Në çdo rast tjetër kur fëmija ka temperaturë të lartë mbi 38 prej disa ditësh, ulje oreksi dhe dëshirë për të luajtur, vështirësi në frymëmarrje edhe kollë, të vjella dhe diarre të pamenaxhuara nga prindi që çojnë në dehidrim të fëmijës, kërkohet ndihma e mjekut pediatër.
Vjeshta është një nga stinët më të dashura për fëmijët pasi lidhet me fillimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave. Gjithashtu, është sezoni ku prindërit frikësohen pak më tepër për shëndetin e tyre lidhur kjo me jetën kolektive që fëmijët do bëjnë dhe riskun e përhapjes së virozave sezonale. Përballë kësaj situate, Anila Sevdari, mjeke pediatre në Qendrën Shëndetësore Nr.9 në Tiranë këshillon prindërit që paraprakisht të dinë gjendjen e përgjithshme shëndetësore të fëmijëve, mënyrën e të ushqyerit, aktivitete bazë të ditës, gjumin, lojërat me moshatarë. “Në çdo rast kur prindi dyshon se fëmija e tij nuk ecën mirë këshillohet të paraqitet te mjeku”-apelon mjekja pediatre- “dhe se kohëzgjatja e një viroze varet shumë nga tipi i virusit si dhe nga imuniteti i organizmit bartës, për këto arsye përpara trajtimit me antibiotikë te farmacia e lagjes, duhet kryer një vizitë mjekësore për të trajtuar problemin shëndetësor të fëmijës”.
Rikthimi i fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe shkolla, duket se ka shtuar qarkullimin e virozave, çfarë duhet të bëjnë prindërit, si mund të kujdesen?
Mjekët i këshillojnë prindërit që ndihmën ditët e para, një fëmije t’ia japin vetë në kushtet e shtëpisë pa i zënë paniku për t’u drejtuar në qendrën shëndetësore apo në farmaci. Në shtëpi duhet të mbajnë gjithmonë antipiretik për uljen e temperaturës, një qetësues lokal për të qetësuar dhimbjen e veshit që zakonisht fillojnë kur fëmija bie në qetësi natën dhe rehidratues oral për rastet e të vjellave dhe diarreve. Çajrat mund të ishin shumë me vlerë. Mund të përdoret çaji i blirit dhe i dafinës për kollën. Çaji i majdanozit dhe mjalti për acarimet e gojës, çaji i finokut për dhimbjet e barkut dhe sa më shumë ushqime të freskëta të përgatitura në shtëpi.
Cilat janë shenjat që një prind të kuptojë se fëmija i tij është duke kaluar një virozë? Ku dallon një virozë stine nga ndonjë problem tjetër shëndetësor, ftohje, alergji apo edhe infeksione të brendshme?
Në çdo rast kur prindi dyshon se fëmija e tij nuk ecën mirë këshillohet të paraqitet te mjeku. Virozat e kësaj periudhë prekin me tepër sistemin e sipërm respirator si dhe spektrin ORL, ku konkretisht kemi fëmijë që ankojnë nga dhimbje veshi dhe fyti, mukozat e gojës të acaruara nga infeksione mykotike apo aftoze, fëmijë që vijnë me kollë më tepër laringale si dhe fëmijë që vijnë me probleme të sistemit gastrointestinal; me të përziera, të vjella, diarre dhe ulje e shprehur e oreksit. Kohëzgjatja e një viroze varet shumë nga tipi i virusit si dhe nga imuniteti i organizmit bartës. Në përgjithësi zgjasin nga 3-6 ditë ku shenjat klinike të fëmijës vijnë duke u përmirësuar. Në çdo rast tjetër kur fëmija ka temperaturë të lartë mbi 38 prej disa ditësh, ulje oreksi dhe dëshirë për të luajtur, vështirësi në frymëmarrje edhe kollë, të vjella dhe diarre të pamenaxhuara nga prindi që çojnë në dehidrim të fëmijës, kërkohet ndihma e mjekut pediatër.
Po sa i përket temperaturës së fëmijës, kur duhet të shqetësohen?
Në rast se fëmija ka luhatje të temperaturës trupore nën 36 këshillohet të vishet mirë dhe të mbahet në ambient të ngrohtë. Nëse temperatura e fëmijës rritet mbi 38 këshillohen banja me ujë në temp 1 gradë nën temperaturën trupore, në mënyrë që të bëhet shkëmbimi i nxehtësisë. Të ajroset mirë ambienti i dhomës ku mbahet fëmija për të ulur mundësinë e mbingarkesës së ajrit me viroza. Të kenë kujdes nga korentet e ajrit dhe kondicioneri në shtëpi. Të mos mbahet fëmija aty ku ka korente sepse krijojnë laringjite, trakeite edhe ftohje.
Si mund të menaxhojnë prindërit këto viroza, këshilla?
Veshjet e fëmijëve këshillohen gjithmonë të jenë material pambuk në mënyrë që të përthithet djersa në çdo moment. Për në mëngjes kur dalin nga shtëpia dhe për në mbrëmje të vishen pak trashë me ndonjë bluzë sipër sepse janë momentet që temperaturat e ambientit jashtë shtëpisë janë më të ulëta. Ushqyerja duhet të përmbajë ushqime sa më të freskëta, të përgatitura në shtëpi, të jenë të përfshira frutat si të freskëtat por dhe frutat e thara, perimet, mjalti si dhe proteinat që gjendet te veza, mishi etj. Këshillohet të konsumohet uji pasi dihet që në masë 60-70 % fëmijët kanë ujë në organizëm.
Këshilla!
- Në shtëpi duhet të mbajnë gjithmonë antipiretik për uljen e temperaturës, një qetësues lokal për të qetësuar dhimbjen e veshit që zakonisht fillojnë kur fëmija bie në qetësi natën dhe rehidratues oral për rastet e të vjellave dhe diarreve.
- Çajrat mund të ishin shumë me vlerë. Mund të përdoret çaji i blirit dhe i dafinës për kollën. Çaji i majdanozit dhe mjalti për acarimet e gojës, çaji i finokut për dhimbjet e barkut dhe sa më shumë ushqime të freskëta të përgatitura në shtëpi.
- Ushqyerja duhet të përmbajë ushqime sa më të freskëta, të përgatitura në shtëpi, të jenë të përfshira frutat si të freskëtat por dhe frutat e thara, perimet, mjalti si dhe proteinat që gjendet te veza, mishi etj.
- Këshillohet të konsumohet uji pasi dihet që në masë 60-70 % fëmijët kanë ujë në organizëm.
- Nëse temperatura e fëmijës rritet mbi 38 këshillohen banja me ujë në temp 1 gradë nën temperaturën trupore, në mënyrë që të behet shkëmbimi i nxehtësisë.
- Të ajroset mirë ambienti i dhomës ku mbahet fëmija për të ulur mundësinë e mbingarkesës së ajrit me viroza.
- Të kenë kujdes nga korentet e ajrit dhe kondicioneri në shtëpi.
- Të mos mbahet fëmija aty ku ka korente sepse krijojnë laringjite, trakeite edhe ftohje.