Aktualitet

Për një aparat dëgjimi shpirtëror





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:53 - 20/02/20 |
Gent Çela

…tek e fundit me kalimin e viteve çdo njeri ka fytyrën që meriton, ngaqë është bërë jo vetëm me mishin por edhe shpirtin e tij, me guximin, dhe frikërat e tij, me madhështinë dhe mjerimin e tij, atdheu ynë, më së fundmi në pjekurinë e tij ka fytyrën që duhet të kishte, atë fytyrë që kemi gdhendur të gjithë ne dhe gjithsecili prej nesh në mishin e tij të gjallë; politikanë apo artistë të kulluar, kodoshë apo baballarë të ndershëm, milionerë apo argatë, ateistë apo besimtarë. Kësisoj, nëse të gjithë mund t’i rivendosim virtytet e tij, askush të mos jetë aq maskara sa të shpallet i pafajshëm për të këqijat e tij.
Ernesto Sabato – “Përpara fundit”


Kështu shkruan Sabato, e sikur ky paragraf, të jetë shkruar posaçërisht për vendin e rrënjëve të nënës së tij, Shqipërinë.
Ku sot vulgu e zhuli me të cilin pluhuri mposht prej kohësh shqisat tona, zdirgj e mund humanen tonë, ku korr triumfet e çdoditshme, së këndejmi, në Vendin ku Zoti, Hyji, është treguar dorëlëshuar.



E nga dor’ e Tij, e kemi rrëmbyer dhe tjetërsuar zërin i Tij tek ne, që dëgjohet si jehonë e largët që brendia lyp të ndijë, dhe e jashtmja, dukja, fasada ka zbuar atë zë tej nesh. Boshësia e botës së muzgut mjeran shqiptar, është zhytur e gjithëpërmbytur në banalitet, përsëritje, trushpëlarje nga zëri makinerik i programuar e shurdhues i kotësisë pa tekst, pa ndjeshmëri, pa asnjë emocion e tërë zhurmnajë të ca trupave, mendjeve e shpirtrave të silikonuar.


Gazetarë e të famshëm për asgjë, të dënuar me mungesë talenti e të uniformizuar që balsamosin lajthitjet e kujtdo pushteti.
Intelektualë të pabza, pa korda zëri, pa indinjim e pa dinjitet, pa rebelizëm, lehtësisht të shantazhueshëm që kanë rrethuar lirinë e shprehjes. Frikacakë kryestrukur, pa asnjë grimë revolte, në mënyrë anemike e nën moton ‘kam familje’. Turma të ndotura me dhimbjen e gënjeshtrës që bën sikur nuk kupton manipulimin e radhës.

Deklarata nga foltore truboshe që i përngjajnë luftës donkishoteske me gurë të dy fshatrave hedhur njëra-tjetrës. Nga ana tjetër qëndron shumica e heshtur e pafund e njerëzve të thjeshtë, e lodhur nga e përditshmja që pamundëson të ëndërrosh, në këtë territor të djerrë dhe leckosur të shpirtit. E nga ky aht, kjo psherëtimë shpirtërore, mund të lindë ambivalente dhe vetvetishëm Shpresa.

Kësodore, nga kjo shumicë e heshtur, mund e duhet të shpërthejë thekshëm e domosdoshmja për një reflektim mbi kohën që kemi e s’kemi. Janë në lojë vlerat e panegociueshme të jetës. Duhet shpëtuar nga kamja imorale brenda një vendi në rrënim e sipër nga korrupsioni dhe dëshpërimi. Aty, në fondin më të thellë të qenies, gjendet veshi i zemrës, i cili do të na shpëtojë nga kjo litokroni, nga kjo shushatje e kllapi kolektive.

E ububushme është shkundja për një reflektim shpirtëror. Lypet thjesht e vetëm, një aparat dëgjimi shpirtëror. E proshkëta shpresë është aty dhe të pret. Begin here?


Etiketa:

Pas