Kryesore

Për kë është mesazhi i pazakontë i Yuri Kim?





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:53 - 21/05/20 |
mapo.al

I pazakontë ishte mesazhi sot pasdite i ambasadores së USA në Tiranë, pasi rrallë herë, duke njohur sa të përkorë janë diplomatët dhe sidomos ata amerikanë, ka ndodhur që një përfaqësues kaq i rëndësishëm të mbajë një qendrim, duke u nisur, formalisht siç shkruan ajo, nga disa thashetheme.


“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”, tha zonja Kim.


Sigurisht ambasadorja amerikane, nuk ka parasysh fjalë që thuhen lart e poshtë. Por ka parasysh të dhëna konkrete, veprime konkrete, të aktorëve konkretë për të vrarë reformën në drejtësi, siç cilëson ajo.


Po për këtë e ka fjalën zonja Kim?


Kush e ka në dorë sot në Shqipëri të bllokojë reformën, apo ta vrasë atë?

Kush tjetër, përpos atij që ka pushtetin për ta bërë këtë. Që ka dhe kontrollon gjithë hapësirën dhe gjithë vendimarrjen në vend. Ky është Edi Rama.

Edhe pse ishte i pari që komentoi pas deklaratës së ambasadores amerikane, kjo ngjan si përpjekja e dikujt të zënë në faj, të kapur në gabim.

Pak ditë më parë, ai u pyet në një konferencë shtypi me gazetarët, nëse do të ishte gati të riformatonte reformën në drejtësi, kjo nisur nga disa teza që po lëshonte nëpër media, deputeti i tij, Adnor Shameti.

Edi Rama e la të hapur se kjo mund të ndodhte, por shtoi se jo pa konsensusin e bashkëautorëve, pra SHBA dhe BE.

Nëse flasim për një rikonceptim të reformës në drejtësi, ajo mund të ndodhë vetëm duke ndryshuar ligjet dhe Kushtetutën në Parlament. Po kush e kontrollon Parlamentin tonë?

Pra, edhe këtu nën dyshim është sërish kryeministri.

Nëse flasim për bllokime dhe vonesa të reformës, ato kanë të bëjnë me mosplotësimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, apo moskrijimin ende të BKH. Kush e ka në dorë t’i ndalojë, apo t’i vërë në lëvizje, në funksion këto institucione? Vetëm mazhoranca, pra Edi Rama.

Lulzim Basha dhe PD nuk kanë mundësi, edhe nëse do të donin të bënin një marrëveshje.

Ndaj është kjo arsyeja mesa duket, pse Kryetari i PD, ripostoi mesazhin e zonjës Kim, dhe u shpreh se çdo tentativë për të bërë ndryshime kushtetuese të reformës në këtë parlament, do të ishte e papranueshme dhe e paligjshme.

Të gjitha rrethanat të çojnë në konkluzionin se shqetësimin i ambasadores amerikane, dhe mesazhi i saj, shkojnë për Kryeministrin. Edhe nëse ka aktorë të tjerë që e duan, nuk do të bënin dot një pakt në prapaskenë pa Ramën.

Duke parë disa shenja apo tentativa, me siguri, zonja Kim ka mbajtur sot atë qendrim të fortë, ndoshta për të parandaluar çdo levizje të mëtejshme në errësirë. Reforma në Drejtësi është investimi më i madh amerikan i viteve te fundit, dhe i BE, dhe ambasadorja e USA në Tiranë e ka bërë të qartë disa herë se vijimi e konsolidimi, është një nga 3 prioritetet e misionit të saj.


Etiketa: , ,

Pas