Kërkesa e Urdhërit të Farmacistëve të Shqipërisë, ka marrë sot përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë.
Farmacistët nuk do të përfshihen në grupet me prioritet në procesin e vaksinimit kundër Covid-19, pasi plani kombëtar i hartuar nga specialistë në ISHP dhe i bazuar në rekomandimet ndërkombëtare, nuk i përfshin.
Ministria thekson se vaksinimi po kryhet sipas fazave dhe grupeve të përcaktuara të planit.
“Në përgjigje të kërkesës suaj drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet së cilës kërkohet përfshirja e farmacistëve në grupet me prioritet në procesin e vaksinimit kundër COVID-19 ju bëjmë me dije se:
Plani kombëtar i vaksinimit ndaj COVID është hartuar nga ekspertë, specialistë në Institutin e Shëndetit Publik në politikat e vaksinimit dhe është bazuar në rekomandimet ndërkombëtare në lidhje me vaksinimin.
Vaksinimi ndaj COVID po kryhet sipas fazave dhe grupeve të përcaktuara në këtë plan. Duke iu falënderuar për mirëkuptimin” – shkruhet në letrën që mban firmën e zv/ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli.