Një 14-vjeçare nigeriane akuzohet për vrasjen e burrit të saj 35-vjeçar dhe tre personave të tjerë, të cilët i ka helmuar me helm miu.
Wasila Tasi’u ka helmuar bashkëshortin pasi është penduar për martesën e kryer në muajin prill dhe tashmë po përballet me gjyqin, i cili mund ta dënojë me vdekje.
Tre persona të tjerë kanë vdekur gjithashtu pasi dyshohet se kanë ngrënë nga ushqimi i helmuar që Wasila kishte përgatitur për burrin e saj.
Por aktivistët e të drejtave të njeriut kanë dalë në mbrojtje të 14-vjeçares duke thënë se është ajo viktima dhe jo bashkëshorti i vdekur.
Ngjarja është zbuluar nga një fëmijë 7-vjeçar, i cili ka deklaruar se Wasila i ka dhënë para që të blejë në farmaci helmin me të cilin më pas helmoi të shoqin.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe shitësi, i cili ka thënë se i ka shitur helm miu vajzës 7-vjeçare.
Një komshiu i Wasila-s ka thënë se edhe ai ka provuar ushqimin e ofruar nga ajo, por nuk e hante dot pasi kishte shije të keqe.
“Pashë bashkëshortin e Wasila-s që po hante, dhe kishte një pamje të keqe në fytyrë. Unë e provova ushqimin por kishte shije të keqe, dhe nuk hëngra më, ndërsa ai vazhdontë të hante”, ka thënë ai.
Ajo tashmë përballet me akuzën e vrasjes me paramendim dhe rrezikon dënim me vdekje.
Hera e fundit që një i mitur është dënuar me vdekje në Nigeri ka qenë në vitin 1997 raporton “Human Rights Watch”.