Takohuni me Malaindrano, një pemë gjigande baobabi e thyer në një depozitë për të ruajtur ujë. Ajo rritet në Ampotaka, një fshat në rajonin e rrafshnaltave Mahafaly në Madagascar, ku ka 300 baobabë për çdo 475 banorë. Secila pemë ka një emër dhe një familje përgjegjëse për mbrojtjen e saj. Malaindrano do të thotë “ai që urren ujin“. Në fakt, ky baobab nuk e urren aspak ujin, por është aq i madh saqë banorët nuk kanë mundur ta mbushin kurrë plotësisht. Edhe gjysëm të mbushura, këto pemë janë depo jetike uji në njërin prej rajoneve më të thata të Madagaskarit.
Ndryshe njihen edhe si pemët shishe pasi me trungjet e tyre të trasha dhe cilindrike, bëjnë që baobabë të tillë të formojnë një rrjet natyror depozitash ujore, që u lejon njerëzve të jetojnë në një vend ku shiu është i rrallë, dhe ku toka poroze thith shpejt ata pak reshje që bien.
Mungesa e shiut ka shkaktuar kriza të urisë. Në vitet 1920 dhe 1930, mijëra njerëz vdiqën pas thatësirave ekstreme. Kjo bëri që banorët e zonës të gjenin një mënyrë të zgjuar për të mbijetuar: duke gdhendur brendësinë e trungjeve të baobabëve për të ruajtur ujin kur ai është i bollshëm. Duhen tre persona për rreth 10 ditë për të gdhendur në brendësi trungun e një baobabi.
Në pemë më pas rritet një lëkurë e re e brendshme që ndalon ujin të rrjedhë. Druri nuk kalbet ngaqë baobabi ka si cilësi të tijën që duron një përmbajtje shumë të lartë lagështie. Në trungje të tilla të mëdha mund të depozitohen deri në 14,000 litra ujë. Sot, rreth 20,000 njerëz jetojnë në të gjithë pllajën, shumë prej të cilëve mbahen me në ujin e ruajtur nëpër pemë për rreth një të tretën e vitit.