Mapo Letrare

Për poezinë universale, pangjashmërinë e poetëve dhe lavditë e rreme






               Publikuar në : 15:11 - 20/07/19 |
mapo.al

(Bashkëbisedim me Shkrimtarin dhe Akademikun shqiptar Moikom Zeqo)


 PYETJE: Megjithëse mendohet se letërsia e viteve ‘30 ka qenë një letërsi me një vezullim të veçantë, përsëri e dijmë mirë se ajo akoma nuk është ndriçuar aq mirë nga studiuesit dhe kritika. A keni diçka të na thoni për letërsinë e kësaj periudhe?

Vitet ‘30 për letrat shqipe kanë ndriçim të brendshëm, të stimuluar edhe nga risitë e Letërsisë Europiane, nga emra të till të mëdhenj si Konstandin Kavafi, Georg Trakli, Godfrid Beni, Pol Celan, si dhe Rilke e Tomas Elioti  si dhe Ezra Poundi

Në të vërtetë talentet e mëdha europianë të vitëve ‘30 ndryshuan konceptualisht diçka shumë të rëndësishme në rrymën e ekspresionizmit universal, pra jo vetëm në poezi, por edhe në prozë dhe estetikë, madje dhe në pikturë. Kujtojmë: Qarkun e Vjenës, Gustav Klimt, Oscar Kokoshka etj. Por  dhe në muzikë me Shenbergun dhe Alban Bergun.

Në Shqipëri, për herë të parë, që nga Gjon Buzuku, me figurën madhore dhe me talentin e jashtëzakonshëm të Migjenit, ne marrim pjesë  në “letërsinë ekspresioniste europiane.”

S’mund të harrojmë që poetët dhe shkrimtarët shqiptar, edhe të Romantizmit, si De Rada, Serembe apo dhe Naim Frashëri,” qenë shpesh  më të vonuar në kohë,” dhe s’munden të marrin përmasa ndryshuese të letërsisë së shekullit XIX.

Migjeni është padyshim poeti dhe shkrimtari i një moderniteti të ri. Deri tek Migjeni, pavarësisht emrave me arritje të admirueshme si Lasgush Poradeci, prap kemi gjithashtu një “romantizëm të vonuar”. Askush përpara Migjenit, nuk e kish krijuar letërsinë si një substancë egzistenciale, si një enigmë “të njeriut dhe njerëzimit.”

Migjeni mbetet në tërë letërsinë shqipe si krijuesi me një liri të pamatë, që e kërcënon dhe e hedh tutje shëmbëlltyren kaq shumë të përhapur tek ne “ të shkrimtarit klientelist”. Në këtë pikpamje Migjeni mund të quhet “një modul ose monadë arketipale e Lirisë Krijuese.”

Letërsia e Realizmit Socialist në fakt nuk e vazhdoi as rrugën dhe as konceptualitetin gjenial të   Migjenit. Por dhe ajo ka të veçantën e saj, sidomos në konstruktimin e një epike të kohës, por dhe të një romantizmi “revolucionar, të vonuar “por pa u thelluar aspak në hulumtimet e brendshme, dilemat, paradokset inkandeshente  “ të njeriut dhe njerëzimit”.

Për fat të keq, sipas mendimit tim, edhe pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar, poezia dhe letërsia, (tashmë të çliruara nga diktati doktrinar i Realizmit Socialist, po si një dorashkë e kthyer mbrapsht, pati  “frymëzime militante “ të një  Realizmi Demokratist), në shumë aspekte u mbështet në imitime,  nuk u zbuluan origjinalitete të reja në iluminimin e subjekteve, të shpirtit dhe të shoqërisë, pra paradoksalisht nuk e ndoqën hullinë migjeniane.

Prandaj në librin tim “Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit” e kam quajtur Migjenin “pa paraardhës dhe pa pasardhës”.

 

PYETJE: Ju njihni jetë të ndryshme shkrimtarësh dhe njerëzish të dijeve. A ka ndonjë përngjasim jeta e ndokujtë me tuaj, për nga shqetësimet dhe lavditë e veta, për nga sukseset apo travajet dhe keqkuptimet, me stilin e krijimit dhe me shkrimin e korpusit të studimeve?

Nuk besoj që jeta e një shkrimtari është e ngjashme me jetën e një shkrimtari tjetër. Kuptohet që veprat e shkrimtarëve të mëdhenj ndikojnë te çdo shkrimtar, por pa e përcaktuar identitetin e tij përfaqësues.

Çdo shkrimtar është i papërsëritshëm jo vetëm si qenje njerëzore, e përkohëshme, efemere, por edhe në veprën e tij, (që mund të mbijetojë, po mbase dhe jo), shkrimtari identifikohet më shumë si krijim, se sa si krijues, pra jo si demiurg.

Shikoni se sa të çuditëshme janë nganjëherë lidhjet mes shkrimtarëve.

Para disa vitesh më ra në dorë libri me tregime “Hotel “Klepsidra”” e Bruno Shulcit. Duke e lexuar, thoja, “tamam si Migjeni”. Dhe kjo në të vërtetë i tejkalonte dhe kapërcente çdo teori algoritmi të lidhjeve të njohura dhe të panjohura midis njerëzve. Por jetët e Bruno Shulcit me atë të Migjenit nuk kanë farë përafërsie, ose pika takimi.

Nuk di që të krahasoj shkrimtarët shqiptarë me shkrimtarë, as të Ballkanit dhe as të Europës, sepse në të vërtetë më duken se nuk krijojmë asnjë mundësi ngjashmërie.

Po marr De Radën e madh. Eshtë krejt i çuditshëm dhe i pangjashëm me tërë poetët romantikë  të Italisë në shekullin XIX, madje dhe me Leopardin. Narrativa e tij gjeniale poetike, në 1836, (“Milosao” ) është kryevepra më e madhe poetike edhe sot.

Merrni Këngën e Parë, ku De Rada flet për “Lumbardhën e Anakreontit” dhe pyjet e ripërtrirë me drurët e rinj, dhe detet e rimbushur me ujra të reja. Me këtë poetikë, rinovuese, paraprijëse De Rada si askush i kapërcen kufinjtë e Romantizmit dhe paraqitet si poet paraprijës i Simbolizmit.

Po rilexoja këto ditë “Rubairat” e Omer Khajamit, të kthyera në anglisht nga Fitzgeraldi. Me 100 rubaira ai mbeti në poezinë angleze si një poet i madh, dhe jo thjeshtë si një përkthyes.  Ai me të drejtë është quajtur nga Borgesi “si poet i shkëlqyer anglez, me aluzione dhe frymëzime persiane.”.

Kurse Noli ynë shqipëroi më mrekullisht  300 rubaira. Dhe unë e them me bindje të plotë, se libri poetik i rubairave e tregon Fan Nolin si një poet të jashtëzakonshëm, dhe këto përkthime mund të konsiderohen si “Një Bibël e Vogël e Lirisë”. Asnjëherë poezia shqipe nuk e ka arritur përsosmërinë e një prozodie të tillë, dhe Noli është me siguri një poet i nivelit europian, madje në disa aspekte edhe më shumë se Fitzgeraldi.

Po kujtoj dhe një poemë Noliane të tillë, si “Rend or Marathonomak”, që për nga fuqia ndjesore dhe semantika figurative, nuk qendron aspak më poshtë se sa “Albatrosi” i Sharl Bodlerit.

 

PYETJE:- A mund t’i thoni lexuesit tonë rrethanat e para të marëdhënies suaj me letërsinë, dhe më tej, zhvillimet e veçanta dhe interesante të raporteve tuaja me librat dhe botimet.

Poezitë e para i kam botuar kur isha 13 vjeçar, në gazetën “Drita”, ku ishte redaktor Ismail Kadare.

Deri në moshën 20 vjeç unë kisha botuar dy libra poetikë, “Vegime të vendlindjes” dhe “Qyteti Feniks”. Në 1970, mbas mbarimit të studimeve të mia universitare, punova në redaksinë e gazetës “Drita”, dhe botova shumë cikle poetike në “Drita”, Zëri i rinisë”, Nëntori” etj.

I kritikuar rëndë për hermetizëm dhe ndikime të huaja, nga vetë Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, më dërguan për disa vite si mësues i thjeshtë në Rrogozhinë. Në atë kohë pata një zhgënjim të madh nga poezia. Mund të them se librin tim të tretë “Ditët”, e botova pas 16 vjetësh, me 1986.

Ndërkohë që poeti më i  madh i Kosovës Rrahman Dedaj, dhe redaktori i “Rilindjes”, prozatori modern Anton Pashku, kishin botuar  më 1974, një përmbledhje të cikleve të mia me poezi, libër me titull “Brenda vetes”- (poezitë që më ishin kritikuar në Plenumin e IV-t.). Por unë këtë gjë e mësova vetëm në vitin 1991. Nuk e kisha idenë, se qe botuar ky “libër ilegal “ jashtë kufijve të Shqipërisë. Libri ishte përshëndetur nga kritika dhe shkrimtarët e Prishtinës. Fjala vjen shkrimtari Isuf Buxhovi, (që e kishte promovuar librin me anë të një eseje tejet vlerësuese).

Braktisja prej 16 vitesh e poezisë nga ana ime, bëri që unë të merresha me studimet për arkeologjinë, pra në një farë mënyre Historia u bë për mua” një Strehë Trancedentale.” Kryesisht në vitet 1987-1991, unë shkruaja poezi nëpër blloqet, ku studioja subjektet arkeologjike.

Me 1988 unë mora pjesë si arkeolog në Kongresin Ndërkombtar për Ilirinë dhe ilirët, që u bë në Hildeshajm të Gjermanisë Federale, ku mbajta një kumtesë për veprat e artit arkaik dhe klasik, të shekullit 7 dhe 5 para Krishtit në Durrës. Në Hildeshajm fasadat e  shtëpive ishin me  vargje të poetëve Holderlin, Gëte, Hajne, dhe kjo mu duk një mrekulli marramëndëse, një alarm me trumpeta apokaliptike për t’u  rikthyer përfundimisht tek  poezia.

Lexoja në frëngjisht një libër të mistikut Gurshev dhe vetvetiu shkruaja sinopse poetike, gati si ekuacione algjebrikë metaforash. Eshtë pikërisht viti 1988 dhe ”rikthimi im tërësisht tek poezia”, që unë mendoja se “më kishtë tradhëtuar”, por në fakt e kisha “tradhëtuar” unë atë. Pikërisht poezitë e kësaj kohe, me një timbër të ri rinovues, konceptualizues, i kam përfshirë në librin e sapobotuar “Përjetësi me qera”.

Titulli është ironik, për lavditë e rreme, sepse Përjetësia nuk jepet me qera, as nuk shitet e as nuk blihet, por është e vetmjaftueshme, dhe të vjen pas  vetëm ahere, kur nuk e kërkon.

Për shumë vjet e kam botuar Korpusin tim Poetik me emrin latin “Miscellanea”, që në shqip do të thotë “Përzgjedhje”.

Por  përkëthimi në anglisht i librave të mi poetikë në SHBA nga poeti i madh amerikan dhe Profesor ne Universitetin e Denverit Wayne Miller, qe në fakt një Resurrection!

Afro 12 poetët më të  shquar amerikanë kanë botuar ese dhe shkrime vleresuese në revistat autoritative dhe shtypin  letrar  amerikan të specializuar  për librat e mi poetikë. Këtë vit Miller boton  në Amerikë  edhe librin tim të prozës “Shitësit e Kaosit “

Faleminderit!

Bashkëbisedoi Mark Simoni


Etiketa: ,

Pas