociatore e parë, Basha: Zgjidhja është largimi i Ramës





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 09:06 - 28/02/19 |
mapo.al

Përfaqësuesit e Parlamentit Europian takojnë liderët e opozitës dhe ministrin e Brendshëm. Diskutimet e gjata dhe qëndrimi i Bashës se e vetmja zgjidhje është largimi i kryeministrit Rama dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkombëtarët në fazën e “mbledhjes së informacionit” dhe si negociatorët e krizës së brendshme në politikën tonë.


Parlamentarët europianë mbërrijnë në një Shqipëri të trazuar për të diskutuar mbi të ardhmen e vendit tonë për në Bashkimin Europian. Me një opozitë që ka djegur mandatet e deputetëve, protestat e vazhdueshme dhe qeveri krejtësisht indiferente për kërkesat e saj, përfaqësuesit e PE-së patën takim dje me dy liderët e opozitës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, ndërsa pasdite u zhvillua edhe një mbledhje me kreun e Ministrisë së Brendshme Sandër Lleshaj. Delegacioni i PE-së këtë radhë ka qenë më shumë në rolin e “seancës së parë” të negociatave mes pozitës dhe opozitës. Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të takimit mes opozitës dhe përfaqësuesve të PE, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se zgjidhja e vetme mbetet largimi i Edi Ramës. “Shqetësim i ndërkombëtarëve është stabiliteti i vendit. Zgjidhja mbetet vetëm largimi i Ramës, zgjedhje të parakohshme dhe qeveri tranzitore. Rrugëdalja është zgjedhje të lira, largimi i Edi Ramës, qeveri e parakohshme”, -tha Basha. Gjithashtu, Basha ka dhënë edhe një tjetër “lajm”, që nuk do të ketë më një marrëveshje si ajo e majit 2017. Pyetjes nëse është e gatshme opozita që të pranojë negociata me ndërmjetësues të huaj, njësoj si në 2017, Basha e mohoi kategorikisht. “Nuk do të ketë më 2017 me Edi Ramën. Ai e mori 2017-ën, në një përpjekje tonën për të shmangur konfliktin civil, por e ktheu në dosjen 339. Kjo dosje provon se si Edi Rama dhe vartësit e tij shkatërruan procesin zgjedhor për të kapur tepsinë. E vetmja zgjidhje është qeveri tranzitore pa Edi Ramën, që t’i zgjidhë duart prokurorisë që të vendosë në pranga nga këta që janë kapur në përgjime, si Vangjush Dako, Taulant Balla etj.” -shtoi Basha. Pavarësisht një dite intensive, përfaqësuesit e Parlamentit Europian kanë dhënë një deklaratë të shkurtër. “Takimi i parë i delegacionit të Parlamentit Europian në Tiranë, me krerët e opozitës: duke diskutuar integrimin e Shqipërisë në BE dhe duke u angazhuar në diskutime konstruktive për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale politike”, – thuhet në njoftim. Delegacioni kryesohet nga Tunne Kelam, ndërsa në përbërje të tij janë: Cristian Preda, Knut Fleckenstein, Juan Fernando Lopez Aguilar, Bas Belder, Ilhan Kyuchyuk dhe Tamás Meszerics.



Shqipëria në sytë e opozitës para PE-së


Delegacioni i PE-së në këtë fazë duket se është në mbledhjen e fakteve mbi krizën politike shqiptare. Jo krejtësisht të papërgatitur çfarë i pret me politikanët tanë, përfaqësuesit ndërkombëtarë në këtë periudhë takimesh u intereson më shumë se gjithçka një lloj stabiliteti për sa i përket rendit dhe qetësisë, ndërsa duken pak ose aspak të shqetësuar dhe angazhuar për parimet kryesore të një vendi demokratik. Edhe kryedemokrati Lulzim Basha në deklaratën e tij pas takimit me përfaqësuesit e PE-së la të kuptohej se opozita është e angazhuar për të shpjeguar atë që sipas tij po ndodh në vend. “E para miqtë tanë që i duan të mirën vendit do ta kuptojnë se stabiliteti i vendit është bërë copë e çikë dhe ata si Edi Rama që e shkatërruan kanë filluar të japin mend edhe për stabilitetin në Rajon. Shqipëria është një vend i vogël dhe një fuqi e madhe e propagandës që prodhon fake news për t’i helmuar”, deklaroi Basha. Sipas tij, kemi një qeveri e cila nuk punon për njerëzit por për krimin. “Një ndër problemet më të mëdha është dezinformimi me të cilin Rama me lekët e drogës ka krijuar një makineri të madhe në botë siç ka bërë edhe në Shqipëri prandaj ishte momenti të flisnim hapur me miqtë tani për t’i treguar gjendjen e vendit dhe se opozitës nuk i ka mbetur zgjidhje, ose të bëhet palë me këtë sistem ose t’i tregojë botës se ky sistem ka rënë dhe të kërkojë një rrugëdalje”-deklaroi Basha. Ndër rreshta, përmendi se “propaganda qeveritare ka bërë të sajën”, duke pranuar se delegacioni i PE-së përveç raportimeve të opozitës, ka edhe ajo të dhënat e saj që vijnë nga qeveria. “Natyrisht një nga problemet më të mëdha që ka vendi është mungesa e informacionit dhe dezinformimi. Ishte me rëndësi që të flisnim hapur dhe shkoqur me miqtë tanë dhe t’u shpjegonim atyre gjendjen ku ndodhet vendi dhe se opozitës nuk i është lënë asnjë mundësi tjetër ose të bëhet njësh me krimin dhe oligarkinë ose t’u tregojë shqiptarëve se ky sistem ka rënë. Shqetësim i ndërkombëtarëve është stabiliteti i vendit. Zgjidhja është largimi i Edi Ramës, një qeveri e përkohshme tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë rruga për rikthimin e legjitimitetit politik të institucioneve në mënyrë që të zgjidhen nga njerëzit dhe të punojnë për njerëzit” – tha Basha.

PE dhe takimi me Lleshajn

Pas takimit që ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pati me përfaqësuesit e Parlamentit Europian nuk preferoi që të jepte deklaratë për çfarë u bisedua. Gjithsesi mësohet se në këtë takim është diskutuar edhe për çështjen e rendit dhe protestat e fundit të opozitës të cilët kanë kaluar me disa incidente. Gjithashtu, ka patur pretendime të forta të opozitës, por edhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile për tejkalimin e dhunës nga ana e strukturave të rendit, duke iu referuar konkretisht përdorimit të madh të gazit lotsjellës ndaj protestuesve para Parlamentit dy ditë më parë. Gazi lotsjellës u përhap në një territor të madh, duke shkaktuar probleme serioze dhe panik edhe te qytetarët të cilët nuk kishin asnjë lidhje me protestën dhe u detyruan që të vraponin për t’u larguar nga era e rëndë dhe komplikacionet e tjera të gazit lotsjellës. Ndërkombëtarët janë vënë para “dy Shqipërive” të parë në sytë e opozitës dhe të mazhorancës. Hendeku mes pretendimeve të të dyja palëve është i madh. Me qeverinë që këmbëngul në reformat e thella sipas saj dhe normalitetin që ka vendi. Këtë e tregoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë 45 minutave në takimin me atë që e konsideron si bashkëqeverisje me njerëzit, kreu i qeverisë nuk tha asnjë fjalë mbi situatën e fundit politike. Kryeministri tha se në platformën e bashkëqeverisjes janë regjistruar mbi 35 mijë ankesa nga qytetarët, duke paralajmëruar ndëshkime për të gjithë ata nëpunës që do zvarrisin zgjidhjen e problemeve të tyre apo do i neglizhojnë ata.

 


Etiketa: , , , ,

Pas