Aktualitet

Përballë COVID-19 nevojitet një ‘Projekt Manhatan’





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:00 - 07/04/20 |
mapo.al

Nga Seth Berkley


Ekziston një garë e paparë për të zhvilluar një vaksinë kundër sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes koronavirus 2 (SARS-CoV-2). Me të paktën 44 vaksina në fazën e hershme të zhvillimit, çfarë rezultati mund të presim? A do të jetë vaksina që kapërcen e para vijën e finishit më e sigurta dhe më e efektshmja?


Apo do të jenë vaksinat më të mirë-financuara që do të bëhen të disponueshme, apo ndoshta ata që përdorin teknologji vaksinash me pengesa më të pakta rregullatore?


Përgjigja mund të jetë një vaksinë që shënon plus në të gjitha këto pyetje. Nëse duam të maksimizojmë shanset për sukses, dhe të kemi doza të mjaftueshme për t’i dhënë fund pandemisë së COVID-19, përpjekjet aktuale të parcelizuara nuk janë të mjaftueshme.


Nëse ndonjëherë ka pasur nevojë për një përpjekje të koordinuar globale për zhvillimin e vaksinave duke përdorur një qasje “të madhe shkencore”, rasti është tani.

Ekziston një shembull i fortë i përpjekjeve shkencore të financuara nga publiku, në shkallë të gjerë, e cila bashkoi ekspertizën dhe burimet globale drejt një qëllimi të përbashkët.

‘Projekti Manhatan’ ishte ai i krijimit të shpejtë të armës bërthamore (megjithë implikimet e tmerrshme për njerëzimin) përmes një qasje që mundësoi që shkencëtarë nga shumë vende të punojnë së bashku.

Projekti ‘Human Genome’ dhe CERN (Organizata Evropiane për Kërkime Bërthamore) angazhojnë shkencëtarë nga e gjithë bota për të zhvilluar kërkime themelore në laboratorët e tyre përmes punës ekipore lokale dhe virtuale. Zbatimi i kësaj qasje të madhe, të koordinuar për zhvillimin e një vaksine SARS-CoV-2 jo vetëm që do të shpëtojë qindra mijëra jetë, por do të ndihmojë gjithashtu që bota të përgatitet më mirë për pandeminë tjetër.

Një iniciativë e kësaj shkalle nuk do të jetë e lehtë. Ndarja e jashtëzakonshme e informacionit dhe burimeve do të jetë kritike, duke përfshirë të dhënat për virusin, kandidatët e ndryshëm të vaksinave, linjat qelizore dhe përparimet e prodhimit.

Lejimi i përpjekjeve të ndryshme për të ndjekur rezultatet e tyre gjatë fazave të hershme do të sjellë një konkurencë të shëndetshme që është thelbësore për përpjekjet shkencore.

Më pas duhet të vendosim se cilët kandidatë për vaksinë kërkojnë hulumtime të mëtejshme thjesht në bazë të meritës shkencore. Kjo do të kërkojë një punë të mbështetur nga shumë agjenci qeveritare, organizata të pavarura si Koalicioni për Inovacione të Përgatitjes Epidemike, dhe kompani farmaceutike dhe bioteknike për të siguruar që asnjë vaksinë candidate, potencialisht e rëndësishme, të mos humbasë.

Vetëm atëherë mund të fillojmë të ngushtohemi tek ata kandidatë që duhet të përparojnë në të gjitha fazat e provave klinike. Kjo listë e shkurtër gjithashtu duhet të identifikojë kandidatët që mund të zhvillohen, aprovohen dhe prodhohen në mënyrën më efikase.

Gjykimet duhet të kryhen paralelisht, jo rradhazi, duke përdorur modele adaptive gjykimi, të optimizuara për shpejtësinë dhe të testohen në popullata të ndryshme në vende të pasura dhe në zhvillim, nga fëmijët deri tek të moshuarit – në mënyrë që të mbrojmë përfundimisht të gjithë.

Për shkak se virusi po përhapet shpejt, testimi do të jetë i nevojshëm në komunitetet ku mund të marrim përgjigje të shpejta – kjo do të thotë të zhvillosh prova kudo në botë, jo vetëm në vendet e paracaktuara të testimit. Puna me rregullatorët në fillim të procesit do të rrisë mundësinë e miratimeve të shpejta. Një përpjekje e koordinuar do të sigurojë që sasi të mjaftueshme në dispozicion për të gjithë ata që kanë nevojë për vaksinën, jo vetëm për ofertuesin më të lartë.

E gjithë kjo do të kërkojë fonde të konsiderueshme. Kjo është kërkesa e lartë e shkencës. Gjykimet klinike në fazën e fundit nuk janë të lira, as prodhimi i vaksinave. Edhe pse metodat e reja të prodhimit modular mund të shpejtojnë procesin dhe të shkurtojnë kostot, një strukturë e vetme vaksinimi mund të kushtojë gjysmë miliardë dollarë.

Shpërndarja po ashtu ka kosto. Pra, për të garantuar prodhimin e mjaftueshëm të vaksinave SARS-CoV-2, stimujt janë të nevojshëm për të angazhuar prodhuesit për kapacitete në shkallë të gjerë. Sa i përket shpërndarjes, organizata me përvojë në shkallë globale me vaksinat, si Gavi, do të jenë gati.

Në mënyrë ideale, kjo përpjekje duhet të udhëhiqet nga një ekip me një mekanizëm këshillimor shkencor të cilësisë më të lartë që mund të funksiononte nën kujdesin e OBSH, për shembull.

Por asgjë nuk do të jetë e mundur pa vullnet politik dhe një angazhim global nga drejtuesit e vendeve të G7 dhe G20 si dhe të organizatave shumëpalëshe, si OBSH dhe Banka Botërore. Një pandemi e kësaj madhësie, që prek kaq shumë jetë, dhe shkakton aq rrënim ekonomik, e kërkon këtë.

Në shumë mënyra, COVID-19 është më shumë se një ‘Projekt Manhatan’ për përpjekjet e mëdha shkencore, jo vetëm sepse përfshin përdorimin e shkencës dhe jo vetëm për sa i përket shkallës, por sepse është një çështje globale e sigurisë. Në garën për të zhvilluar një vaksinë SARS-CoV-2, të gjithë duhet të fitojnë. /Science

Autori është drejtor ekzekutiv në Vaccine Alliance, Gjenevë, Zvicër.

/Përktheu: Mapo.al/

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas