Nga Ervis Iljazaj
Teza e hedhur nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, që në fakt është absurde ta mendosh si tezë vetëm personale të tij pa një mbështetje amerikane, për korrigjimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, është një tezë e cila ka shumë vështirësi për t’u konkretizuar për shumë arsye dhe kontekste.
Mirëpo, është një marrëveshje, ndoshta e vetmja, që nëse realizohet, mund të zgjidhë njëherë e përgjithmonë konfliktet midis tyre dhe të sigurojë njohjen si shtet të pavarur të Kosovës nga ana e Serbisë.
Nëse Kosovën si shtet sovran nuk e njeh Serbia, të gjitha njohjet e tjera të shteteve që askush më parë nuk i dinte as emrin, nuk kanë asnjë vlerë për proceset e integrimit në politikën ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, Kosovës do t’i hapej rruga për anëtarësimin në OKB, do të përshpejtonte proceset e saj euroatlantike, duke siguruar kështu njëherë e mirë sovranitetin e saj të patjetërsueshëm.
Duke lënë mënjanë patetizmat patriotike radikale, që nuk të çojnë asgjëkund, është koha për t’i dhënë zgjidhje njëherë e përgjithmonë situatës që ekziston midis Serbisë dhe Kosovës, që nëse vazhdon të mbetet siç është në këto momente, do të jetë pothuajse e pamenaxhueshme, duke u kthyer në një pengesë të madhe për vet Kosovën për të gjitha sfidat ndërkombëtare që ajo ka.
Sigurisht, që kjo është një çështje mjaft e ndjeshme, që prek shumë sensibilitete në Kosovë dhe Shqipëri, prandaj, hedhja në opinionin publik të një teze të tillë kërkon një përgjegjësi dhe një vizion politik afatgjatë. Në këtë kuptim, teza e Hashim Thaçit, me te gjitha gjasat, është një tezë dhe një marrëveshje që propozohet duke patur garanci se do t’i japë fund njëherë e mirë këtij konflikti.
Në fakt, kjo është një mënyrë, ndoshta e vetmja, që mund të sigurojë njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Duket pothuajse e pamundur një mënyrë tjetër për të realizuar atë. Sepse duhet të kemi parasysh klimën dhe kontekstin politik ku zhvillohen ngjarjet brenda shtetit serb. Korrigjimi i kufijve i shërben politikës serbe si një justifikim i fortë i brendshëm për njohjen e Kosovës, pa të cilin një procesi i tillë nuk do të përfundonte asnjëherë.
Kështu që, për të analizuar këtë tezë, është mirë për shoqërinë shqiptare, politikën dhe botën intelektuale ta shohim këtë marrëdhënie nga dy këndvështrime, nga ai shqiptar, por dhe nga ai serb. Në të kundërtën, do të vazhdojnë secili të qëndrojë në llogoren e tij, dhe Kosova, por edhe e gjithë bota shqiptare, do të vazhdojë të mbetet pa zgjidhje përfundimtare, në mes të një rajoni ku Serbia nuk mund të anashkalohet, duam apo s’duam ne.
Prandaj, të gjithë këtë marrëveshje, nuk duhet ta shohim vetëm si real politik, por, nëse realizohet, si një arritje të madhe për Kosovën dhe të gjithë shqiptarëve në Ballkan.
Si arritje e cila do të realizojë njohjen përfundimtare nga organizatat ndërkombëtare të Kosovës, pa të cilat territori i saj siç është tani, nuk ka asnjë vlerë. Pa një njohje të tillë, Kosova do të vazhdojë të jetë një shtet që mund të ruajë territorin siç e ka në këto momente, por, që do të jetë një territor i sëmurë për sa i përket legjitimitetit të tij ndërkombëtar. Kështu që duhet të zgjedhim, ose Kosova të vazhdojë të ketë territorin e saj aktual por të sëmurë, ose të korrigjojë kufijtë dhe të gëzojë një territor legjitim, të shëndetshëm dhe ndërkombëtarisht të njohur.
Thaçi s’është në kërkim të një zgjidhjeje të mirë për Kosovën po në përpjekje për të faktorizuar me çdo kusht vetveten në skenën politike kosovare. Angazhimin e tij duhet parë në kontekst të mbrojtjes së interesave partikulariste e jo të interesit të përgjithshëm të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.
Serbia s’është as afër të të menduarit për ta njohur Kosovën dhe këtë s’po ja kërkon asnjëra nga fuqitë e mëdha.
Anëtarësimi në OKB, BE dhe NATO janë vetëm premtime dhe pak varen nga marrëveshja me Serbinë.
Taktika e Thaçit është ajo e një politikani e diplomati diletant me të cilën s’mund t’ia hedhë Serbisë që njhet si takticiene e rafinuar.