Tenori Kastriot Tusha bëri me dije se e priste një ftesë nga organizatori i performancës artistike Ardit Gjebrea në ceremoninë hapëse të stadiumit të ri kombëtar “Air Albania”. I ftuar në emisionin “Proçesi Sportiv”, Tusha u shpreh ndër të tjera se e kishte përfytyruar ndryshe ekzekutimin e himnit.
“E prita një ftesë nga Ardit Gjebrea për të kënduar himnin kombëtar në stadium, sepse mora vesh që ai ishte organizatori. Por mesa duket, nuk e pa të arsyeshme. Gjithsesi, edhe Juliana Pasha bëri një performancë të shkëlqyer. Por duhet thënë se himni është diçka emocionuese. Duhet të të motivojë. Kur këndoja himnin më parë, ktheja kokën nga futbollistët. Ndoshta s’dinin të gjitha fjalët, por ama nxirrnin disa zanore. Unë e kisha imagjinuar ndryshe; me 10 tenorë”-u shpreh Kastriot Tusha.
Risjellim në vëmendje se më 17 nëntor performoi krahas Juliana Pashës, Aurela Gaçe, Era Istrefi dhe Flor Mumajesi.