Kur në dhjetorin e vitit 1941, Japonia ndërmori sulmin kundër marinës ushtarake të SHBA, pavarësisht fitores momentale, dhe rrënimit të flotës navale amerikane Admirali Isukoko Yamamoto strategu që hartoi sulmin nuk u përfshi nga entuziazmi njësoj si vartësit e tij.
Deri më atë kohë Japonia kish ndarë shenja miqësie me SHBA-të të papërfshira në konfliktin e Luftës së Dytë Botërore. Ky sulm, bëri që ajo të përfshihej në një ndërmarrje të gjatë dhe të përgjakshme luftarake deri në përfundimin e saj. Japoninë do e ndëshkonte dhe më rëndë, duke i lëshuar bombat atomike në Hiroshima dhe Nagasaki. Kërkesës për të vazhduar sulmin dhe jehonës për të Yamamoto në mbrëmjen e 7 dhjetorit 1941, kur gjithçka kish mbaruar do i përgjigjej vetëm me dy fjalë “Kam frikë se zgjuam gjigandin e fjetur”.
Lulzim Basha, deklaroi në mbrëmjen e 10 shtatorit se me përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, ai kishte marrë vendimin më të vështirë të jetës së tij. Por a ishte ky vendim i drejtë… Këtë Basha nuk e sqaroi, duke marrë mbi shpinë dhe suferinën që do vinte më pas. Me vendimin që mori ai zgjoi gjigandin e fjetur brenda partisë së tij.
Sepse Basha nuk është pa mëkate. Personalisht bëj pjesë tek njerëzit që jo vetëm besojnë, por e kam bindje se në rastin e Berishës ka qenë i detyruar të veprojë ashtu, dhe se në të njëjtën formë do vepronte çdokush po të ishte në vendin e tij. Ajo çka e komprometon sinqeritetin e Bashës, është mënyra se si e ka ushtruar lidershipin në këto tetë vite. Dështimet e njëpasnjëshme në katër zgjedhje, nuk mund të harrohen. Mbështetësit e Bashës janë të mendimit se pas këtij momenti të vështirë, PD do bëhet më e fortë, por askush nuk jep rrugën se si.
Ish-kryeministri Berisha, non grata apo jo, ka të gjitha atributet në formimin dhe rritjen politike të Bashës dhe e ka bërë pa rezerva. Postin e kryetarit të partisë ai e ka dhuratë prej tij. Mbi apo nën rrogoz ishte doktori që dirigjonte vullnetin e bazës. Kandidatët potencialë e dinin se përballë vullnetit të tij ishin të humbur. Siç humbi Sokol Olldashi, në të vetmen garë disi serioze.
Rrugën e vendimmarrjes vertikale, Basha e çoi dhe më tej, duke e betonizuar partinë e cila u themelua dhe u ngrit mbi idealet e dhjetorit. Sot në vigjilje të 31-vjetorit të saj nuk mund të flasim se kemi një parti të demokratizuar. Përkundrazi kemi një parti madje më të ngurtësuar se dhe në kohën e Berishës ku distanca me bazën thellohet, mendimi ndryshe sulmohet. Dhe në rast se me Berishën kjo ka dhënë rezultat pasi ai arriti të ringrihet nga hiri dhe të vijë në pushtet pas ngjarjeve të vitit 1997, s’mund të thuhet e njëjta gjë dhe për Bashën.
Sot akuzat që artikulon nga goja e Berishës janë të rënda. Flitet për marrje peng të kryetarit të Partisë, për pazare me Ramën, për shkatërrim të qëllimshëm të PD-së. Në rast se deri dje, këto akuza vinin nga shërbyesit e pushtetit sot kanë zërin dhe gishtin Sali Berishës.
Fjala e tij ka peshë jo të vogël në bazën e të djathtëve, dhe heshtja e Bashës nuk shërben për asgjë. Në rast se do mbajë shpresën te forumet duke shmangur anëtarësinë, atëherë hendeku mes tij dhe bazës do bëhej i pakapërcyeshëm. Sepse mund të varë shpresat vetëm te ndonjë mrekulli që do të bëjë SHBA, por kurrsesi te mbështetja e demokratëve. Por a mund të fitojë Basha zgjedhjet vetëm me ndihmën e amerikanëve në rast se humb besimin e anëtarësisë?
Dhe në këtë mes nuk është vetëm çështja e doktorit!
Sot kupola e PD sillet si kastë aristokratësh, sikur titujt dhe postet i kanë të trashëguara. Injorohen ata që kanë mbështetur çdo kauzë, për Berishën a për Bashën qoftë, duke sakrifikuar shumë më shumë se ata. Janë burgosur, rrahur, përjashtuar nga puna për shkak të bindjeve të tyre, por s’kanë dëgjuar qoftë dhe një fjalë ngushëllimi nga kryetari i tyre.
Vetëm zhgënjim
Lulzim Basha s’mund t’i lërë pa përgjigje akuzat që vijnë nga ati i tij politik, as deputetët besnikë assesi s’mund të bëhen avokatë të tij. Në rast se përjashtimi nga grupi parlamentar ishte vendimi i jetës së tij, përballja me Berishën duhet të shndërrohet në betejën e jetës së tij. Basha e ka moshën ta kuptojë se partia nuk është një lodër që të dhurohet. Me të janë të lidhura fatet dhe afeksioni shpirtëror i qindra mijëra njerëzve, anëtarë, mbështetës, simpatizantë, që janë përballur me bandat e jugut në vitin 1997.
Sot Basha e ka detyrim të sqarojë te çdo anëtar i PD-së pozicionin e tij… Të kundërshtojë me fakte dhe argumenta pretendimet për pazare mes tij dhe Ramës. Të rifitojë dhe një herë besimin e demokratëve duke kapërcyer mbi dështimet e tij. Në rast se fajtori ka qenë Berisha për të gjitha këto që kanë ndodhur, atëherë baza do të dijë të gjykojë.
Basha duhet të testohet nëse është vërtet kryetari real i asaj partie, dhe nëse mbështetja që ju dha në zgjedhjet që ai zhvilloi pa lëshuar karrigen e kryetarit, është ajo që pretendohet. Por kjo nuk bëhet duke u fshehur nën sqetullën e Sali Berishës siç ka bërë deri më tani, por në përballje me të.
Ishte Basha që e zgjoi gjigandin e fjetur i detyruar ndoshta dhe nga rrethanat po kjo pak rëndësi ka, tashmë duhet të bëjë luftën e tij.