fbpx

Editorial

Pelegrinët pa hero të Bularatit





               Publikuar në : 18:38 - 26/10/19 |
Mapo.al

Një vit pas vrasjes nga policia të ekstremistit Kacifas, në një përplasje me armë, përfaqësues të vijës së ashpër të vendit fqinj, erdhën dhe morën pjesë në një ceremoni pak të thuhet absurde.


Nuk ka çfarë të lindë në Bularat megjithë perpjekjet që aty, dhe në atë histori, të nxjerrë krye një mit i ri për të cilin kanë nevojë nacionalistët grekë, gjë me të cilën me siguri edhe jetojnë e ushqehen.



Ngjarja e një viti më parë nuk ka asgjë heroike, e aq më pak politike. Ajo ishte thjesht përgjigja e duhur e Policisë së Shtetit ndaj një të çarturi jo fort të ekuilibruar, që po bënte spektakël me kallashnikov. Një spektakël plumbash që mund të kishte përfunduar në një tragjedi të madhe e me viktima nëse nuk do ndërhynte policia.


E gjithë skena e ngjarjes, sa herë ta shohësh tregon qartë se kemi të bëjmë mirëfilli me një aksion policesk, me synimin për të neutralizuar një njeri të rrezikshëm dhe aspak një minoritar, apo pjestar të lëvizjeve ekstreme të fqinjëve.

Viktima nuk është një i përndjekur, as i diskriminuar nga shumica, por një agresor i pashoq dhe përbënte një cënim të vazhdueshëm për rendin e sigurinë publike.

Nderimi i tij me britma albanofobe dhe kthimi i Bularatit në një peligrinazh nacionalistësh grekë, thjesht e bën secilin pjesmarrës dhe tezën që ngrenë, të duken jashtë kohe, dhe e gjitha kjo dërrmon propagandën dhe kredibilitetin e tyre.

Kjo pasi kanë zgjedhur për hero një personazh të çakorduar që shtinte me armë kuturu në mes të fshatit.

Ekstremizmi grek padyshim ka nevojë për tension që të ekzistojë, por kur e mbajnë retorikën në raste si ky, militantë si këta pelegrinët e Bularatit, thjesht denigrohen dhe tregojnë se sa nevojë kanë për viktima, edhe pa histori.

Për fat të mirë, dy vendet tona e kanë sot maturinë për të mos rënë në gracka të tilla, e për ti injoruar dhe izoluar këto lloj ngjarjesh.

/Mapo.al/


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas