Mapo Letrare

Për një kulturë të re shkrimësie





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:00 - 07/12/19 |
STEFAN MARTIKO

Përsiatje rreth krijimtarisë së poetit Moikom Zeqo


STEFAN MARTIKO


Për shkak të prurjeve, për shkak të një diskutimi që vazhdon të ngrejë pyetje që presin të marrin përgjigje, Moikom Zeqo, që tashmë ka kapërcyer një numër të caktuar librash, i cili kërkon t’i verë fre Imagjinatës, -për atë çfarë ka shkruar ai i sillet kohës si një problem që pret për ta zgjidhur.
Moikom Zeqon që prej këtij çasti jam duke e shpallur ” të pafajshëm” si një shpirt i (pa)zbrazur prej tërë të përbrendëshmeve të veta.


Ai që pret” të gjykohet” dhe”” të anatemohet për këtë ‘’krim’’ të përbindshëm që ka kryer.


Ai është Moikom Zeqo,- që është duke u bërë një emër i përveçëm dhe që “Gjykatësin” për “dënimin final” është duke e pritur.

Nëse çdo krijues do të ketë kaq probleme me bashkëkohësinë ai qoftë i mirëseardhur.

Sepse harta si e tillë do të bëhet edhe më e vështirë për ta naviguar.

Moikom Zeqo është një krijues që vuan dhe vendos të nxjerrë dhimbjen e vet jasht për t’ia dhënë atë Kohës.

Por kur një poet arrin ta realizoje atë artistikisht bota duhet të falet para “krimit” shoqëror të ” moskuptimit.”

***

Mos vallë një poet flet ta dëgjojë vetëm e Ardhmja?

Ndryshe ata të gjithë do të kishin qënë në radhë të pritjes për të vdekur.

Cili vesh i kohës është shurdhuar,- cila pritje në vetmi është djegur?

Ndoshta tërë poetët po qajnë nën Hënë – në një farë mënyre për t’u çliruar prej moskuptimit dhe janë krejt të pafajshëm, sepse ata fillojnë të matin Kohën mbrapsht ,-ndërsa janë duke zbuluar të Ardhmen.

Sikur të ishte dhënë një pasqyrë e tillë për të parë se ç’ndodhte brenda nesh në të njëjtën kohë kur ne prej turpit do t’i kishim fshehur shpatat.

***

Për nga informacioni letrar përmes historisë së shkrimit Moikom Zeqo është një Borges shqiptar.

Por edhe kaq nuk mjafton sepse çdo shembulli të nxjerrë prej harresës së madhe ai përdor mënyrën gati të pagabueshme të palimpsestit.

Ai zbulon vetëm e vetëm përmes letërsisë duke shmangur sa të jetë e mundur historizimin e faktit.

Ai që ka shkruar aq shumë duket se ka për të thënë edhe më tepër akoma.

Një burim i pashtershëm energjie.

Dhe gjithçka variacione të një mendjeje të vetme.

Për të sfiduar jo vetëm të Sotmen por edhe të Ardhmen.

Një produkt që do të mbetet ndoshta i papërkufizueshëm.
Krijuesi- kjo pemë e lashtë që lëshon rrënjët shumë thellë në kërkim të ujit i siguron Përjetësinë një gjallese të ushqyer me frymë.

Dhe sipër me një kurorë të mahnitshme-një brerore e hapur enkas për të ruajtur ekuilibret e natyrës.

Kështu iu shfaq Moikom Zeqo letërsisë shqipe në vitet ’60-70.

Një djalosh që e respektoi traditën për t’u shkëputur nga ajo- e për t’iu bashkëngjitur më vonë zhvillimeve të saj të vrullshme.

Moikomi nëpërmjet sasisë ka pushtuar (sublimuar) cilësinë-një mënyrë që më së shpeshti u ka sjellë dështimin iniciuesve të saj.

Zotërimi i një lënde gjer në pakufi na ndërmend mendjen zotëruese të saj-një ekstrakt artistik i ngjajshëm vetëm me Kozmogoninë.

Sa e vështirë është t’i afrohesh prej një pike të vetme kësaj krijimtarie që e ve çdo lexues përballë një linçimi.

Moikom Zeqo bëhet kështu gati i papërballueshëm.

Veçse pas çdo faqeje kureshtja e lexuesit ndizet edhe më tepër.

Nuk i ikën më dot këtij lumi pasi të ka rrëmbyer me vete.

Je duke notuar si mbi krifat e një përbindshi.

Askund në letërsinë shqipe nuk e kemi ndeshur një popullim të tillë aq sa të bëhet e vështirë për të dalë prej Xhunglave të Historisë dhe Labirintit të Mendjes Njerëzore.

Dhe është vetëm një mendje në roje të saj që përshkon njëkohësisht Mitin dhe Historinë.

Kjo makinë e përbindshme punon vetëm me gjak dhe me frymë, duke e mbajtur përherë nën një kërcënim të vazhdueshëm trupin e krijuesit të vet.

Dhe nëse do t’i përmbahemi këtij vështrimi rreth dukurisë që e ka emrin Moikom Zeqo diku këtë fill do ta kem humbur.

Duke ushtruar një presion të madh mbi lexuesin ka rrezik që ta nxjerrë atë “ jashtë loje.”

Sepse lexuesi i Moikom Zeqos nuk merret nga rruga,- por përzgjidhet për shkak të një kulture dhe formimi estetik,- jo të zakonshëm.

Pra ky krijues elitar krijon edhe lexuesin e tij elitar.

Le ta ndihmojmë sadopak kulturën tonë të varfër për ta bërë atë sa më konkuruese me letërsinë e Perëndimit që është duke na pritur në gjirin e saj.

Moikom Zeqo është një shembull i shquar,unikal i kësaj përpjekjeje.

Çdo krijues ka një raport të caktuar me letërsinë e vendit të vet.

Moikomi këtë raport e ka më të komplikuar.

Përgjatë gjithë krijimtarisë së tij këta raporte do të na ndihmonin për të kuptuar vet ecurinë e letërsisë sonë ndërsa poeti e shkrimtari nuk reshti së kërkuari duke përvijuar një Kulturë të Re Shkrimësie.

Përveçse poet i metaforave brilante e të panjohura më parë në letërsinë shqipe, duke mos iu shmangur vijës letrare e shprehu atë përmes shumë formave të tjera e temave që e mbajtën lidhur fort edhe me traditën më të vyer të shqipes.

Poeti modern i mbajti këto lidhje të forta gjatë gjithë jetës së tij letrare.

Ajo çfarë shihet në Panteon është vazhdimësi e vlerave që ngjiten gjer aty përmes një konkurence të ashpër, të paktat e herëve triumfale dhe të shumtët e herës fatale.

Moikomi i përket kastës që me “ përdhunë artistike” është ngjitur atje lart.

Siç kemi vënë re shpesh emri i Moikom Zeqos i mungon listave,- që mëtojnë të ndajnë meritat dhe vlerat.

Kjo mënyrë perceptimi e letërsisë ka lidhje më tepër me frikën e hartuesve të saj,- se mos shpërbën krejt shpikjen e tyre tinzare.

Por një emër ndjehet më mirë kur bëhet shkak për të zbuluar këtë mashtrim të madh.

Meqënëse sondazhet për letërsinë do të japin përherë një rezultat të shtrembër nëpër lista do të gjesh emra poetësh e shkrimtarësh,- që deformojnë shijet letrare por na përballin edhe me nevojën për vendosjen e një jerarkie të vërtetë të vlerave që pritet t’i përcillen së Ardhmes.

Ndoshta pas kësaj anomalie Moikom Zeqo është aty ku mungojnë të tjerët dhe me letërsinë e vet rrit bonuset e saj si sfidë ndaj bashkëkohësisë për ta shndërruar atë në test të së Ardhmes.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas