Duhen vetëm pak minuta shi, për të shtënë çdokënd në mendime se cili është qëllimi i vërtetë i shpenzimit të mbi 1 miliardë lekëve tek lulishtja e Parkut Rinia. Nëse projekti do të kishte qënë inxhinierik, me tubacione e kanalizime dhe me synimin që është shpallur, për kënd lojërash, sdo të kishim pothuaj çdo javë një miniliqen artificial aty.
Po njerëzit gabojnë në gjykim shpesh. Gjindja është emocionale. Dhe kësisoj ka një moskuptim të zakonshëm ndaj kreut të Bashkisë. I bien më kot në qafë. Nisin qortimet masive në rrjet, a thua se ai ka aftësi supermeni, apo se stacioni i tij meteorologjik i ka pëshpëritur në vesh, se; jepi, bëje, shi s’do ketë as sot as mot.
Ka një mister rreth kësaj çështje. Zor të besohet që bashkia që zakonisht i prin ujit dhe rrebeshit dhe i jep drejtim përmbytjes, të ketë ndërtuar vetë diçka që me t’u ngrysur e bashkuar retë mbi Dajt, kthehet në moçal.
Një synim tjetër duhet të ketë.
Dikujt mund t’i shkojë mendja dhe t’i afrohet zbulesës. Narcizit të Bashkisë i duhet një syprinë e këtillë pranë zyrës për të kqyrur dhe admiruar veten. Një seancë e domosdoshme spirituale. Sa më e shpeshtë, aq më mirë. Bjer o shi në tokën tënde.
Narcizi i Bashkisë mendon se është më i qashtri, më i dliri, më i miri, më i drejti, më i pagabueshmi, më i ndershmi po e po, nga të gjithë. Shemb Teatrin Kombëtar që nuk e trandi as tërmeti asnjë fenomen tjetër, dhe vetë ndërton një ligatinë në mes të Tiranës.
Po narcizin e mundojnë shumë. Varaku i ka rënë dhe masivisht qytetarët e metropolit nuk gëzojnë më pikë simpatie për të, se të njëjtin retorike fyese 200 fjalëshe nxjerr çdo ditë, se nuk la cep pa mbjellë beton dhe ky është ndoshta mashtrimi më monumental i historisë elektorale në Shqipërisë, aktor i dobët me regjinë e vet, tashmë këtij personazhi që nuk është i Balzakut, i duhet një kënd të reflektojë dhe t’i mbushë mendjen vetes se është gjeniu, mesia i keqkuptuar.
Ku ka më mirë se pak metra larg zyrës. Sa herë të bjerë shi, ai do të ketë mundësi të kundrojë veten. Dhe me siguri, do të gjejë armiq pa fund që e shkaktojnë këtë përmbysje të propagandës dhe fasadës. Janë ata që nuk duan qytetin që shkaktojnë pellgje me ujë. Ata fshihen pas çdo shiu e shtrengate.