Nga Ervis Iljazaj
Është e qartë se, Edi Rama ka marrë kosto politike për shkak të ish-ministrave të Brendshëm, për çështjet që ata janë përfolur dhe largimet e tyre, të cilat kanë lënë jo pak shenjë në qeverisjen e tij.
Madje, në mënyrë pothuajse të detyruar dhe mosmarrëveshjeve midis tij dhe Xhafajt, ky i fundit u largua edhe si pasojë e linjës politike të ndryshme midis tyre.
Në fakt, Edi Rama, në mënyrë jo të zakonshme për një kryeministër, gjatë gjithë qeverisjes së tij, në mënyrë konstante është munduar të mbrojë politikisht shumë nga ministrat e tij. Duke bërë kështu, që mbështetja e opinionit publik të vihet në diskutim për qeverisjen.
Ndërkohë që, e kundërta ndodh normalisht. Në asnjë vend nuk ndodh që ministrat e përfolur të marrin kapital politik nga reputacioni i Kryeministrit. Është Kryeministri ai që përfiton politikisht nga puna e ministrave.
Në këtë kontekst, pyetja që ngrihet është: Përbërja aktuale e qeverisë me këta ministra, e ndihmon apo e pengon suksesin e ardhshëm të Kryeministrit Rama?
Është momenti që mazhoranca për hir të politikës së brendshme ose të asaj të jashtme, duke patur parasysh pritjen e hapjeve të negociatave, të ripërtërijë forcat e qeverisjes së saj.
Po të shohësh ministrat aktualë, shumica prej tyre ka pothuajse 5 vite në detyrë. Është momenti që mazhoranca për hir të politikës së brendshme ose të asaj të jashtme, duke patur parasysh pritjen e hapjeve të negociatave, të ripërtërijë forcat e qeverisjes së saj.
Historia e tranzicionit shqiptar ka treguar se, ministrat që rrinë për shumë vite në një pozicion ulin rendimentin e punës së tyre. Kjo është e natyrshme, pasi motivimi për të qeverisur pas shumë vitesh në krye të ministrisë sa vjen e ulet. Jo vetëm kaq, por shpeshherë, ministrat shumëvjeçarë rivalizojnë me Kryeministrin dhe linjën e tij të përgjithshme politike për të cilën është përgjegjës, sepse akumulojnë pushtet politik të madh.
Aq më tepër kur, Shqipëria po kalon një atmosferë të përgjithshme vettingu, ose e thënë ndryshe një proces ku parashikohet pastërtia e figurave, kryesisht në pushtetin gjyqësor.
Në këtë frymë, vettingu duhet të futet edhe në politikën shqiptare, për të dhënë mesazhin e saj se kjo çështje është marrë seriozisht.
Dhe, vettingu i politikës duhet të fillojë më së pari, nga Qeveria, kryesisht nga ministrat tetëvjeçarë, të cilët kanë menaxhuar para të qytetarëve shqiptarë për shumë vite.
Këtë gjë, Edi Rama duhet ta bëjë si kusht të domosdoshëm për të treguar vullnetin se, pastërtia e figurave duhet të fillojë pikërisht nga qeverisja. Kjo është në të mirë të mazhorancës, të procesit të integrimit dhe qytetarëve shqiptarë.
Tashmë është e qartë se, pozicioni i mazhorancës dhe vetë Kryeministrit Rama është në vështirësi përpara opinionit publik. Për shkak të akuzave që vijnë në drejtim të ministrave të tij të brendshëm, atij paraardhës dhe aktualit, kredibiliteti i kësaj qeverie, me shumë mundësi në këtë moment është vënë në diskutim.
Prandaj, vazhdimi me të njëjtin kabinet qeveritar për shumë vite, me përkufizim, dobëson suksesin e Kryeministrit. Është e natyrshme që, akumulimi i pushtetit ndër vite i ministrave kthehet në një problem për qeverisjen dhe sfidat që ajo ka përpara.
Po të mendosh që, zgjedhjet lokale janë në prag, Edi Rama, nëse vërtet kërkon të japë një mesazh që ka motivimin të vazhdojë ende të qeverisë, duhet me patjetër të rigjenerojë kabinetin qeveritar me forca të reja. Në të kundërtën, do të kthehet në një lider politik që nuk ka forcën për të orientuar politikisht vendin.