Fakulteti i Shkencave të Natyrës po lufton që të mbajë në pronësi Kopshtin Botanik, të cilin e ka përdorur si laborator, që prej krijimit të tij në 1971. Me anë të një VKM-je, qeveria “Rama” ia ka kalaur pronësinë Bashkisë së Tiranë.
Sot u zhvillua seanca e radhës në Gjykatën e Apelit Administrativ pas padisë së depozituar nga Rektorati i Universitetit të Tiranës ndaj Qeverisë dhe Bashkisë.
Gjykata u shpreh se padia e UT-së që kundërshton vendimin e Qeverisë është në rregull nga ana juridike dhe në seancën e radhës trupi gjykues do të vendosë për kompetencën e gjykimit të çështjes. Kjo pasi Bashkia e Tiranës ka kërkuar që çështja t’i hiqet Apelit dhe të rikthehet në Shkallën e Parë.
Dekani i Shkencave të Natyrës, Spiro Dushku, në një prononcim për mediat pas vendimit tha se gjyqtarja ka vlerësuar të vlefshme padinë e Rektorit për të kundërshtuar vendimin e Këshillit të Ministrave që i jep 15 ha tokë bashkisë së kryeqytetit.
Pedagogët thonë se janë në të drejtën e tyre dhe kërkojnë përkrahje dhe mbështejte për të drejtën që u takon.
Studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës ishin para dyerve të gjykatës sot duke pretenduar se po merret pa të drejtë kjo pronë e universitetit për tu tjetërsuar për llogari të bashkisë.
Ndërkohë Dekani i FSHN-së, Spiro Dushku, tha se në këtë betejë kanë marrë mbështetje dhe nga shoqata ndërkombëtare e botanistëve.
Ai iu përgjigj “akuzave” të hedhura në media nga kryetari i bashkisë se kopshti botanik është kthyer në landfill dhe nuk nxjerr fitime.
“Ne nuk jemi dyqan që shesim gjëra. Ai është një kopsht që përdoret për arsye shkencore, nuk është për qëllime argëtuese”, tha ai.
Lexo edhe:
Botaniku/ Studentët dhe pedagogët: Bëjmë shkurre, jo raketa kozmike