Për herë të parë në Shqipëri do të vendoset në teatrin “Migjeni” të Shkodrës një shfaqje të “Comedia dell’arte”. “Kumarxhiu” i Carl Cordonit do të vijë për publikun shkodran dhe jo vetëm në datat 3,4 dhe 5 qershor nga regjisori i njohur nga Venecia, Michele Modesto Casarin.
Casarin e ka vlerësuar faktin që do ta sjellë këtë vepër në një qytet si Shkodra. “Është një krenari për mua, që kam mundësi të punoj në një qytet si Shkodra, që ka shumë ngjashmëri me Venecian. Zgjodha këtë tekst që godet së tepërmi, ludopatinë-varësinë nga lojërat e fatit. Që për fat të keq është një problem edhe sot, që shumë e cilësojnë si sëmundje”– ka thënë Michele Modesto Casarin.
“Puna që unë bëj është krejt e ndryshme me atë që kam parë në Shqipëri. Është teatër ndryshe, unë nuk synoj të ndryshoj aktorët, por synimi im është që të zhvillohet diçka brenda tyre. Eshtë bërë një punë shumë intensive që të përgatitemi dhe besoj se është arritur diçka”-ka vijuar më tej regjisori.
E teksa kostumet dhe skenografia do të mbajë emrin e Adnan Kastratit, aktorë si Simon Shkreli, Linda Jarani, Indri Qyteza-Shiroka, Fritz Selmani dhe Vladimiri Doda do t’i japin jetë një shfaqjeje që në qendër ka kumarxhiun Florindo. I rrëmbyer nga vesi i kumarit, ai bie në duart e Tiburcit, një mashtruesi profesionist. Tek bixhozi ai gjen shkatërrimin e tij, humb të fejuarën dhe më pas të dashurën.
“Kumarxhiu” është një nga komeditë e Carlo Goldonit që daton në 1750-ën. Ndonëse është lënë pas dore, mbart në vetvete një aktualitet tronditës, sesi njeriu dërgohet në një pikë të mjerueshme dhe portretizohet më pas në mënyrë patetike dhe të mjerueshme.