Bashkia e Tiranës ka vijuar me investimet në krijimin e hapësirave publike. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, inspektuan mbylljen e punimeve në zonën e Don Boskor ndërsa vlerësuan transformimin që ka pësuar ky bllok banimi, përfshirë gjithë lagjen “Don Bosko”.
“Mjafton të kujtojmë si ishte kjo hapësirë, për të kuptuar sa i rëndësishëm është bashkëpunimi për ta bërë qytetin më të jetueshëm për qytetarët, e veçanërisht fëmijët. Mbaj mend kur kemi ardhur këtu në fillim, njerëzit na thoshin: Mos na i hiqni makinat. Këtu ishte gropë septike, por thoshin aman makinat! Pse ky është qyteti i ëndrrave tona? Jo, qyteti i ëndrrave tona është ky komunitet, ky transformim”, deklaroi Veliaj.
Fëmijët për kryebashkuakun janë qytetarët më të rëndësishëm të qytetit
“A nuk na mësuan diçka fëmijët me historinë e mbjelljes së pemëve? Falë tyre mbollëm 122 mijë pemë sepse secili thoshte: dua të mbjell pemë për ditëlindje. Fëmijët po na mësojnë gjëra që ne të rriturit i kemi harruar, edhe për mënyrën se si e përdorim hapësirën publike. Sot në një qytet me 1 milionë vetë, 300 mijë janë fëmijë. A nuk e meritojnë ata 1/3 e hapësirës së qytetit? Kjo është arsyeja pse po ndërtojmë kënde lojërash në çdo lagje”, tha ai.
Sipas tij, investimet e kryera, por edhe vëmendja e Bashkisë së Tiranës për të ndërhyrë aty ku ka probleme, ka mundësuar që për të tretin vit radhazi në “Don Bosko” të mos ketë më përmbytje.
“Mbaj mend kur erdhëm në 2015-ën, drama më e madhe nuk ishte kjo ndërhyrje kapilare në nivelin fundor të lagjes, por Rr. “Don Bosko” që përmbytej çdo vit. Sot është viti i tretë që “Don Bosko” nuk përmbytet; pra, ndryshimi si dita me natën! Do të thotë që kur ne shqiptarët e mbajmë mendjen tek puna, nuk pengojmë e nuk i vëmë stërkëmbsha njeri tjerit, sot Don Bosko ka dalë në dritë”, deklaroi ai.
Veliaj theksoi se përfitimi për banorët nuk vjen vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke marrë një kënd çlodhës, por edhe duke iu shtuar vlera e pronave të tyre. veliaj përshëndeti gjithashtu dhe vendimin e bashkisë për të ndaluar përdorimin e qeseve plastike.