Pas grupit parlamentar të Partisë Demokratike, edhe “Opozita e Bashkuar” vendos unanimisht djegien e mandateve të deputetëve. Ky ka qenë vendimi i marrë sot në mesditë nga takimi i Lulzim Bashës me krerët e partive aleate në opozitë në zyrën e tij në PD, pasi më herët kishte takuar kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Pas takimit, në një prononcim për mediat, Basha tha se vendimi për djegien e mandateve është tashmë një vendim i “Opozitës së Bashkuar”.
“Konsultimi, koordinimi me aleatët e PD, me të cilët kemi përballuar sfidat me këtë shtet të kapur nga krimi ka qenë dhe mbetet konstat. Ky i sotmi ishte një takim pune dhe padyshim që vendimi për djegien e mandateve është një vendim i opozitës së bashkuar”, u shpreh Basha. Kreu demokrat e konsideroi vendimin e “Opozitës së Bashkuar” si moment kyç në historinë e pluralizimit. Basha kërkoi vëmendje maksimale te ky moment.
“Sot ka ndodhur një akt i paprecedentë në historinë e pluralizimit. E gjithë opozita ka marrë një vendim për t’iu bindur urdhrit të qytetarëve që u derdhën në protestën e 16 shkurtit. Edi Rama nuk është më kryeministri i shqiptarëve. Është kapur nga prokuroria shqiptare dhe është demaskuar nga Zëri i Amerikës si hajduti i zgjedhjeve të 2017-s. Parlamenti nuk është legjitim dhe ky është shkaku i pasojave që mblodhi qytetarët në shtet. Është kolapsi total i sistemit arsimor, është papunësia, varfëria ulur këmbëkryq. Është gjendja e shëndetësisë shqiptare, është ekonomia dhe emigracionit që po zbraz Shqipërinë. Janë këto probleme që kërkojnë zgjidhje. Edi Rama nuk mund t’i japë këto zgjidhje për arsye se qeveria e tij është produkt i krimit dhe oligarkëve.
Pas u kap duke vjedhur 30 mln euro tek Unaza me një kompani që nuk ekziston, nuk shkon askush në burg. Asgjë tjetër nuk e shpjegon se si mund të zhvendoset lumi i Lanës pak më tutej për të mbrojtur pronën e një trafikanti droge me projekt 60 mln euro. Ky është shteti i kapur nga krimi. Ky nuk është shteti që shqiptarët duan dhe meritojnë dhe këtë shqiptarët e treguan me protestën më të madhe me Shqipërinë më të rrudhur demografikisht në 28 vite. Ndaj, mbajeni vëmendjen tek ky moment kyç i historisë tonë, që është një moment bashkimi, vetëdijësimi dhe qëndrese. Do të ketë një të ardhme për shqiptarët. Ne jemi të vendosur t’i prijmë betejës”, u shpreh kryedemokrati.
Aleatët njëzëri: Të digjen mandatet e deputetëve
Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Dash Shehi, Nard Ndoka dhe Agron Duka u shprehën pro djegies së mandateve të deputetëve.
Kreu i PR, Fatmir Mediu u shpreh se Edi Rama nuk mund të qeverisë më. “Ne që jemi këtu kemi një kalicion politik dhe lektoral të hershëm dhe kemi detyrimin moral përballë atyre qytetarëve që na kanë votuar, por edhe të atyre që dolën dhe treguan që Rama nuk mund të qeverisë më vendin. Është detyrimi i secilit prej nesh ti përgjigjemi atij zëri të qytetarëve me një qëndrim të përbashkët që ka të bëjë me djegien e mandateve”, tha Mediu.
“Qytetarët folën qartë, patën mbështetje maksimale për aksionin opozitar, por folën edhe për mandatin e kryeministrit. Ai duhet ta lexojë qartë protestën e qytetarëve. Rama është kapur duke vjedhur zgjedhjet. Është kapur në korrupsion duke vjedhur dhe besoj që është momenti i reflektimit nga zoti Rama jo vetëm për mandatin si deputet, por edhe si kryeministër. Axhenda e opozitës është e qartë. Nëse nuk lexon mesazhin e qytetarëve është detyra jonë ti tregojmë si të largohet”, tha kreu i PDK, Nard Ndoka.
“Opozita e bashkuar parlamentare është në kushtet e realizimit të misionit të saj, i cili nuk mbaron me djegien e mandateve të këtij parlamenti ilegjitim, i cili i jep fund qeverisjes ilegjitime të Ramës. Ky koalicion opozitar drejton popullin, mbështetet nga populli për të sjellë ditën e nesërme, një ditë ku do funksionojë demokracia funksionale. Misioni është i vështirë, i rëndë dhe kërkon mbështetjen sot më shumë se kurrë, jo të mbështetësve tradicionale, por edhe ata që janë të gënjyer nga Rama”, tha Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ.
Kreu i LZHK, Dash Shehi duke iu drejtuar mediave me batutë tha se opozitën do ta shihni të bashkuar përsa kohë Edi Rama do të jetë kryeministër. “Sa kohë të jetë Rama aty do na shihni bashkë, ditën që do largohet, mund të shihni ndonjëgjë ndryshe. Ne ato mandate nuk është se na bëjnë ndonjë vlerë të madhe”, tha Shehi. Pro djegies së mandateve u shpreh edhe kreu i PAA, Agron Duka, edhe pse një ditë më parë shprehu rezerva për këtë akt ekstrem. “Jam për zgjedhje institucionale, por përderisa “Opozita e Bashkuar” ka marrë vendimin e djegë mandatet, tre mandatet tona do t’i djegim”.
Ai u shpreh i gatshëm për djegien e mandatit të deputetit si i zgjedhur i listës së Partisë Demokratike, bashkë me Nard Ndokën, Fatmir Mediun dhe Vangjel Dulen në zgjedhjet parlamentare të 2017. Ndërsa LSI pritet të vendosë rreth orës 17:00 për vendimin e pjesës tjetër të opozitës.
/Gazeta Mapo/