Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi dhe kreu i grupit të PS Taulant Balla ndodhen për vizitë në Hagë për të bindur holandezët se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave.
Gjatë seancës dëgjimore të deputetëve shqiptarë me homologët holandezë në Hagë, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, duke adresuar shqetësimin për rritjen e kriminalitetit shqiptar në Holandë, kërkoi që policia vendase të bashkëpunojë duke dhënë emrat dhe vendet ku ata ushtrojnë aktivitetin.
Sipas Ballës, Shqipëria po bëhet një ndër vendet më të rrepta nga procedurat për të ndaluar pastrimin e parave. “E kanë më të lehtë ta bëjnë në Itali, sesa te ne”, u shpreh Balla.
“Lexova shkrimin e medias tuaj për shqiptarin te grupi i drogës që u kap. E quajtën të gjithë grupin e marokenëve shqiptar. Kur kishit çështjen e vizave, lexuam raportin për kriminalitetin. Keni më shumë kriminelë belgë e të kombësive të tjera”.
“Nuk jemi shumë te shqetësuar nga sasia e kriminelëve këtu, por cilësia. Për pak vite, shqiptarët janë kthyer në lider të kriminalitetit këtu. Qeveria jonë thotë se bashkëpunimi me Shqipërinë për kapjen e tyre është shumë i mirë. Miqtë duhet t’i thonë të vërtetat në sy. Unë kam votuar rezolutën, edhe pse jemi të vetëdijshëm që nuk do të marrë mbështetje nga Parlamenti Europian”, iu përgjigj deputeti holandez.
“Për Parlamentin shqiptar rezoluta juaj ishte shqetësim. Nuk na erdhi mirë, por nuk e paragjykojmë. Lufta ndaj krimit nuk ka kombësi, të rreshtohemi në bllok për ta luftuar atë”, shtoi Ruçi, raporton televizioni “A2”.