Aktualitet

Përfundon verifikimi, “dritë jeshile” për kandidatin e “Thurjes”, ngec ai i LSI














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:14 - 16/04/21 |
mapo.al

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimet për dy kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, pas dyshimeve se kishin probleme me ligjin e Dekriminalizimit.






Prokuroria njofton se ka dërguar përfundimet e nxjerra nga verifikimet pranë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.


MAPO ka mësuar se një prej kandidatëve që lejohet të kandidojë pas verifikimit, është ai Nismës “Thurje”, Napolon Laska.





Nga verifikimi i bërë nga njësia e dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se Laska nuk ka kryer vepër penale, nuk ka ndryshuar të dhënat në regjistrin e gjendjes civile dhe nuk është as i ndaluar, arrestuar apo dënuar nga organet ligjzbatuese.





***

Kandidati tjetër i verifikuar është ai i LSI, Artur Baku. Nga filtrat e Njësisë së Dekriminalizimit, ka rezultuar se Baku ka ndryshuar emrin, rezulton i dënuar për një vepër penale por jo me vendim të formës së prerë si dhe pasur masë arresti shtëpiak për shpërdorim detyre në vitin 2015.

Të dhënat e Prokurorisë për kandidatin Artur Baku:

Rezultoi të ketë kryer ndryshime në përbërësit e gjendjes civile;

Referuar përgjigjes zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, konstatohet se subjekti, ashtu siç e ka deklaruar, ka ndryshuar përbërësin e gjendjes civile, rubrikën e emrit nga “Afrim” në “Artur”, ndryshim i cili është pasqyruar në regjistrin themeltar të popullsisë të vitit 1974, “Qytet Fushë Krujë”, referencë 21/85

Nuk rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë vepre penale, nga autoriteti gjyqësor shqiptar;

Nuk rezulton i dënuar me vendim gjyqësor jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor shqiptar për një çështje penale të pazgjidhur me vendim gjyqësor të formës së prerë;

Rezulton të ketë qenë i dënuar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese shqiptare, për kryerjen e një vepre penale;

Referuar përgjigjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, subjekti Artur Ismail Baku, lindur më datë 17.12.1973, është arrestuar në datë 23.11.2015 nga strukturat e policisë të stacionit të policisë Fushë-Krujë, në Komisariatin e Policisë Krujë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Në datë 25.11.2015, është liruar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”.

Lexo edhe :  Kandidatja e PD, Lediana Fratari kërkon rinumërimin e votave në Tiranë

Rezulton të ketë qenë i siguruar me masë shtrënguese të sigurisë personale;

Referuar vendimit nr. 337, datë 25.11.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, pas kërkesës së prokurorit për vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimit të masës së sigurimit ndaj të arrestuarit Artur Baku për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, ka vendosur, vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë të shtetasit Artur Baku dhe caktimin e masës së sigurimit personal atë të “Arrestit në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, duke urdhëruar lirimin e tij.

Është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që do të vendosë për fatin e kandidatit të LSI në Qarkun e Durrësit, Artur Baku.

Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria e Përgjithshme në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si dhe urdhrit të Prokurorit të Përgjithshëm nr. 41, datë 11.02.2020 përfundoi verifikimin për 2 subjekte vetëdeklarues, kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe ia përcolli organit kompetent, në këtë rast Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultatet e verifikimit (në zbatim të nenit 12 e 13 të Kreut V të Vendimit të Kuvendit nr.17/ 2016), për të shqyrtuar nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të nenit 2 të ligjit nr. 138/2015 dhe në vijim dhe të vlerësojë nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar në nenin 4 të po këtij ligji.

Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces dhe po trajton të gjitha kërkesat e përcjella, për verifikim të thelluar e të plotë të të dhënave të pasqyruara në Formularët e Vetëdeklarimit nga personat, subjekte të këtij ligji që garojnë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Kujtojmë se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimin e thelluar për 30 kandidatë për deputetë të partive të ndryshme, pasi ka dyshime se janë të prekur nga ligji i Dekriminalizimit.

1


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas