Kemi prova të mjaftueshme historike se jemi popull i prirur me prodhu diktatorucë, mandej mundohemi t’i pompojmë e stolisim me levdata që as s’i kanë pasur, as i kanë hasur kurrë në jetën e tyre private as publike.
Nga ana tjetër mobilizojmë të gjitha përpjekjet tona t’i gjigantojmë për të trembur tjetrin që nuk mendon si ne, apo botën, duke i dhuruar atij të gjitha pushtetet dhe liritë tona që sipas Ligjit Themeltar të Shtetit, nuk i takojnë atij.
Së paku intelektualët me shpirt kombëtar e intuitë politike, të cilët kanë mundësi t’i shohin këto personazhe më në distancë, e kanë kuptuar evidenten. Se kemi prodhuar figura komike dhe tragjikomike që botës “armiqësore” i kanë shkaktuar vetëm të qeshura, ndërsa vendit dhe nështetasve shqiptarë vetëm tragjedi, regres e mjerim.
Do të ishte e udhës që të gjithë shqiptarët të reflektojmë dhe distancohemi nga ky kurs i mbrapshtë vetëshkatërrues, anti-demokratik, pasojat e të cilit po i vuan i madh e i vogël.
Por në radhe të parë janë intelektualët (jo ata të makaronave siç i karakterizon një mik i imi) skuadroni që nuk mund të rreshtohen në kuadratet “nën armë” të paradave e as sukseve të asnjë llojë pushteti, qofshin suksese reale apo imagjinare.
Intelektuali që e do vendin e tij ka rreshtimin e vet, dyshimin, hulumtimin e të vertetës, pajisjen e vet luftarake, kritiken.
Intelektualët, thotë Costanco Preve, që levizin si peshqit mbas rrymes e valeve të mendimit totalitar dominant, “politikisht korrekt” në fakt janë automatikisht apologjetët ose “dorëzanët” e mosndryshimit, ndonëse hedhin ndonjë kritikë hipokrite.
Ndersa György Lukács, intelektualet e kësaj trume peshqish i pershkruan; “…këta janë intelektualet e hotelit luksoz në majë të humneres, qe shpesh nxjerrin koken për të parë poshtë, po të trembur fusin koken brenda duke zgjedhur më mirë dhomat e pushtetit… Aty flasin për gjithçka, duke percjellë kumtin se objekti apo subjekti i kritikuar, gjendja ekzistuese është sidomos keq, po e vetmja që kemi…”.
Intelektualët dhe Kultura që vihet në sherbim te pushtetit, mbërrin automatikisht të jetë kundër shoqërisë dhe vendit, ky kumt mbërrin pothuajse i saktë edhe nga intervista e fundit e Lubonjës në “Panorama” sado vlerat estetike apo kulturore të disa aspekteve mund të vlejn.
Më 1910 Max Weber pat hedhur në qarkullim atë që quhet “etika e tretë ose etika e përgjegjësisë”. Filozofi, duke kritikuar epokën e teknikës pergjithëson papërgjegjësinë e kerkimit shkencor, në efektin e tij derisa efekti është i parashikueshëm.
Nëse e pyet një tornitor që prodhon shula armësh se përse e bën këtë kur e di se për çfarë ato përdoren, ai të pergjigjet se ka përgjegjësi për precizionin dhe bukën e fëmijëve të vet.
Të njejtën përgjigje mund të marrësh tani në epokën e ramokracisë nga profesionisti i burokracisë së shtetit të të gjithë shqiptarve, pra jo të rilindjes për “precizionin” e votës.
Të përmendin bukën e kalamanjëve si shkak për tu larguar me vetëdije nga të drejtat dhe liritë që janë të garantuara dhe të paprekshme, duke ia dorëzuar ato një të papërgjegjshmi që jo veç e ka manifestuar, po dhe ka vertetuar të gjitha hipotezat e një të papërgjegjshmi klinik.