Nga Lubjana Malaj
Teksa mediat dhe portalet ishin mbushur me tituj nga më të larmishmit, lidhur me një video ku qëndronin një grup njerëzish që kishin vendosur në bankën e të akuzuarit një të re në një skenë gjyqi, ku nuk mungonin as dëshmitarët, përpiqesh të kuptosh se ku qëndron qëllimi i publikimit të një rasti të tillë? Para se të diskutojmë çështjet e moralit, çështjet etike dhe liritë e individit duhet kuptuar që njeriu është një qenie biologjike, psikologjike dhe sociale. Çështja e trajtuar ditët e fundit nga lloj-lloj të ashtëquajturash media dhe portale reflekton deformim, keqtrajtim dhe padituri referuar koncepteve, respektimit të të drejtave dhe lirive të individit.
Çfarë është morali? Përse një çështje morale personale ka fuqi të marrë përmasa shoqërore? Fjalën “moral” mund ta lidhim me sjelljet e mira dhe të këqija, dhe aftësia për të kuptuar ndryshimin mes tyre. Në përgjithësi, morali ka të bëjë me mënyrën se si duhet të sillemi me njerëzit. Morali dhe etika janë pazgjidhshmërisht të lidhura me njëra-tjetrën. Ndërkohë që mënyra se si njerëzit sot e konceptojnë moralin lidhet me gjykimin që duhet të bëjmë qoftë edhe në shkelje të ligjit. Ky gjyq moral, dëmtuar me qëllim individin, e izolon atë dhe e vë në shënjestër të masës së gjerë. Në këtë rast nuk është aspak e qartë lidhja mes etikës, moralit apo të drejtës, dallimin midis tyre, aq më pak kuptimin i njërës apo tjetrës. Në përpjekje për të dënuar një sjellje që lidhet me moralin, sillen në mënyrë joetike dhe cenojnë të drejtat e personit.
Pa analizuar dhe kuptuar të gjithë situatën në të cilën një individ është gjendur, bazuar vetëm tek sjellja e pamoralshme, ne si shoqëri shumëzojmë me zero çdo gjë. Priremi të dënojmë individin, madje shkojmë deri aty sa futemi në mendjen dhe psikikën e tij për ta përndjekur me presionin dhe gjyqin e madh social që i bëjmë. Po ne çfarë përfaqësojmë dhe çfarë roli kemi në jetën e dikujt që nuk ka lidhje me ne? Që këtu fillon të vihen në diskutim çështjet etike, dilema se ne po kryejmë sjellje të keqe duke dëmtuar një individ ndërkohë që sjellja e kryer nga ai ose ajo është e përgjegjësi e tij/saj dhe nuk ka asnjë ndikim në shoqërinë në tërësi.
Si mund të publikosh me zë dhe figurë historinë personale të dikujt dhe ta trajtosh atë gjerësisht dhe publikisht në media, në portale, pa filtra? Të publikosh në shkelje me etikën profesionale dhe kundër ligjit mediatik, në kurriz të personit? Përveçse se ky publikim është në kundërshtim me etiken personale dhe profesionale, është kryer edhe kundër dëshirës së personit, gjë që e bën vepër të dënueshme. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në nenin 121 thekson se “dëgjimi, regjistrimi ose transmetimi i fjalëve, fiksimi, regjistrimi ose transmetimi i figurave, si dhe ruajtja për publikim apo publikimi i këtyre të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”. Nga ana tjetër në Udhëzimin Nr. 9, Datë 15/09/2010 për Rregullat Themelore në Lidhje me Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Median e Shkruar, Vizive dhe Audiovizive thuhet se “media nuk duhet të përpunojë të dhëna personale apo të botojë material të siguruara nga përdorimi i kamerave të fshehura ose pajisjeve të tjera të fshehta për të dëgjuar, ose nga thirrje private apo telefon celular, mesazhe ose email, ose nëpërmjet marrjes së paautorizuar të dokumenteve ose fotografive që përmbajnë informacion personal”. Ligji duhet të gjejë zbatim dhe media apo individë pa etikë profesionale të trajtohen sipas ligjit për çfarëdolloj publikimi që bëjnë në dëm të individëve apo edhe të shoqërisë pa asnjë qëllim edukimi, raportimi apo informimi, por me qëllimin e vetëm të fitimit.
Lidhur me kuptimin dhe shpjegimin e veprës morale, besnikëria është një detyre midis dy bashkëshortëve të cilët kanë të njëjtat të drejta dhe marrin përsipër të njëjtat detyrime. Nga martesa lind detyrimi për besnikëri theksohet në nenin 50 të Kodit të Familjes. Nëse një detyrim i tillë nuk zbatohet atëherë përgjegjësia mbetet e njërit apo tjetrit bashkëshort, çështja mund të shkojë në gjykatë ose të zgjidhet midis tyre dhe rasti përfundon këtu. Askush nuk ka të drejtë të bëjë një gjyq publik për moszbatim të një detyrimi në një martesë mes dy individëve. Asnjë portal dhe asnjë faqe publike nuk mundet të publikojë video dhe imazhe të personave pa autorizimin e tyre, sepse kjo është vepër penale dhe e dënueshme për cenim e privatësie. Asnjë individ në Republikën e Shqipërisë nuk mundet të denigrojë një individ tjetër me qëllimin për të gjykuar mbi një çështje që nuk është për interesin dhe as në interesin publik.
Po promovojmë pafund jetën në një shoqëri bashkëkohore, në një shoqëri ku tentojmë të shkojmë drejtë barazisë gjinore dhe fill në një rast si ky del në pah e vërteta e zbuluar e një shoqërie patriarkale dhe me një mendësi të rrënjosur se ne kemi të drejtë mbi gjykimin e një gruaje, se ne kemi të drejtë të vendosim për të, madje edhe ta dënojmë publikisht për një sjellje personale që ajo ka kryer. Ne si shoqëri kemi nevojë për një proces të gjatë edukimi që duhet të fillojë tani, në çdo nivel arsimimi, në çdo familje, në çdo institucion deri në postet më të larta. Pas një periudhe të gjatë edukimi, duhet të reflektojmë mbi sa dhe se si na kanë ndikuar situatat ku jemi përfshirë dhe çfarë dëmi u kemi shkaktuar të tjerëve me sjelljen tonë online dhe offline.