Editorial

Për një PD që i jep shans shoqërisë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:40 - 04/07/20 |
Nga Erald Kapri

Partia Demokratike nisi një proces brenda vetes për të gjetur kandidatë të denjë për sfidën e rotacionit duke i besuar anëtarësisë së saj, në propozime dhe votime. Thelbi i udhëzimit është ndërtimi i një ekipi të ri me të cilin Partia Demokratike do të marrë përgjegjësi nesër në pushtet.


Anëtarësia do të ofrojë propozimet e veta dhe me votë do përcaktojë se kush duhet të përballet me kundërshtarët politikë. Nga një anë, anëtarësia do të zhurmojë gjatë muajve të verës, nga ana tjetër në vjeshtë nis fushata elektorale me ekip të gjerë dhe parti më të bashkuar.


Ky proces është një shans për të djathtën shqiptare që krahas hapjes së saj, të hapë edhe një dialog me të gjithë shoqërinë. Një ekip prej qindra kandidatësh potencialë nuk duhet të jenë gjë tjetër veçse një thirrje për bashkëqeverisje me qytetarët.


Ndaj ky është një moment që demokratët duhet ta kapin prej brirësh. Sfidat në këtë fund mandati janë të shumta, nga fitimi i besimit, te një program zgjidhjesh konkrete. Rotacioni nuk duhet të shihet si dëshirë por si domosdoshmëri për të nisur një fillim të ri.


Këtë proces demokratët duhet ta shohin si sfidë brenda vetes. Secili duhet të pyesë veten nëse është i gatshëm të japë, jo të marrë. Politika i ka marrë shumë shoqërisë ndaj ka ardhur koha që t’i kthejë mbrapsht shansin dhe mundësinë shoqërisë shqiptare për të fituar liritë dhe mirëqenien. Partia Demokratike është “e dënuar” t’i japë shoqërisë këtë shans për ndryshim.

Demokratët do të kenë përpara sfidën e besimit. Kandidatët demokratë nuk duhet të jenë vetëm të PD-së por të të gjithëve.

Ka ardhur koha për vendime të forta. Zgjedhjet fitohen nga kandidatë që votohen, ndaj PD dhe lidershipi i saj nuk duhet të ketë më asnjë kompleks.

Sfida tjetër është ofrimi i zgjidhjeve përfundimtare. Demokratikët i kanë qëndruar larg joshjes së krimit ndaj sfida e tyre do jetë mposhtja totale e tij. Republika e drogës dhe krimit duhet të marrë fund. Programi qeverisës duhet t’i ngjajë një angazhimi të gjerë publik, shoqëruar me garanci shtesë për t’i dhënë besimin e duhur shoqërisë.

Më së pari, PD duhet të adresojë problemet e vjetra me zgjidhje të reja, nga çështja e pronës, te memoria historike, ndërtimi i një shoqërie më solidare, lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, një politikë ndryshe të taksave ku të mos tatohet më vetëm puna por edhe kapitali, për një konkurrencë të ndershme dhe një qeveri të vogël.

PD duhet t’i besojë ideologjisë së saj se qeveria është vetë problemi ndaj duhet ta zvogëlojë atë, paralelisht të rrisë liritë dhe mundësitë e qytetarëve në një treg sa më të hapur.

Ndaj, nëse do duhet ta përkufizojmë lëvizjen e fundit të PD, mund të ishte; shansi i demokratëve duhet të njehsohet me nevojën e shoqërisë për një fillim të ri!


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas