Dikur

Përgatitja e partizanëve për mësymje në Shqipërinë e Mesme dhe Veri






               Publikuar në : 13:04 - 11/09/19 |
Nga Veli Haklaj

-Realitete shqiptare në Qarkun e Elbasanit gjatë pushtimit gjerman


Nga Veli Haklaj



VIJON NGA NUMRI I KALUAR 

  1. Ekzekutimi i kapiten Emin Oriza, Muharrem Çullhajt dhe Ali Abazit

Më 24 qershor 1944, drejtuesi i Qarkkomandës së Elbasanit, kapiten I-rë Bahri Skënderi, informoi Komandën e Përgjithshme të Operacionit, në Elbasan, mbi ekzekutimin e ish-kapiten Emin Oriza.

Shumë kohë më parë, ish-kapiten Emin Oriza, me detyrë në kohët e fundit si kryetar Komune, kishte qenë inkuadruar në Organizatën e Ballit Kombëtar. Aty nga data 2 tetor 1943, i ndodhur në katundin Shales të Komunës së Belshit, me qëllim propagande dhe për të mbledhë vullnetarë nacionalistë, mbas një përpjekje të bërë ndërmjet fuqive të Ballit Kombëtar dhe çetave komuniste, kapet rob. Më 15 tetor 1943, e shoqëruan në katundin Tregun të Llixhës, ku u dënua me vdekje dhe u ekzekutua.

Thuhej se “para se të ekzekutohej ka qenë torturue me dru e tjera, duke i thye gishtat e duerve, brrylat dhe mbas pushkatimit, mbasi ka mbetë i plagosur e kanë shti në dhe tue qenë i gjallë”.

Bashkë me të përmendurin Emin, u ekzekutua prej çetave komuniste edhe kryepunëtori i rrugës Elbasan – Llixhë, i quajturi Muharrem Çullhaj, nga katundet e Belshit. Më 18 korrik 1944, ky informacion iu përcoll Ministrisë së Punëve të Brendshme nga Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, Gjeneral Prenk Pervizi.

Kurse më 27 qershor 1944, prokurori i Gjyqit të Posaçëm, major Bilbil Hajni, i paraqiti Ministrisë së Brendshme praktikën mbi vrasjen e Ali Abazit prej Partisë Komuniste, për plotësim formalitetesh që të fillonin ndjekjen ligjore.

 

  1. Veprime të çetës së Baba Mustafa Xhanit

Më 25 qershor 1944, zëvëndësisht nënprefekti i Zerqanit, Bajazit Pervizi, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se në lagjen Val të katundit Martanesh ishte parë Baba Mustafa Lutfi Xhani, i cili më parë kryesonte Teqen e Bektashinjve Martanesh e tash i arratisur si kryetar çete, në bashkëpunim me të quajturin Kadri Haziz Hoxhën nga Labinoti i Elbasanit, dhe ky kryetar çete, dhe Ali Shtëpanin, nga Shëngjergji i Tiranës, të cilët së bashku thuhej se kishin një fuqi prej nëntëqind vetësh. Kjo fuqi, në mënyrë të fshehtë me qëllim propagandistik dhe për organizim, shëtisnin ndër vendet Val të Martaneshit dhe Bizë të Shëngjergjit e Shëngjergj, të rajonit të Tiranës, si edhe në katundin Gurakuq e Orenjë, të Zdrajshës së Elbasanit.

Nënprefekti Pervizi shtonte se edhe në vitin e kaluar në Orenjë e në Fushën e Gurrës dhe Lal – Bizë kishin pasë qendrën e tyre më të rëndësishme, ku në fushën e Bizës – Shëngjergjit aeroplanat e huaj i kishin furnizuar me shumë material lufte, si armë të çdo lloji, municione, veshëmbathje e sende ushqimore. Këto çeta përkraheshin më fort prej popullit të Martaneshit (lagjes Val), Gurakuqit, Orenjës dhe Kostenjës e Neshtës, të Rrethit të Librazhdit.

Nëse do të shihej e arsyeshme mbi sa sipër parashtronte, Nënprefekti Pervizi propozonte të urdhërohej marrja e masave të shpejta që kështu të shpartalloheshin dhe të mos u lihej rast për ringjallje e organizim, megjithëse nuk besohej që shuma e fuqisë lartshënuar të ishte e vërtetë. Por me kalimin e kohës, e sidomos duke qenë stinë vere, ishte e natyrshme që mund të organizohen më lehtësisht duke shtuar numrin e fuqisë dhe duke formue kryeqendra e ringjallë si në vitin e kaluar, mbasi mund të ndihmoheshin si nga populli, ashtu edhe nga jashtë me anën e ajrorëve.

 

  1. Përpjekje të batalionit të vullnetarëve të Peqinit me çetat komuniste

Sipas informacioneve të Rrethkomandës së Peqinit, rezulton se më 24 qershor 1944, ora 8.00, në katundet Hemenrai, Hasdushkaj e Memallaj, të komunës së Rrogozhinës, nënprefektura e Peqinit, 12 km larg nga qendra e në anë të Veriperëndimit, një kompani e batalionit të vullnetarëve të Peqinit, duke qenë në patrullim ndër katundet e sipërme ishte përpjekë me një çetë komuniste e përbërë prej 120 vetësh të njësive të Pezës, e kryesuar nga Muhahrrem Durrësi dhe e shpërndarë ndër katundet në fjalë. Mbasi ka filluar konflikti, ka vajtë për ndihmë gjithë fuqia e batalionit të atjeshëm dhe ka vijue një luftim nga ora 8.00 deri në orën 14.00.

Mbas një ofensive të bërë nga ana e batalionit, të tre katundet në fjalë shpartallojnë çetën duke ikur në katundet Milk, Asmanllije e Rrozej. Nga komunistët mbetën një i vrarë e dy të plagosur dhe mbasi u mbartën nga partizanët, identiteti i tyre mbeti pa u zbuluar. Nga ana e fuqisë së batalionit nuk kishte pasë asnjë dëm.

 

  1. Ballafaqime të fuqive qeveritare me fuqitë e Mehmet Shehut dhe Myslim Pezës

Pas lajmërimeve të Rrethkomandës së Elbasanit, më 24 qershor 1944, Qarkkomanda e Elbasanit informoi Komandën e Përgjithshme të Operacionit, në Elbasan, se më 23 qershor 1944, në orën 5.00, në katundin Shelcan, çetat komuniste kishin djegë shtëpinë e kapter Mitro Sinanit, me cilësi postëkomandant i Gjinarit. Gjithashtu, çetat komuniste në katundin Shelcan kishin kërkuar me insistim rekrutimin e 35 djelmoshave, gjithashtu dhe në katundet e tjera të okupuara prej tyre vazhdonin të rekrutonin ushtarë me forcë.

Në këta rrethana, “për të mundur me i pre hovin shumëzimit të tyne”, Qarkkomanda e Elbasanit lutej marrjen e masave për dërgimin e fuqive të nevojshme.

Gjithashtu, Rrethkomanda e Elbasanit njoftoi Qarkomandantin e Elbasanit se më 25 qershor çetat komuniste kishin ardhur prej katundit Broshkë të Dumresë dhe mbasi kishin hedhur Shkumbinin në Murrës bllokuan katundin Pajunë e Vidhashasgjel të rajonit të Postës së Bishqemit, të cilët kanë marrë drejtim për në Cacabezë.

Fuqija e Postës së Bishqemit qysh prej mëngjesit të datës 26 qershor 1944 e deri në orën 19.00 luftoi në katundin Pajunë kundër çetave në fjalë, por mbasi fuqia e çetave komuniste ishte më superiore në numër dhe nga ana tjetër fuqisë së xhandarmërisë iu mbarua municioni, u tërhoqën për në katundin Bishqem.

Komunistët në katundin Bishqem kishin marë shumë bagëti dhe disa njerëz, fati i të cilëve nuk dihej.

Fuqia e Postës së Cacabezës mbas një luftimi që kishte bërë me çetat në fjalë ishte tërheqë në drejtim të Koçollitës.

Sipas pëshpëritjeve publike, çetat komuniste që vepronin në këtë zonë përbëheshin prej 700 – 800 vetësh, të komanduar prej Mehmet Shehut dhe Myslim Pezës.

Ndërkohë, nga informacionet e dërguara nga Rrethkomanda e Elbasanit auteriteteve të Qarkut Elbasan, rezulton se çeta e Mehmet Shehut, natën e datës 25 qershor 1944, në katundin Pajunë, në luftim e sipër, vranë katër persona, Beshir Çelën me tre kushërinjë të tij, nga Pajuna. Më datën 26 qershor, po çeta e Mehmet Shehut, në luftim e sipër në fshatin Vidhasgjel, vranë Murat Kasën dhe vëllanë e tij, nga katundi Vidhas. Po më datën 26, në katundin Cacabezë, Mehmet Shehu dogji shtëpinë e e kapter Ali Krrabës, si edhe ndërtesën e Komunës e të Postëkomandës së atyshme.

Simbas informatave, fuqia e Mehmet Shehut arrinte deri në 1 700 vetë dhe më datën 28 qershor ishte larguar nga Cacabeza dhe shkuar në katundin e Zhullimës. Kurse personeli i Postëkomandës së Cacabezës ishte tërhequr dhe ndodhej në Koçolitë.

Më 30 qershor 1944, Qarkkomanda e Elbasanit informoi Komandën e Përgjithshme të Operacionit, Elbasan se më 30 qershor, në orën 2.00, një çetë komuniste, në fund të katundit Godolesh, të Komunës së Qendrës Elbasan, bëri një aksion kundër ushtrisë gjermane. Gjithashtu, edhe në katundin Labinot, po më 30 qershor, në orën 2, mbas mesnate, çeta komuniste në fjalë luftoi kundër fuqisë së Ballit Kombëtar të Rajcës dhe mbas shpartallimit të këtyre të fundit arriti autokolona gjermane nga Struga, e cila u pengua duke luftuar me çetat komuniste prej orës 3.00 deri në orën 4.00 të mëngjesit të datës 30 qershor 1944. Dëmët e shkaktuara nuk diheshin.

 

  1. Major Alush Leshanaku ndihmon fuqitë qeveritare në Cacabez

Më 28 qershor 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë i përcolli urgjent Ministrisë së Punëve të Brendshme sa lajmëronte major Alush Leshanaku, më datën 27 qershor 1944, nga Krraba, ku kishte shkuar në ndihmë të fuqive qeveritare në Cacabez të atakueme prej fuqive komuniste:

“Sot shkova afër Cacabezës. Fuqija e madhe komuniste âshtë grumbulluar në Cacabez të vendosun në pozita të forta, të cilat pozita nuk mund të merren pa artileri gjermane e pa fuqi tjetër. Unë kam pak fuqi, 50 veta nga Krraba dhe 80 veta toger Ali Ymeri. Ushtarët janë shumë të demoralizuem. Ndër katunde kanë vra njerëz. Fuqitë e Krrabës kanë qenë të shpërndame dhe, mbasi sulmi është bërë befas, nuk dihet fati i tyre. Situata [është] shumë e keqe, një mijë komunistë kanë hyrë nga ana e Strugës. Komunistat kanë dalë në Labinot, Librazhd, Mallagjesh. Kjo është një lëvizje e përgjithshme dhe e vendosun mas planeve të përgatituna prej kohe prej tyre. Ndërmjetësoni shpejt me ardhë fuqi të mjaftueshme xhandarmërie për me fillue mësymje pa humbur kohë”.

 

  1. Nga veprimi i çetave partizane

Sipas informacioneve të Rrethkomandës së Elbasanit, rezulton se më 27 qershor, në orën 7.00, një fuqi komuniste e përbërë prej 200 vetësh rrethuan katundin Labinot e Gur i Zi, të Komunës së Breneshit, të cilët filluan të bënin kontrolle ndër shtëpija, gjithashtu katundi Shëmil i Komunës Zdrajshës u okupue prej çetash komuniste dhe banorët e katundeve në fjalë u larguan në drejtime të ndryshme. Sipas informatave, këto çeta kishin ndërmend të sulmonin Postën e Breneshit.

Meqënëse një pjesë e fuqisë vullnetare të rajonit të Breneshit nën drejtimin e major Alush Leshanakut ishte nisur në drejtim të Krrabës dhe pjesa tjetër e mbetur në Brenesh ishte e pakët dhe nuk mund t’i bëhej ballë një mësymje të çetave komuniste, Qarkkomanda e Elbasanit kërkonte nga Komanda e Përgjithshme e Operacionit, në Elbasan, dërgimin e një fuqie në drejtim të Breneshit e Labinotit.

Më 28 qershor, ora 11.45, në katundin Brenesh mbërriti një fuqi komuniste, numri i të cilëve nuk dihej akoma. Kjo fuqi kishte hasë në përpjekje me fuqinë e Postës së Breneshit, përfundimi i së cilës ende nuk dihej. Sipas informatave që kishte Qarkkomanda e Elbasanit thuhej se çetat komuniste kishin okupuar lagjen e sipërme të katundit Bixullej, banorët e të cilit, nga frika, kishin abondonue shtëpitë e tyre duke u fshehur në pyell. Fuqia e Postëkomandës së Breneshit bashkë me ato vullnetare, që përbëhej prej 100 vetësh, u tërhoqën në drejtim të katundit Gurabardhë.

Në këto rrethana, Qarkkomanda e Elbasanit kërkonte nga Komanda e Përgjithshme e Operacionit, Elbasan, dërgimin e një fuqie të konsiderueshme.

Ndërkohë, më 27 qershor 1944, në mëngjes, në katundin Dragostunjë e Hotolishtë, kaloi një çetë prej 300 – 400 vetësh e komanduar prej Haxhi Lleshit, e cila kishte deklaruar se shkonte drejt Dibrës. Veç kësaj, Haxhi Lleshi u kishte thënë katundarëve Mirakas se po atë ditë kishin kaluar dy brigada partizane, si dhe nga Qafa e Thanës një fuqi prej katër mijë vetësh, që po shkonin për në Dibër.

Ndërsa afër katundit Mirakë ishte parë një çetë komuniste që mori drejtim për në Malin e Togës, për në Çermenikë.

 

  1. Ballafaqime të fuqive të xhandarmërisë me çetat partizane në Rrethin e Librazhdit

Pas njoftimeve nga Rrethkomanda e Librazhdit, më 29 qershor 1944, Qarkkomanda e Elbasanit informoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë se çetat komuniste në katundin Hotolisht nuk kishin bërë asnjë veprim, ndërsa në katundin Dragostunjë kishin djegur dy shtëpitë e Daut e Selim Gurrës, sepse këta të dy ishin kryetar çete në Ballin Kombëtar.

Mbasi u vu në dijeni Komanda Gjermane me qendër në Librazhd, u dërgua në katundin Dragostunjë një fuq dhe në luftimin e bërë prej 4-5 orësh mbetën të plagosur dy vullnetarët e quajtur Haziz Halil Beci e Sali Ahmet Kulla, nga Dragostunja. Mbas kësaj përpjekjeje, çetat komuniste kishin marrë drejtim për në malet e Librazhdit, duke hyrë në Qarishtë.

Më 28 qershor në mëngjes, Haziz Biçaku me një fuqi prej 30-40 vetësh ishte nisur nga Quksi në drejtim të Qarishtës dhe në vendin e quajtur Shapka e Librazhdit ishte përpjekur me çetën komuniste, dhe mbas një informate thuhej se Haziz Biçaku ndodhej i rrethuar prej çetës komuniste, për të cilën gjë Rrethi i Librazhdit kishte vënë në dijeni komandën gjermane për të dërguar një fuqi në ndihmë të tij, por komanda gjermane kishte deklaruar se nuk kishte ushtarë për t’i dërguar. Mbas një informate të dytë që kishte Rrethi i Librazhdit, rezulton se Haziz Biçaku dhe Isak Alla ishin duke luftuar me çetat komuniste në lagjen Kosholishtë të katundit Letëm.

Çeta tjetër komuniste që kishte kaluar nga Miraka në drejtim të Çermenikës më 28 qershor 1944, në orën 20.00, në katundin Floq janë përpjekë me patrullën e Postës së Zdrajshës e përbërë prej 11 vetësh dhe mbas një luftimi që kishte zgjatë një orë patrulla në fjalë u tërhoq duke munguar katër xhandarët Ragip Gjokola, Gani Leka, Qazim Gjokola e Maliq Mjeshtri, fati i të cilëve nuk dihej.

Sipas një lajmi që kishte Rrethi i Librazhdit, çetat komuniste në rajonin e Zdrajshës ndodheshin të përhapura në katundet Floq, Orenjë e Zdrajshë ku ishin duke luftuar me vullnetarët e katundit Neshtë, në ndihmë të të cilëve ishte nisë toger Hasan Balliu bashkë me fuqinë e tij.

Thuhej se më 28 qershor në katundin Kuturman kishte ardhur një fuqi komuniste e përbërë prej 200 vetësh, të cilët kishin marrë drejtimin e katundit Zgozhd dhe se gjoja kjo çetë qenka një pjesë e çetës së Myslim Pezës dhe pjesa tjetër e ardhur më datë 20 qershor në Çermenikë qenka brigada e parë.

Mbi sa sipër u vu në dijeni edhe Komanda e Përgjithshme e Operacionit në Elbasan.

 

  1. Fuqitë partizane përgatiten për mësymjen e përgjithshme në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut

Më 28 qershor 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se, sipas lajmërimeve të ndryshme nga komandat e qarqeve Berat dhe Elbasan, rezultonte që në Jug zhvillohej një operacion i gjerë dhe vendimtar nga ana e fuqive gjermane, në pjesëmarrje me këto edhe nga fuqia e xhandarmërisë dhe nacionalistat.

Nga ana tjetër, fuqi komuniste të drejtuara nga Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi e të tjerë, kishin nisë dhe marshonin në Shqipërinë e Mesme me qëllim, siç thuhej, drejtim Veriun me anën e Çermenikës, Martaneshit e Gollobordës.

Këto fuqi në fjalimet dhe propagandën e tyre nëpër zonat që kishin hyrë shfaqnin se urdhërat që kanë ishin për të marshuar drejt Veriut.

Deri më 28 qershor paraqitej kjo gjendje:

– në zonën Pezë e Krrabë kishin grumbulluar një fuqi të mjaftueshme e të vendosur ndër pozita;

– një pjesë tjetër ishte mvarur në drejtim të Çermenikës, nga ana e Labinotit, e tjetra nga ana e rajonit të Librazhdit e disa filtrime të tjera ndër vise të ndryshme.

Vlerësohej se këto fuqi komuniste kishin për qëllim me zënë Çermenikën, Martaneshin e Shëngjergjin, sikur gjendeshin para se të shpartalloheshin nga operacionet që bënë fuqitë qeveritare në fund të vitit 1943 dhe kështu me mujtë me u zgjerue deri në Veri. Kurse pjesa tjetër për të vepruar në rajonet Kavajë, Peqin, Shijak, Durrës, Tiranë e Krrabë.

Mbasi në Jug zhvillohej operacion i rregullt, për mos me e lënë popullin në vuajtje e forcat e tyre të demoralizohen, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë propozonte se “do të ishte mirë me mësy pa humbur kohë zona e Krrabës dhe e Pezës dhe nga ana tjetër me u dërgue një fuqi nga ana e Shëngjergjit për Martanesh e Çermenikë për t’i pre hovin dhe me u mësy nga ana e fuqive të Dibrës për t’i shpartalluar njëherit në Jug e njëkohësisht në Shqipninë e Mesme”.

 

  1. Kalimi i Shkumbinit nga fuqitë partizane

Më 1 korrik 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë i përcolli Ministrisë së Punëve të Brendshme fonogramin – shifër nr. 18-31/39, datë 1 korrik 1944, të major Hidajet Kulla, oficer i Shtabit të Komandës së Përgjithshme të Operacionit, në Elbasan, me këtë përmbajtje:

“Kapiten Jaksh na informon se një fuqi komuniste prej 1 000 – 2 000 vetash ka kalue Shkumbinin te katundi Gjocaj, ndërmjet Peqinit dhe Rrogozhinës, tue përshkrue katundet Hasmashaj, Kurtaj, Sallabegaj, Sineballa, Hasmalije.”

Zëvendësisht Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Tahsin Bishqemi, sqaroi Ministrinë e Brendshme se duke e quajtur si të ekzagjeruar këtë fonogram pyeti ne telefon Komandën e Përgjithshme të Operacionit në Elbasan nëse këto fuqi ishin po ato të ardhura një javë më parë e të lajmëruara herë mbas here me raportet e ditës. Nga komunikimet e Komandës në fjalë me kapitenin gjerman Jaksh u mësua se këto fuqi ishin të reja dhe jo nga ato të raportuara deri më parë.

Nga kjo kuptohej se mjaft fuqi komuniste ishin hedhur në pellgun e Shqipërisë së Mesme, në prefekturat Elbasan, Tiranë e Durrës. Nisur nga kjo, kolonel Bishqemi theksonte se kalimi i kohës pa marrë masa të gjëra veprimi kundër tyre nga fuqitë gjermane e ato pak që dispononte Qeveria Shqiptare, “do t’u lejonte atyre të forcoheshin në pozita, ushqime e rekrutim dhe do të dëmtohej tepër rëndë populli”.

Sipas informacioneve të Rrethkomandës së Elbasanit, Petrit Hakani dhe Esat Dishnica me një çetë komuniste prej 200 – 300 vetësh, më 30 qershor 1944 kishin ardhur nga Sulova në Shelg të katundit Muriqan, të komunës së Qendrës Elbasan, afër Shkumbinit.

Rojet e çetave komuniste ishin parë te mulliri Zaranikë si dhe në ullishtet e qytetit Elbasan. Ndërkohë, fuqitë vullnetare të Met Ramës, që ndodheshin në bashkëpunim me fuqitë e Postëkomandës Breneshit, u urdhëruan prej major Alush Leshanakut për t’u tërhequr në drejtim të Elbasanit.

Më 3 korrik 1944, n’ora 18.30, Rrethkomanda e Elbasanit u njoftua verbalisht prej xhandarit të Postës së Shtepanjit se çetat komuniste të komanduara prej Petrit Hakanit dhe Kadri Musajt okupuan katundin Shënavlash dhe banjat e Llixhës. Komandanti i çetës, Kadri Musaj, dërgoi një njeri të posaçëm në katundin Malasej dhe i njoftoi kapter Bajram Xhikës, postëkomandant i Shtepanjit, dhe Hajdar Xhikës, si komandant i fuqisë vullnetare, se “sonte çetat komuniste do të kalonin në katundin Gostimë e Shtermenë dhe nëse këta nuk dëshirojnë kalimin e tyne le të venë front kundër çetës së përmendun”. Postëkomandanti Bajram Xhika nuk e kishte lënë të lirë që të kthehej atë natë personin informator.

Fuqia e Postëkomandës së Shtepanjit në Malasej përbëhej prej 27 vetësh, kurse fuqia vullnetare e Hajdar Xhikës përbëhej prej 80 vetësh.

Rrethkomanda e Elbasanit informoi Qarkkomandën e Xhandarmërisë Elbasan dhe Komandën e Operacionit të Zonës së Qytetit se me anën e xhandar Ibrahim Lumshit kishte urdhëruar verbalisht që fuqitë e lartpërmendura të qëndronin kundër çetës komuniste që kishte ndërmend t’i sulmonte.

Po kështu, më 30 qershor 1944, nga mesi i natës, një fuqi partizane komuniste prej 100 – 150 vetësh e kryesuar prej Rrahman Uruçit kishin kaluar nga katundet Gjuzaj, Gjocej e Hasmashej dhe duke kaluar Shkumbinin u hodhën nga ana e Veriut, nëpërmes katundeve Sinaballje e Osmanllije dhe si mbërritën në katundin Rostej të Rrogozhinës u bashkuan me të tjerë komunistë që ishin përqendruar në atë katund.

Sipas informatave që kishte Rrethi i Peqinit, fuqia komuniste përgjithësisht e përbërë prej dy mijë vetësh, ishte e përqendruar në katundet e Garunjës së Madhe dhe të Pezës. Popullata e këtyre katundeve ishte e impresionuar nga lëvizjet e partizanëve.

Komanda e Operacionit në Elbasan dhe ajo e batalionit të vullnetarëve të Peqinit u vunë në dijeni për masat e rastit.

Ndërkohë, me qëllim që të pengohej kalimi i forcave gjermane, çetat komuniste kishin djegë dy-tre ura në rajon të katundit Zgozhdë të Rrethit të Librazhdit.

Kurse më 9 korrik, në tregun e Elbasanit, u gjetën trakte komuniste të përgatitura prej Shtabit të Divizionit I-rë dhe të nënshkruara prej Komandantit të Divizionit I-rë, kolonel Dali Ndreut, e komisarit të Divizionit, Tuk Jakovës. Trakti në fjalë i drejtohej popullit të Elbasanit, me qëllim që rinia të bashkohej me divizionin e I-rë për të luftuar okupatorin dhe kundër çdo partie tjetër.

VIJON NUMRIN E ARDHSHËM

LEXO EDHE:

Letra e Aleksandër Xhuvanit: Rinia Balliste më sulmoi gruan e vajzat

Përplasjet me partizanët dhe sjellja e ballistëve ndaj tregtarëve

Ardhja e fuqive të Mehmet Shehut dhe sulmi ndaj Pogradecit

Letra e drejtuesit komunist për Mahmut beun: Fitorja jonë po afron

 


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas