Nga Klementin Mile
Ndërsa jepte dorëheqjen nga mandati i deputetit, Saimir Tahiri u shpreh: “Si qytetar i thjeshtë, vetëm me të drejtën time, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që besojnë tek unë, do të përballem me prokurorinë, gjykatën, drejtësinë dhe ligjin. Siç do përballem me palaçot në politikë që kanë vjedhur këtë popull e sot shesin dëngla”. Kjo dalje në publik e ish-ministrit të Brendshëm mund të cilësohet, pa asnjë dyshim, heroike. Qëndrimi i tij kundrejt akuzave dhe akuzatorëve qe i paepur, stoik dhe sfidues. Por ç’lloj heroi është Tahiri?
Pa dashur ta cilësoj qytetarin Saimir Tahiri me ndonjë epitet që e ka tagrin gjykata t’ia vendosë, mund të them megjithatë se mua, ashtu sikundër besoj edhe shumicës së shqiptarëve, Tahiri m’u duk se po e paraqiste veten si dëshmor të një kauze madhore, e cila ishte ndoshta triumfi i drejtësisë apo pastrimi i figurës së tij nga çdo dyshim që e njollos. Në qoftë dëshmor, ashtu si u duk prej fjalëve të tij, kjo do të thotë se Tahiri shkoi ta dorëzojë mandatin e deputetit e të përballet me drejtësinë i shtyrë nga asnjë presion dhe asnjë person tjetër përpos ndërgjegjes morale të tij, shqetësimit etik për njollosjen e figurës, besimit te vlera dhe forca e së vërtetës së tij. Dëshmori ka gjithmonë një përmasë morale të jashtëzakonshme. Ai është gati të vetësakrifikohet për hir të parimeve morale, ashtu si bëri filozofi Sokrat në Athinën e lashtë, që pranoi të pinte kupën e helmit në vend të arratisjes nga burgu.
Nuk e di sa me vend është krahasimi i Tahirit me Sokratin; por, për të qenë dëshmor, duhet të jesh si Sokrati. Në pjesë të tjera të fjalimit të dorëheqjes Tahiri akuzoi majtas e djathtas (më gjerësisht djathtas e më thellë majtas) eksponentë të shquar të politikës shqiptare të tranzicionit, “palaçot në politikë”, çka na jep të kuptojmë se Tahiri, përpos dëshmorit, u mundua ta paraqesë veten si kurban. Kurbani ka një dallim thelbësor nga dëshmori. Kurbani nuk bëhet i tillë me dëshirën e vet, prej vendimit të vet dhe nisur nga parime morale të larta. Ndryshe nga dëshmori, kurban të bëjnë të tjerët, për qëllimet e tyre, aspak morale, ndonjëherë politike dhe shpeshherë pragmatike. Në qoftë kurban, Saimir Tahiri ka më shumë gjasa të jetë bërë i tillë prej kryeministrit dhe partisë së vet. Nëse arsyeja e kurbanit është politike ajo mund të lidhet me çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE dhe, rrjedhimisht, me rritjen e shanseve për qëndrimin në pushtet të qeverisë aktuale të kryeministrit Rama. Nëse arsyeja e kurbanit është pragmatike ajo mund të lidhet me shmangien e një përballjeje të sikletshme (dhe ndoshta fatale) me drejtësinë për kryeministrin dhe krerët më të lartë të mazhorancës.
Këtu, në paraqitjen e tij si kurban, marrin vlerën e kërcënimeve mesazhet e forta të Tahirit. Dhe në fakt, është e vështirë të besohet se ka ndonjë “palaço në politikën” e majtë dhe të djathtë që të gëzohet për dorëheqjen e Tahirit. Nëse Tahiri shkon në burg, ai do të jetë i pari, por jo i fundit. Ky mesazh kërcënues që parakalon në skenën e politikës shqiptare e shpjegon më së miri qëndrimin e dyzuar të Tahirit si dëshmor dhe si kurban. Saimir Tahiri, në fakt, u shfaq si kurbani që është gati të bëhet dëshmor. Si i tillë, ai u shfaq si kombinimi destruktiv kurban-dëshmor (bëhem dëshmor po më bëtë kurban) që prodhon kamikazin. Nëse “bomba” e Tahirit do të “vrasë” vetëm atë apo dhe të tjerë, kjo mbetet për t’u parë.
Por të gjitha këto projektime të Tahirit në publik duhen trajtuar në kontekstin e fajit apo pafajësisë së tij. Së paku politikisht dhe administrativisht Tahiri nuk mund të jetë i pafajshëm. Gjatë mandatit të tij si ministër i Brendshëm në terma sasiorë lulëzoi droga në vend dhe në terma cilësorë u ngrit një sistem i mirorganizuar i prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Tahiri, megjithatë, mund të jetë penalisht i pafajshëm. Në qoftë kështu, ai ka të drejtë të sillet si dëshmor që po e bëjnë kurban. Por në qoftë fajtor për lidhje kriminale, ai vetëm sa e rëndon përtej çdo zgjidhjeje pozitën e tij. Në raport me ata që e dinë dhe kanë prova për fajin e tij, Tahirit nuk i shkon dhe nuk i leverdis të sillet as si dëshmor as si kurban. Ai ka vetëm dy zgjidhje: ose të bashkëpunojë me drejtësinë e të flasë plotësisht, ose të bashkëpunojë me kriminelët e të heshtë plotësisht.
Pedagog në UET
Rubrika: Peripatos